E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jozefina Topalli përuron disa vepra publike në Qarkun e Shkodrës

“PD-ja e meritoi fitoren, jemi në rrugën e duhur për integrimin në Evropë”

SHKODER – “Partia Demokratike e ka merituar fitoren, jemi në rrugën e duhur ëpr integrimin evropian”.
Kështu është shprehur Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ndërsa përuroi dje në komunën e Bushatit të rrethit Shkodër, disa objekte të  realizuara në infrastrukturën e kësaj zone. Gjatë fjalës së saj ajo ka vënë theksin mbi bashkëqeverisjen me LSI gjatë mandatit të dytë.
“Ende nuk ka negociata me LSI”, ka thënë Topalli e cila ka shtuar se së shpejti priten negocimet.
“Partia Demokratike ka merituara mandatin e dytë, qytetarët e kanë vlerësuar për atë që PD bëri në mandatin e parë. Ka qenë një sfidë e madhe dhe unë jam e bindur që qeveria Berisha 2 do të funksionojë sepse kur Berisha 1 erdhi në pushtet në vitin 2005 situata ishte në vështirësi të madhe duke filluar nga korrupsioni i larë” u shpreh Topalli.
“Populli i dha përgjigjen e fundit PS-së në Ballagat. Si asnjëherë tjetër KQZ voton 7 me 0 rezultatin për të certifikuar zgjedhjet”, tha më tej kryetarja e Kuvendit.
Përurimi i parë në këtë komunë është bërë në rikonstruksionin e aksit rrugor Bushat-Barbullush, me një gjatësi prej 18 kilometrash dhe fond prej 110 milion lekësh akorduar nga qeveria shqiptare, ndërsa përurimi i dytë për ndërtimin e një kompleksi sportiv në qendër të komunës pranë shkollës së mesme të Bushatit, shuma e financimit të të cilit është 115 milion lekë, një pjesë nga të ardhurat e komunës si dhe pjesa tjetër nga kompania austriake Verdbun.
Pasi ka shprehur kënaqësinë që ishte e pranishme në përurimin e këtyre dy objekteve, zonja Topalli, garantoi  komunitetin e kësaj zone se qeveria Shqiptare do të vazhdojë të investojë edhe në mandatin e dytë në këtë komunë edhe në sektorë të tjerë, duke vënë në zbatim edhe projekte të tjerra që janë në zbatim të zhvillimit të kësaj zone. 
Gjatë  mandatit të qeverisë “Berisha 2”, tha Topalli, “nuk do të mbesin rrugë pa ushtruar me asfalt në asnjë komunë, në asnjë fshat të Shqipërisë, kudo që ai të jetë”.
Më pas, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare, zonja Topalli falënderoi banorët e  të gjithë qarkut të Shkodrës, i cili ka qenë prej vitesh dhe vazhdon të jetë një mbështetës i fortë i Partisë Demokratike.
Më pas, ajo theksoi, se, “ne jemi në rrugën e duhur drejt integrimit të Bashkimit Evropian, shumë shpejt shqiptarët do të lëvizin pa viza në Evropë, pasi ndërkombëtarët kanë besim në reformat dhe punën e suksesshme të kësaj qeverisje, e cila ka arritur më tepër se çfarë kishte parashikuar më përpara dhe njëkohësisht do të vazhdojë të përmbushë standardet perëndimore në të gjithë sektorët jetikë të vendit tonë”.
Ndërkohë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka zgjedhur inaugurimin një shkolle në fshatin Kosmac për të shprehur një urim për deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 28 qershorit. Ajo ka shprehur besimin se bashkëpunimi në Parlament për çështjet e mëdha dhe proceset integruese do të forcohet në interes të kombit.
“Shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë urimet më të mira të gjithë deputetëve të zgjedhur dhe atyre  që më  7 shtator  do të ulen për herë të parë në parlament”, u shpreh dje Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në ceremoninë e  fillimit të punimeve të  një shkolle 9-vjeçare në fshatin Kosmac.
“Nuk ka vend më të nderuar, privilegj më të madh sesa të jesh përfaqësues i një kombi dhe të jesh një ndër 140 deputetët e Kuvendit, për të qenë sa më afër vullnetit të asaj që mendojmë, të  asaj që dëshirojnë, kërkojnë dhe mendojnë votuesit tuaj. Rreth 96 për qind e shqiptarëve kanë votuar pro orientimit drejt BE dhe proceseve integruese. Kjo do të thotë që  ne për kalimin e ligjeve integruese, pa dyshim,  do të bashkëpunojmë me opozitën dhe ajo do të bashkëpunojë me ne. Sepse unë besoj që ajo ndjehet përfaqësuese e atyre votave që vijnë nga e majta, që janë një numër i caktuar dhe kanë shprehjen e tyre të vullnetit  për proceset integruese”, shtoi më tej Topalli.
Kryeparlamentarja deklaroi se e sheh me optimizëm parlamentin e ardhshëm dhe në mënyrë të veçantë qeverisjen e ardhshme e cila e parashikon si shumë efiçente, efikase dhe funksionale.
“Më parë më pyetën çfarë mendon për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën që thotë se herë i  njoh dhe herë nuk i njoh zgjedhjet. Shqiptarët bënë kësaj radhe zgjedhjet më të mira. Rezultati i  Ballagatit i cili të kujton Kasharin ku PS-ja u radhit në vendin e katërt  është leksioni më i mirë që i jepet kujtdo që tenton të zgjidhë problemet e tij personale e politike duke cënuar vullnetin e shqiptarëve. Historia e këtyre viteve të fundit është historia e sfidave të jashtëzakonshme, por kësaj radhe ne i fituam të gjitha sfidat. Kemi fituar sfidën e standardeve, kemi fituar  sfidën e zgjedhjeve, kemi fituar sfidën e  anëtarësimit në NATO, që është meritë e jashtëzakonshme e shqiptarëve”, përfundoi Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›