KIA Optima, automjeti modern i amerikanëve dhe europianëve
Në panairin e automjeteve në Nju Jork, “Kia” ka paraqitur zyrtarisht automjetin e ri të klasës së mesme “Sonata” e cila është ndërtuar në platformën e modelit “Hyundai Sonata”. Edhe pse largësia në mes boshteve të dy automjeteve është i njëjtë dhe dimensionet u përshtaten pothuajse milimetër për milimetër, është mirë të shihet se ato duken krejt ndryshe. Dizajni i “Optima”-s ec në hap me paraqitjet e fundit të prodhuesit korean “Sorento” e “Sportage”. Kur “Optima” të dalë në shitje, ajo fillimisht do të paraqitet në tregun e SHBA-ve, ndërsa në Europë do ta presim vitin e ardhshëm. Ky automjet do të ketë motor 2.0 turbo me benzinë me 274 kuaj fuqi, motorin 2.4-litërsh atmosferik me katër cilindra dhe 200 kuaj fuqi si dhe motorizim hibrid të bazuar në motorin e njëjtë me gjithsej 209 kuaj fuqi. Të gjithë motorët janë të pajisur me teknologjinë e djegies të drejtpërdrejtë, si dhe janë çiftëzuar me marsh automatik e mekanik prej gjashtë shpejtësish.
Benz-Mercedes R-Class
Dizajnohet sërish për panairin e Nju Jorkut
Klasa “R” nuk është gjendur edhe aq mirë në klasën “Sport Tourer”, ku Mercedes edhe e ka kategorizuar. Automjeti nga Sindelfingen do të na shfaqet në panairin e automjeteve në Nju Jork në version të ridizajnuar i cili, me pak fat, do të duhej të ndryshonte situatën e padëshirueshme në të cilën gjendet tani për tani. R-klasa ka marrë pamje të re të pjesës së përparme me drita krejtësisht të reja, rrjetin e ftohësit të vendosur vertikalisht dhe drita të mjegullës së dyfishta, siç i kemi parë edhe vet klasa E dhe GL. Ndryshimet nga pas janë diskrete dhe vërehen në ridizajnin e dritave dhe mbrojtësve, ndërsa enterieri, sipas fotografive, nuk ka ndryshuar dukshëm. Do të na duhet të durojmë deri në raportin zyrtar për të kuptuar se çfarë fshihet nën kapakun e motorit të R-klasës së ridizajnuar.
Asus tablet
Laptop me Uindous dhe Android
Prodhuesi tajvanez ka paralajmëruar prodhimin e kompjuterit tablet me sistem operativ Uindous, por edhe sistemin “Chrome OS”, respektivisht Androidin. Presidenti i kompanisë Asus, Xhoni Shih, në një intervistë për revistën “Forbes” ka sqaruar planin e kompanisë në lidhje me kompjuterët tablet. Sipas tij, Asus aktualisht është në përgatitje të një lloji të tillë të pajisjeve, e në muajt që vijnë kompania do të hedh në treg së paku dy modele. Njëri prej kompjuterëve që pritet ta dalin do të jetë i bazuar në Uindous, ndërsa i dyti do të përdorë platformën e kompanisë “Google”. Nuk është specifikuar nëse “Asus” do të vendosë për “Android” apo “Chrome OS”, e në të njëjtën kohë, nuk janë zbuluar informacionet për specifikat teknike. Megjithatë, dihet se këta kompjuterë do të fokusohen në multimedia, me të cilën do t’i bëjnë konkurrencë pajisjes “iPad” të Apple.
Coby MP3
“Music player” pa asnjë tast
Kompania “Coby” ka vendosur që thjeshtësinë e MP3 playerëve ta ngrejë në një nivel të ri. Modeli i tyre MP570 në shikim të parë nuk ka asnjë tast për menaxhim. Coby MP570 MP3 player ende nuk është në shitje e tanimë ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve. Përdoruesit që çmojnë estetikën e lavdërojnë për dizajn të thjeshtë dhe të bukur për sy, e ata që çmojnë pikëpamjet teknike janë të hutuar sepse nuk e kanë të qartë si futet në funksion kjo pajisje. Fotografitë e këtij MP3 playeri të ri nuk shfaqin asnjë tast i cili do të shërbente së paku për të lëshuar dhe ndaluar riprodhimin e muzikës. Besojmë se do të jetë pikërisht kjo enigmë e cila do të rris interesimin për produktin e ri të kompanisë Coby.
3 Prill 2010