E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Imami pengon kontrollin e Kuvendit. A po fsheh ai një trafik marramendës armësh?

Share

Arben Imami, i parë disa herë nën shoqërinë e Damir Fazlliç, akuzohet nga opozita se po shkel Kushtetutën duke penguar një kontroll parlamentar. Braçe thotë se shkaku është trafiku marramendës i armëve

Opozita u shfaq e shqetësuar sot. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, kishte shpërfillur një urdhër të Kuvendit për të mbikëqyrur punën e institucionit që ai drejton, duke dhunuar hapur Kushtetutën, edhe pse vendimi ishte marrë me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. Nuk është hera e parë që ai e shkel Kushtetutën me lehtësi. Kështu bëri edhe me emërimin e drejtuesit të Forcave Detare. Ndërkohë që në media po dalin çdo ditë afera për trafiqe armësh dhe për tentativa të shitjes së pasurisë së ushtrisë, Arben Imami refuzon këtë kontroll.

Deputetët e PS, anëtarë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, të cilët qysh prej shkurtit të këtij viti kanë depozituar në Komision kërkesën për të ushtruar funksionet e veta kushtetuese për të mbikëqyrur veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes përkundrejt zbatueshmërisë së legjislacionit në fuqi.

Pas një odiseje të tejzgjatur, në mbledhjen e tij të datës 18 maj 2012 Komisioni i Sigurisë në mënyrë unanime, maxhorancë dhe opozitë, mori vendimin Nr.8, ku u miratua plani i zhvillimit të seancave dëgjimore dhe të mbikëqyrjes parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe e përcaktoi grupin e punës që do të ndjekë këtë veprimtari në emër të Komisionit, të përbërë nga deputetë të maxhorancës e opozitës, vendim i cili ka hyrë në fuqi menjëherë, tha deputeti i PS, Pirro Lutaj.

Ai tha se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka nxjerrë shkresën e sigluar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Legjislativ të Kuvendit dhe ka njoftuar Ministrin e Mbrojtjes, zotin Arben Imami për fillimin e procedurave të punës nga ana e këtij Komisioni.

Ditën e premte më datë 29 Qershor, pas kontakteve me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, anëtarët socialistë të Komisionit, u njoftuan se Ministria e Mbrojtjes nuk e pranon këtë Komision që të ushtrojë funksionet e veta Kushtetuese, pa dhënë asnjë arsye lidhur me këtë, tha Lutaj.

Ai shtoi se refuzimi nga ana e Ministrit të Mbrojtjes për të mos lejuar mbikëqyrjen nga ana e përfaqësuesve të legjislativit lë shteg për të dyshuar

Çfarë kërkon të fshehë Ministri i Mbrojtjes? Kush janë motivet e vërteta të kësaj mungese flagrante të transparencës e llogaridhënies? Ndërkohë që opinioni publik përditë bombardohet me lajme alarmante mbi trafikimin e armëve, korrupsionin dhe politizimin e kësaj Ministrie e cila duhet të jetë përfaqësuese dhe simbol i unitetit kombëtar dhe jo strofull e militantëve të partisë në pushtet, tha Lutaj.

Kurse deputeti tjetër i PS, Erion Braçe thotë se arsyeja e këtij refuzimi është një trafik marramendës armësh.

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, konsumoi të premten që shkoi një akt të paprecedent, kur i kërkoi Sali Berishës dhe Jozefina Topallit të ndalin dhe pengojnë një kontroll të plotë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit që niste sot në Ministrinë e Mbrojtjes! Kontrolli demokratik mbi Forcat e Armatosura është një prej parimeve kryesore kushtetuese në demokraci! Atë nuk mund ta garantojë një anëtar i kryesisë së PD, por Kuvendi, opozita mbi te gjitha! Arben Imami e ndali sot këtë kontroll duke i dhënë një grusht të fortë Kushtetutës!

Unë e di pse! Ministria e Mbrojtjes dhe një sërë kompanish të ndyra janë përfshirë në një xhiro marramendëse të tregtisë së armeve duke përfshirë Malin e Zi e Serbinë, por edhe vende të tjera larg nga rajoni. Armë gjithfaresh kanë hyrë e kanë dalë nga Shqipëria! Për këtë duhet transparencë! Për këtë duhet kontroll! Tani!

Dua ti them ministrit Imami se nuk e shpëton dot ndalimi i kontrollit! Maksimumi, qershorin tjetër çdo gjë do të jetë në dritë të diellit! Prej asaj Ministrie! Por kësaj here nuk do të arratisesh! tha Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›