E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Malaj: “Edi Rama t’i përmbahet filozofisë dhe detyrimeve morale, s’duhet të paraqesë kandidaturën në kongresin e 29 gushtit”

TIRANE - Deputeti i Partisë Socialiste të opozitës, Arben Malaj, thotë se po përgatit këto ditë një platformë politike për të konkurruar në kongresin e 29 gushtit për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Arben Malaj thotë se pjesëmarrja aktive e Partisë Socialiste në Parlament është një domosdoshmëri për detyrat dhe përfitimet që Bashkimi Evropian i ka paraqitur Shqipërisë për investime dhe liberalizimin e vizave. Gjithashtu Malaj thotë se, Partia Socialiste, duhet që një nga mësimet e para që do të ketë marrë nga humbjet e saj është kufizimi i që vjen nga brenda. Krijimi i modelit të keq politik, lider absolut me bindjen që do të kishte përgjegjësi absolute për humbjen e zgjedhjeve.

Cili është komenti juaj lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe situatën në Partinë Socialiste pas tyre?
Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, duket se këto zgjedhje do të rezultojnë një shans i humbur për standardet evropiane. Sigurisht që si një parti që respekton shtetin ligjor dhe institucionet, ne do të presim dhe vlerësimin përfundimtarë në OSBE-ODIHR, një vlerësues ndërkombëtar, i cili do të qartësoj përfundimisht edhe qëndrimin e institucioneve ndërkombëtarë për këto zgjedhje. Por kjo nuk na pengon të themi që duke e parë si një sfidë kombëtare, përveç dhe politike, nuk arritëm përfundimisht që të plotësonin disa standarde të cilat duhet të na ndihmonin në sfidat integruese të vendit. Dhe kjo përbën një kosto shtesë për vendin.

Asambleja e fundit krijoi një kohë relativisht të gjatë deri në fund të gushtit kur është thirrur një kongres të Partisë Socialiste...?
Një nga produktet pozitive të Asamblesë Kombëtare, ishte fati që edhe për shkak të një lloj imponimi, publik ne i kemi bërë opinionit mbështetës të Partisë Socialiste, u arrit përfundimisht që të unifikohet një qëndrim që po, që Partia Socialiste e sheh misionin e saj dhe i ka mundësitë e plota për të kontribuar vetëm në institucionet e saj, ku vendi i saj tashmë edhe pse se në një opozitë, ndoshta edhe të pamerituar, është pikërisht në parlamentin e vendit tonë.

Si do ta karakterizonit ju këtë periudhë kohore, si një periudhë reflektimi për rezultatet e zgjedhjeve, apo për një periudhë ku po përgatiten kandidatura të reja për postin e kryetarit?
Unë mendoj që Partia Socialiste, duhet që një nga mësimet e para që do të ketë marrë nga humbjet e saj, është kufizimi i demokracisë së brendshme, krijimi i modelit të keq në politik, i një lideri absolut me bindjen që do të kishte përgjegjësi absolute për humbjen e zgjedhjeve. Ky eksperiment doli i pa suksesshëm dhe ndoshta nuk do të jetë më i vlefshëm, jo vetëm në Partinë Socialiste, por as për partitë e tjera në politikën shqiptare. Unë besoj shumë që Edi Rama ti përmbahet filozofisë së tij, dhe një nga këto do të jetë mos kandidimi i tij, pasi të është prerë mandati për shkak të një humbje. Nuk e shikoj këtë si një sfidë personale, por Rama duhet të mbahet mend si njeriu që solli një përgjegjësi në rastin e humbjes, se sa si njeriu që për interesa dhe solidarit të momentit, do të shkarravit, jo thjesht si një paragraf të statutit por, një filozofi.

Në kongresin e fundit të gushtit midis kandidaturave të tjera do të jeni dhe juve. Çfarë përmban platforma juaj, apo paketa juaj e kandidimit për postin e kryetarit të Partisë Socialiste?
Me një grup kolegësh ekspertë të politikës dhe ekonomisë, unë po punoj për ta paraqitur platformën time në kongresin e 29 gushtit. Sigurisht që modelizimi i forcës politike është shtylla kryesore, unë besoj që prioriteti kryesor i Partisë Socialiste është efikasiteti i saj brenda institucioneve. PS në asnjë mënyrë nuk duhet të mungojnë në parlamentin e vendit të saj, tashmë kur vendi është në sfidën për të plotësuar elementët teknikë të përfitimit të lëvizjes së lirë dhe janë mijëra shqiptarë që e presin. Ne duhet të rrisim efiçensën në parlament nëpërmjet kontrollit parlamentar që qeveria mos ta fshehë më dështimin, që përse shqiptarët mbetën jashtë liberalizimit të vizave. Nuk kërkohet një vendim politik, por kërkohet plotësimi i kushteve teknike, dhe kjo është detyra numër një e opozitës. Por paaftësinë e mazhorancës mund ta nxirë në pah opozita. Vendi është në fazën që duhet të marrë statusin e çështjeve të negociatave që të zërë vend si kandidat në Bashkimin Evropian. Nuk flitet thjeshtë për një fitore politike, por flitet për akses në rritje për të arritur bashkimin evropian dhe fondet e tij për tre element të rëndësishëm: fonde më shumë për të ngritur kapacitetet, pra një shtet ligjor për administratë efikase; fonde më shumë për zhvillim rural të vendit, ka problem pjesa më e madhe e popullsisë dhe prodhohet 22 për qind e asaj që prodhonte ekonomia shqiptare; dhe fonde më shumë për bashkëpunimin ndër-rajonal, sepse ekonomia shqiptare nuk mund të përballojë krizat pa xhiruar mundësinë për tregje të reja. Pra ne nuk duhet ta quajmë fatkeqësi që nuk erdhëm në pushtet dhe po rrimë në opozitë për një mandat të dytë, nuk është e lehtë për mijëra socialistë, nuk është e lehtë kur kjo qeveri abuzon ndaj mbështetësve dhe votuesve tanë, por përballë një fakti që ka ndodhur, ne do të orientojmë nga sfidat e jo nga analizat e së shkuarës dhe mundësisht nga një keqpërdorimit i solidaritetit të Partisë Socialiste, qoftë edhe për interesa kongresuale,  duke i dhënë një imazh krejt ndryshe nga çka Partia Socialiste është në thelbin e saj. PS-ja është një forcë moderne, ka kapital njerëzor shumë të kualifikuar, njerëz me vlera dhe përgjegjësi konkrete të cilët duhen maksimizuar dhe jo të keqpërdoren

Një ditë më parë, edhe Ben Blushi kundër rikandidimit të Edi Ramës

TIRANE - Një ditë më parë, Ben Blushi, në një analizë të situatës së fundit politike në PS, u shpreh kundër rikandidimit të kreut aktual të partisë.
“Nëse më pyesni nëse duhet të rikandidojë apo jo Edi Rama, unë them se nuk duhet ta bëjë, për shkaqe të statutit dhe precedentit të ri që ne kemi që nga 2005-a. Edi Rama po kërkon të bëhet kryetar i PS-së edhe pasi ka humbur zgjedhjet, ndërkohë që nuk e lejon statuti”, u shpreh Blushi.
Ben Blushi parashikon një PS të strukturuar, për të bërë opozitë të frytshme, por pa Edi Ramën në krye. Sipas tij, Partia Socialiste i humbi zgjedhjet, për shkak të dredhive të Edi Ramës dhe tradhtive që ai u faturoi shqiptarëve, duke mos vënë emrin në listën e kandidatëve.
Blushi u shpreh se Edi Rama ishte i përgatitur për t’i humbur zgjedhjet. Po sipas tij, Rama nuk duhet ta marrë mundimin për të rikandiduar më 29 gusht, pa çka se kjo është në kundërshtim edhe me statutin.
Blushi theksoi se Edi Rama u fut në garën elektorale me një program fals, pa strategji, pa ide, vetëm për të humbur. Blushi tha Edi Rama dështoi, sepse iu shmang gjithashtu, edhe ballafaqimeve direkt me Sali Berishën, deri ditën e fundit të fushatës zgjedhore, duke bërë kështu, ndarjen e votës më dysh.
Nëse po lexohet si duhet vota e shqiptarëve më 28 qershor, vota për Partinë Socialiste, Ben Blushi deklaroi se kjo nuk po ndodh dhe se Edi Rama ka krijuar një linjë të tij personale, për të krijuar çdo alibi në mënyrë që të fshehë humbjen dhe të rikandidojë për kreun e PS.
Blushi bëri të ditur midis të tjerave se koalicioni i PS-së, kishte shumë pikëpyetje dhe pasiguri deri ditën e fundit të fushatës elektorale.
Lidhur me një kandidim të mundshëm të tij më 29 gusht, për kreun e PS-së, Blushi u shpreh se ende nuk ka marrë një vendim, por kjo nuk e kushtëzon atë, për t’u marrë me politikë dhe për të provuar vullnetin e tij.
Ai deklaroi më tej, se për një PS konstruktive dhe të besueshme për shqiptarët, nevojiten konsulta dhe projekte që duhen shtrirë në disa linja. Sipas tij, PS duhet larguar nga duart e një individi autokrat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›