E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Malaj: “Fryma radikale po shkatërron PS-në”

19-06-2011 / Gazeta 55

Në një kohë kur Partia Socialiste kishte lajmëruar mbledhjen e asamblesë kombëtare, deputeti dhe anëtari i kryesisë i kësaj force politike, Arben Malaj, gjen rastin t’i rikthehet akuzave ndaj lidershipit drejtues të PS-së. “Për asnjë arsye dhe për asnjë moment, Partia Socialiste nuk duhet të influencohet apo drejtohet me mentalitet dhe strategji radikalizuese”, shprehet Malaj, përmes një interviste dhënë në një nga të përditshmet.
Duke u ndalur tek vendimet e fundit të Kolegjit Zgjedhor Anëtari i Kryesisë së PS-së, Arben Malaj shprehet se “kur flasim për sistemin gjyqësor, mbajmë parasysh faktin që respektimi i vendimeve të tij është i detyrueshëm”.
Ndaj, çdo analizë e mbingarkuar me emocione politike, partiake, individuale, “pro” ose “kundër” mbi këto vendime institucionale, vetëm ushqen tej zgjatjen dhe acarimin e krizës politike”.
Duke komentuar deklaratat e kryetarit socialist Rama për një ndihmë apo ekspertizë ligjore nga ndërkombëtarët, Malaj thekson se angazhimi i ndërkombëtarëve për anulimin e një vendimi gjyqësor është praktikisht i pamundur dhe cenon kredibilitetin e dyanshëm. “Demokracia në vendet e tyre mbështetet në ndarjen e pushteteve dhe respektimin e vendimeve gjyqësore. Në momentet kritike të krizave politike politikë-bërja ndërkombëtare ka kërkuar zgjidhjen te gjyqësori dhe ka ditur të respektojë vendimet e tij.
Është pikërisht kjo arsyeja themelore përse demokracia është më solide dhe funksionale në civilizimet ku është arritur “de jure” dhe “de facto” ndarja dhe balancimi i pushteteve”, tha ai.
Për Malaj, asistenca e Komisionit të Venecias do të jetë e dobishme për të qartësuar mundësitë përmirësuese të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore
Duke u ndalur në situatën pas-zgjedhore, Malaj vlerëson se PS-ja do të nevojitet të riorientojë strategjinë dhe taktikat e zhvillimit të politikës nga ana e saj, veçanërisht duke iu larguar mjeteve politike të paefektshme apo që kanë provuar se nuk sjellin rezultat apo produkt publik e duke u fokusuar më mirë në pasqyrimin dhe mbrojtjen e interesave themelore të shtresave e grupeve shoqërore që përfaqëson.
“Duhet parandaluar përsëritja ciklike e metodave dhe mjeteve të luftës politike që ‘lodhin’ elektoratin dhe zbehin angazhimin e tij. Kriza e tejzgjatur dhe dështimet në integrimin europian të vendit imponojnë një fazë të re e moderne të të bërit politikë, imponojnë reforma konkrete në modernizimin e partive politike, si parakusht për modernizimin e mbarë shoqërisë shqiptare. Publikisht qartësoj se, ashtu si deri më sot, jam kategorikisht kundër radikalizmit të forcës sonë politike, jam kundër bojkotit, braktisjes apo sulmeve ndaj institucioneve publike, jam kundër opozitës me tymin e zi të gomave të djegura apo bllokimit të rrugëve kombëtare”, pohon Malaj.
Lidhur me mospjesëmarrjen e tij në delegacionin shqiptar për takimin në kuadër të Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Malaj sqaron se “takimi i fundit ishte dështimi ynë i përsëritur, i kërkojmë Europës së Bashkuar të hapë dyert e saj për ne, dhe e detyrojmë BE-në të mbyllë dyert e takimeve të përbashkëta ku diskutohet për integrimin tonë”.
Në kushtet kur PS-ja nuk kërkoi një diskutim në Parlamentin tonë, në kushtet kur PS-ja nuk paraqiti një ofertë politike në Shqipëri dhe pastaj edhe në Bruksel, nuk mund të isha pjesë e përfaqësimit të vendit tim dhe Partisë Socialiste në takimin e radhës”.
Duke përfunduar, anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, nënvizon me force se Partia Socialiste nuk duhet të influencohet apo drejtohet me mentalitet dhe strategji radikalizuese. Sipas tij, tranzicioni ynë ka shumë momente kritike, ku radikalizmi i jetës politike vetëm na ka penguar dhe na ka rritur kostot sociale.
Pas krizës aktuale të vendit dhe përballë sfidave historike të tij, Partia Socialiste duhet të përfaqësojë shpresën e së ardhmes dhe duhet të përmbushë në çdo mandat politik të saj shpresat për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›