E Diel, 1 Nëntor 2026

Praktika, Politekniku nënshkruan marrëveshjen për punësimin veror të studentëve



Jonida Tashi

Studentët e Politeknikut, për të katërtin vit radhazi do të punësohen për të kryer praktikën verore të punës pranë ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve në të gjithë vendin. Kjo do të bëhet e mundur falë marrëveshjes së nënshkruar dje për Programin e Praktikës Verore të Punës, 2010, për studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës. Bëhet fjalë për Marrëveshjen e Programit për Fëmijë “MIQTË E UJIT” dhe Programi i Praktikës Verore të Punës, 2010, që është nënshkruar dje midis Shoqatës së Ujësjellës-Kanalizimeve, Ministrisë së Arsimit dhe Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Falë kësaj marrëveshjeje, studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, do të punësohen gjatë sezonit veror pranë Shoqatës së Ujësjellës-Kanalizimeve, për të kryer praktikën verore të punës. Studentët që do të pranohen në këtë program mund të jenë studentë të vitit të katërt apo të pestë, të cilët ndjekin studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit pranë departamenteve të Inxhinierisë së Mjedisit apo Hidraulikës. Programi i praktikës është planifikuar që të mund të realizohet përgjatë dy muajve në sezonin veror.
Praktika
Praktika verore e punës do të realizohet në ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve në të gjithë vendin bazuar në një marrëveshje zyrtare ndërmjet ndërmarrjeve pritëse dhe studentit praktikant që ka firmosur me ndërmarrjen respektove, si dhe bazuar në një marrëveshje tjetër zyrtare ndërmjet shoqatës dhe studentëve praktikantë. Studenti praktikant do të bashkëpunojë me drejtorin e ndërmarrjes pritëse për të identifikuar çështje apo probleme specifike, për të cilën studenti praktikant duhet të zhvillojë një raport të zgjeruar me shkrim, në të cilin duhet të rekomandojë zgjidhje për problemin e ngritur gjatë kohës së praktikës në ndërmarrje. Qëllimi i përgjithshëm i programit të praktikës mësimore është që ta bëjë profesionin e shërbimit të furnizimit me ujë, kanalizimeve e trajtimit të tij të dëshirueshëm, një profesion me jetëgjatësi që do të tërheqë e do të mbajë në nivel të kualifikuar të rinjtë universitarë të cilët do të kontribuojnë në përmirësimin e përgjithshëm të realizimeve shumëplanëshe në sektorin e ujit në Shqipëri.
Marrëveshja
Në Ministrinë e Arsimit zv/ministri, Halit Shamata nënshkroi për të katërtin vit radhazi Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Shoqatën e “Ujësjellës Kanalizimeve” për organizimin e Programit të Edukimit për Fëmijë “Miqtë e Ujit”. Presidenti i shoqatës dhe njëkohësisht drejtor i shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Sahit Dollapi firmosi në emër të shoqatës. Ndërsa zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj, nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit përfaqësuar nga dekani, Andrea Maliqari dhe Shoqatën e Ujësjellës-Kanalizimeve të Shqipërisë, përfaqësuar nga Sahit Dollapi, për Programin e Praktikave Verore të Punës. Objektivi i Programi për fëmijë “Miqtë e ujit” është rritja e ndërgjegjësimit tek fëmijët për sa i përket çështjeve të lidhura me ujin, pikërisht në një moshë të re, nëpërmjet një metodë interesante dhe interaktive, duke kombinuar mësimet mbi principet bazë në lidhje me ujin, me lojëra dhe aktivitete të cilat përforcojnë këto njohuri të marra. Fëmijët që do të përfshihen në këtë program do të jenë përsëri nxënës të klasave të treta të shkollave fillore në Tiranë, Durrës, Korçë, Shkodër, Kavajë, Pogradec, Tepelenë, Berat, etj.

Dje, Dita Ndërkombëtare e Autizmit
Bashkia e Tiranës inaguron qendrën e re

Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, Bashkia e Tiranës ka inauguruar mjedisin më të ri në ndihmë të fëmijëve të prekur nga ky problem. Mjedisi i ri ofron zhvillimin e një terapie specifike për të stimuluar shqisat dhe ndijimet e fëmijëve. Në inagurimin e kësaj qendre ka marrë pjesë kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cila tha se ky mjedis i ri nuk do të ishte realizuar pa sugjerimin e nënave dhe profesionistëve që punojnë për këtë ambient. Aktualisht në këtë qendër të specializuar marrin shërbim rreth 50 fëmijë, të cilët trajtohen nga një staf i specializuar. Një ndërhyrje që Bashkia po zhvillon paralelisht është edhe trajtimi i stafit edukator. Ky trajtim realizohet për evidentimin e hershëm të fëmijëve që shfaqin probleme me autizëm.

3 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›