E Diel, 1 Nëntor 2026

ILDKP: “Të ndëshkohen Alban Eftimi dhe Arben Biçoku, kanë pasur konflikt interesi, kur dhanë leje ndërtimi”

TIRANE - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), ka bërë të ditur dje zyrtarisht se, pjesëmarrja e Alban Eftimi dhe Arben Biçoku në vendimmarrjet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të bashkisë së Tiranës, përbën konflikt interesi. Jo vetëm kaq, por ILDKP ka kërkuar të merren masa administrative me “gjobë” ndaj dy anëtarëve të KRRT së bashkisë së Tiranës që nuk kanë zgjidhur konfliktin e interesave në mënyrën e duhur ligjore.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ILDKP ka bërë ët ditur dje, se ka evidentuar dy raste konflikti interesi gjatë procesit të vendimmarrjes në Këshillin e Rregullimit të Territorit të bashkisë Tiranë.
“Alban Eftimi dhe Arben Biçoku, në kundërshtim me kërkesat e Ligjit Nr. 9367, të datës 07. 04. 2005 ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’, kanë marrë pjesë (kanë abstenuar) në votimin për dhënie leje ndërtimi për një studio projektimi e një studio ndërtimi, në të cilat gjenden në pozitat e administratorit/ortakut të vetëm dhe të drejtuesit teknik familjarë të tyre”, thuhej në njoftimin zyrtar të ILDKP-ës.
ILDKP, mësohet se ka filluar më datë 07. 04. 2009 hetimin administrativ për konflikt interesi lidhur me procedurat e vendimmarrjes së mbledhjes së datës 22. 03. 2009 të KRRT-së së bashkisë Tiranë mbi bazën e kërkesës të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Po ashtu, bazuar në Vendimin Nr. 252, të datë 15. 05. 2009 të Kuvendit të Shqipërisë “Për miratimin e Raportit Përfundimtar të Komisionit Hetimor për hetimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në bashkinë e Tiranës”, si edhe nga informacionet e të dhënat mediatike, ILDKP, më datë 22. 05. 2009 ka filluar hetimin administrativ për konflikt interesi në lidhje me procedurat e vendimmarrjes në mbledhjen e datës 17. 04. 2009 të KRRT-së së bashkisë Tiranë.
“Në bazë të analizës ligjore lidhur me procedurat e vendimmarrjes në mbledhjet e datës 22. 03. 2009 dhe datës 17. 04. 2009 të KRRT-ës së bashkisë Tiranë, si edhe të deklarimeve të bëra nga dy anëtarët e KRRT-së në ILDKP, u arrit në përfundimin se abstenimi në votimin e kërkesave për leje ndërtimi, i anëtarëve që kanë pasur një interes privat direkt ose indirekt në çështjet e kaluara për votim, nuk e ka zgjidhur konfliktin e interesave. Bazuar nenit 37 pika 3 të Ligjit ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave...’, ‘zyrtari nuk çlirohet nga përgjegjësia e rënies në konflikt interesi, kur masat e marra nga vetë ai nuk rezultojnë të frytshme në parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave’”, sqaron më tej njoftimi zyrtar i ILDKP-ës.
“Në përfundim të hetimit administrativ, ILDKP shprehet se pjesëmarrja e Alban Eftimi dhe Arben Biçoku në vendimmarrjet e sipërcituara përbën konflikt interesi dhe kërkon të merren masa administrative ‘gjobë’ ndaj dy anëtarëve të KRRT-ës së bashkisë së Tiranës që nuk kanë zgjidhur konfliktin e interesave në mënyrën e duhur ligjore, në zbatim të nenit 44/1/dh të Ligjit nr. 9367, datë 07. 04. 2005”, përfundon njoftimi i ILDKP-së.
A. Skura

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›