E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo e bën baltë, Besa në krizë



Dinamo vazhdon të vuajë në javët e fundit, duke mos shfaqur asgjë nga përformanca e një ekipi që kryeson bindshëm kampionatin. Edhe Besa e vendit të dytë është në krizë të plotë rezultatesh, duke pësuar katër humbje rresht.

Flamurtari – Dinamo 2-1

Migen Memelli, golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, ndihmoi Flamurtarin të arkëtojë tri pikë të tjera të çmuara në betejën për të mos rënë nga Kategoria Superiore, në fitoren 2-1 të vlonjatëve ndaj liderit të kampionatit, Dinamos. Njazi Lena hapi serinë e golave në minutën e 21-të për Flamurtarin, përpara se Migen Memelli, autori i dy golave në fitoren 2-1 ndaj Besës, të dyfishonte rezultatin në minutën e 40-të në portën e mbrojtur nga Hoxha. Goli i tetë sezonal i ish-sulmuesit të Tiranës, që tashmë kur kanë mbetur edhe shtatë javë për tu luajtur ndodhet me pesë gola më pak se lideri Elis Bakaj (13 gola). Dinamo po përjeton një seri negative, teksa fitorja e fundit e kampionëve të padiskutueshëm daton në javën e 23-të (1-0 ndaj Gramozit). Gjithsesi, diferenca e bluve me Besën e vendit të dytë, mbeti sërish 18 pikë, pasi kavajasit humbën me Vllazninë në Shkodër. Kjo ishte fitorja e 27-të e Flamurtarit në 119 ndeshje historike me Dinamon (65 fitore, 27 barazime).

Vllaznia – Besa 2-0

Vllaznia e Edi Martinit vazhdoi rrugëtimin e saj në pistën “3 pikë” pas fitores së radhës kundër Besës me dhjetë lojtarë nga minuta e 18-të, me një fitore të pastër 2-0 në “Loro Boriçi”. Elvis Kraja në minutën e 15-të dhe Ndriçim Shtubina në të 65’ i dhuruan Vllaznisë fitoren e 10-të sezonale dhe konsolidimin e vendit të gjashtë (36 pikë). Golashënuesi më i mirë i Besës, Daniel Xhafaj (12 gola) u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 18-të pas një veprimi të shëmtuar ndaj kosovarit Liridon Leci, ish-lojtar i Besës në pjesën e parë të sezonit. Për Besën e vendit të dytë (40 pikë), kjo ishte humbja e katërt radhazi, duke shfaqur dukshëm një krizë rezultatesh. Kjo ishte fitorja e 60-të e Vllaznisë në 133 ndeshje me Besën (40 fitore, 33 barazime).

Apolonia – Tirana 1-2

Trajneri Sulejman Starova e nisi me fitore aventurën e tij të tretë te Tirana, me një fitore 2-1 me Apoloninë në transfertën e “Loni Papuçiut”. Sebino Plaku shënoi një gol të shpejtë në minutën e shtatë, ndërkohë që Gjergji Muzaka dyfishoi shifrat 32-të. Apolonia shënoi golin e nderit në minutën e 82-të falë një penalltie të realizuar nga sulmuesi më i mirë i saj, serbi Mlladen Bërkiç. Ndërsa Tirana u rikthye te suksesi pas tri humbjeve rresht, Apolonia, tashmë ndodhet në vendin e tretë nga fundi, duke rrezikuar jo pak, pasi ndodhet vendin e 10-të me vetëm një pikë më shumë se Kastrioti. Kjo ishte fitorja e 52-të e Tiranës në 71 përballje historike me Apoloninë (14 fitore, 5 barazime).

Shkumbini – Gramozi 2-1

Shkumbini fitoi mininalisht ndaj Gramozit, në fitoren 2-1 të peqinasve, të cilët u barazuan me pikë me Laçin e Tiranën në betejën për vendin e tretë. Viktor Gjyla realizoi golin e parë ën minutën e 11-të për formacionin e Përparim Daiut, përpara se Bledar Hoti të barazonte shifrat në minutën e 30-të për Gramozin. Golin me vlerë tre pikë e shënoi nga pika e bardhë Ilirjan Çaushaj (54’) pas penalltisë së fituar nga Ahmed Mujdragiç. Sulmuesi i Gramozit, Olsi Bajollari u dëmtua rëndë pas përplasjes me një lojtar të Shkumbinit, duke u detyruar t’i drejtohet spitalit të Elbasanit për një ndërhyrje kirurgjike. Gramozi pësoi humbjen e 14-të sezonale, dhe tashmë në kuotën e 22 pikëve, 8 më pak se Kastriotit i parafundit, kur kanë mbetur edhe shtatë javë për tu luajtur është me një “këmbë në var” drejt Kategorisë së Parë. Kjo është fitorja e parë e Shkumbinit ndaj Gramozit gjatë këtij sezoni, pasi dy takimet e parë kishin përfunduar në barazim.

Kastrioti – Skënderbeu 1-2

Skënderbeu doli i pathyer në Krujë në një fitore jetike ndaj Kastriotit, duke përmbysur brenda dy minutash avantazhin e krutanëve, që në përfundim të takimit humbën trajnerin Ramadan Ndreu, ndërkohë që klubi përjashtoi dy lojtarë, Besmir Arifajn dhe Eleandro Pemën. Korçarët arritën fitoren e gjashtë radhazi (një rekord sezonal), edhe pse pësuan gol në minutën e 34-t nga Ivan Babiç i Kastriotit. Klevis Roshi (65’) dhe Vlado Markoviç (67’) i dhuruan një trepikësh mbijetese ekipit të financuar nga “Red Bull” ndaj një Kastrioti që luajti nga minuta e 74-t me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Renato Kalarit. Me fitoren ndaj Kastriotit (tashmë i parafundit), Skënderbeu u ngjit në kuotën e 33 pikëve (po aq sa Flamurtari), duke dalë përkohësisht nga zona e ftohtë. Kjo ishte fitorja e 5-të e Skënderbeut në 13 ndeshje historike me Kastriotin (7 fitore, 1 barazim).

Teuta-Laçi 0-0

Teuta dhe Laçi ndanë nga një pikë në barazimin pa gola në “Niko Dovana”, me durrsakët me mendjen nga Kupa e Shqipërisë dhe laçjanët në luftë për vendin e trete dhe një vend në Ligën e Europës. Teuta vazhdoi serinë jo të mirë, ku nuk fiton prej pesë javësh, ndërkohë që Laçi vijon serinë pozitive me ëndrrën UEFA. Teuta, që nga ana e saj synon një vend në finalen e Kupës, pasi ka mundur në ndeshjen e parë gjysmëfinale Vllazninë, ndodhet tani në vendin e 9-të me 32 pikë, ndërkohë që Laçi ndan me Shkumbinin e Tiranën vendet 3-5 me nga 30 pikë secili. Ky ishte barazimi i pestë midis dy skuadrave në 23 ndeshje (13 fitore Teuta, 5 fitore Laçi).

KATEGORIA SUPERIORE
Java 26
02.04.2010, 15:00

Apolonia-Tirana 1-2
Shënues: Mladen Brkic 82’ (p) /Sebino Plaku 7’, Gjergji Muzaka 32’

Shkumbini-Gramozi 2-1
Shënues: Viktor Gjyla 11’, Ilirjan Çaushaj 54’(p) / Bledar Hoti 30’,

Flamurtari-Dinamo 2-1
Shënues: Njazi Lena 21’, Migen Memelli 40’/ Rafael Soza 49’

Vllaznia-Besa 2-0
Shënues: Elvis Kraja 15’, Ndriçim Shtubina 65’

Kastrioti-Skënderbeu 1-2
Shënues: Ivan Babic 34’/ Klevis Roshi 65’, Vlado Markoviç 67’

Teuta-Laçi 0-0

RENDITJA

1. Dinamo 58
2. Besa 40
3. Laci 38
4. Shkumbini 38
5. Tirana 38
6. Vllaznia 36
7. Flamurtari 33
8. Skenderbeu 33
9. Teuta 32
10. Apolonia 31
11. Kastrioti* 30
12. Gramozi 22
* Kastriotit i janë zbritur 3 pikë

Ramadan Ndreu jep dorëheqjen nga Kastrioti

Ramadan Ndreu dha dorëheqjen nga skuadra e Kastriotit pas humbjes në ndeshjen kyçe me Skënderbeun (2-1) në javën e 26-të të Superligës, një prej rivalëve direkt për mbijetesë në Kategorinë Superiore. Sipas teknikut të krutanëve, dorëheqja e tij vinte pas mosimpenjimit të lojtarëve në sfidën me korçarët. Ndreu, i ndëshkuar dy herë nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, për të mos drejtuar në bankinë skuadrën e tij, herën e parë 10 javë (u reduktua më pas në 5 javë nga Apeli) dhe herën e dytë dy javë, është trajneri i 15-të që jep drejtimin nga një skuadër e Superligës. Pasuesi i tij në stolin e Kastriotit do të jetë trajneri i 23-të që do të ulet këtë sezon në bankinën e vetëm 12 skuadrave të Superligës, ku rekordin e mban Tirana, me pesë lëvizje në stafetën 26 javëve të zhvilluara: Lonçareviç-Tafaj-Dede-Muka-Starova. Për momentin janë vetëm tre ekipe nga 12 skuadra që ka Superliga që nuk i kanë ndryshuar trajnerët: Dinamo (Shkëlqim Muça), Besa (Shpëtim Duro) dhe Laçi (Stavri Nica), tre skuadrave që ndajnë vendet 1-3 në renitje. Gjithsesi, bankina e Shkëlqim Muçës është në dyshim, dhe po e lëkundur duket edhe ajo e Shpëtim Duros te Besa.

SUPERLIGA 2009-2010
LËVIZJET E TRAJNERËVE

Tirana (5 trajnerë): Ilija Lonçareviç (nga java 1-6); Alban Tafaj (nga java e 7-18): Nevil Dede (nga java 19), Devi Muka (nga java 20-25), Sulejman Starova (nga java 26)

Shkumbini (3): Gugash Magani (nga java 1-2); Kristaq Mile (nga java 3-15). Përparim Daiu (nga java 16)

Skënderbeu (3): Gerti Haxhiu (nga java 1-17); Andrea Marko (nga java 18-19); Mirel Josa (nga java 21)

Vllaznia (3): Hasan Lika (nga java 1-5); Roland Luçi (nga java e 6-të); Edi Martini (nga java 18)

Apolonia (2): Esad Karishik (nga java 1-10); Hasan Lika nga java e 11-të.

Flamurtari (2): Eqerem Memushi (nga java 1-4); Gugash Magani (nga java e 5-të)

Gramozi (2): Ilir Qirjako (nga java 1-5); Agim Canaj (nga java e 6-të).

Teuta (2): Mirel Josa (nga java 1-19) Ylli Shehu (nga java 20)

Kastrioti (2): Ramadan Ndreu (nga java 1-26). Trajneri i ri???

3 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›