“Qeveria shqiptare e sheh me shumë besim marrjen e presidencës së BE-së nga Suedia”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu i dërgon letër ministres së Suedisë për Çështjet Evropiane
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, i ka dërguar një letër përshëndetëse ministres së Suedisë për Çështjet Evropiane, ku “i shpreh urimet më të përzemërta për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga ana e Mbretërisë së Suedisë, si dhe bindjen e plotë në realizimin me sukses të axhendës suaj ambicioze për këtë gjashtëmujor”.
“Qeveria shqiptare e sheh me shumë besim marrjen e kësaj presidence nga ana e Suedisë. Besim që buron nga mundësia reale e shqyrtimit të aplikimit për anëtarësim gjatë kësaj periudhe, e cila lidhet drejtpërdrejtë me arritjet e Shqipërisë si në aspektin, realizimin me sukses të zgjedhjeve parlamentare, ashtu dhe me përmbushjen e detyrimeve që dalin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, për të cilën ishte Parlamenti Suedez ai që e ratifikoi ndër të parët nga vendet anëtare. Është pikërisht ky track rekord i plotësuar ligjërisht dhe teknikisht i cili e bën Shqipërinë si vendin më të përafruar me standardet e BE-së në radhën e vendeve kandidate potenciale të rajonit”, theksohet në letër.
“Një tjetër rastësi fatlume më shtyn të theksoj atë që përmenda më sipër, Procesi i Stabilizim – Asociimit të Ballkanit Perëndimor me BE, filloi pikërisht si iniciativë e presidencës Suedeze me Samitin e Goteborgut 2001. Marrëdhëniet tona dypalëshe kanë një dinamikë shumë pozitive në bazë të së cilës qëndron mirënjohja jonë për kontributin që Suedia ka dhënë gjatë periudhës së tranzicionit në Shqipëri, për konsolidimin e demokracisë dhe sidomos për procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike”, vihet në dukje në letrën e ministres Bregu.
“Duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen e fortë që Suedia i jep politikës së zgjerimit të BE-së, ju garantojmë që nga ana e qeverisë shqiptare janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për përgatitjen e infrastrukturës së reformave dhe kapaciteteve administrative për të përballuar detyrimet që lindin me hyrjen në fuqi të MSA-së, me detyrimet që do të dalin nga marrja e statusit të vendit kandidat si dhe sfidën e ardhshme të përballimit të negociatave për anëtarësim”, përfundon letrën e Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.