E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Nga këngëtari librazhdiot për xhaxhin Enver tek zhurmaxhiu me pagesë për Edvinin

19-06-2011 / Nga Ardian Roshniku

Cikli “Portrete deputetësh”


Më 17 Korrik 1977, me urdhër të Partisë së Punës, do të pushkatoheshin barbarisht, dy poetë, Vilson Blloshmi e Genc Leka, për poezitë kushtuar lirisë, në Përroin e Firarit, poshtë malit të Zgarës, disa kilometra larg Librazhdit.


Ndër të tjera nga dokumentet del se ata humbën jetën edhe nga ekspertiza e poetes së realizmit socialist Diana Çuli, më pas deputete e PS në Kuvendin e Shqipërisë.


10 vjet më vonë në Festivalin e Gjirokastrës, një djalë me emrin Taulant Balla, deputeti i ardhshëm i PS, hidhej e përdridhej para grupit të këngëtarëve, veshur me kostume kombëtare, me këngën plot gëzim “Karafilat e Librazhdit për xhaxhin Enver”, pas përgatitjeve të ethshme në Vatrën e Kulturës.


Por “xhaxhi“ i gdhendur në mermer, pas bëmave vrastare, ulur mendueshëm mbi shkëmb në mes të Gjirokastrës, as shihte, as dëgjonte deri sa e shkulën nga vendi. Shumëkush e njeh Taulant Ballën, këtë talent  provincial, i lindur për kallzime fshati, shpifje e intriga i cili më pas meritoi rolin e aktorit në Tiranë, për merita të veçanta vigjilence. Nëse Taulanti do të kish lindur 335 vjet para Krishtit, ndoshta do të përmendej në histori si mbreti i madh yllirian i taulantëve me pallë sheshit dhe jo këngëtar me lavde për mbretër, as valltar skenash folklorike në kështjellën e lashtë të Argjirosë.


Në një kohë të papërshtatshme për dasmë, në gusht të vitit  2008, e shohim te “Xibraku”, si deputet të premtimeve “sociale” e dhëndër përbri nuses moderne. Një dasmë e madhe, në te cilën morën pjesë familjarët me dhurata, pas koktejlit në Hotel Tirana. Zërat e përhapur nga mediat folën për para të dyshimta apo të pista nga afera lushnjare apo drogë Librazhdi. Foli edhe shuma e shpenzuar në këtë ceremoni, që llogaritet në rreth 1 milion lekë te reja.


Për habi, çifti “Balla” ka disa veçori befasuese me çiftin “Braçe”. Dy dhendurë, njëri buçkan e tjetri hollaq. Dy nuse, njëra më e shkurtër se dhëndri, tjetra më e gjatë. Njëri këngëtar e tjetri fatorino autobusi pa bileta. Dy deputetë, të dy sherrxhinj e shpifarakë, të dy mafiozë, me një ndryshim, i pari, nga nahija e Librazhdit, i dyti, nga nahija e Beratit, veçse veshur e ngjeshur për bukuri, me kravatat lidhur hijshëm në grykë. Në rolin e aktorit, deputeti Taulant shquhet sidomos për gjuhën e pasur, paksa gagaçe,  por të rreptë, me shprehjet plot art: “u bo s’u bo”, “ do me u bërë”, “do u bërë”, “ej, more ti” e plot si këto.


Deputeti Taulant megjithëse s’është parë në ndonjë gazetë sportive për aftësi në atletikë, ia kaloi çdo atleti në kërcim së larti mbi kokat e policëve para KQZ. Deputeti shtatshkurtër socialist Taulant Balla, i vetëquajturi Palla për shumë arsye, duket e zhduket nga salla e Kuvendit. Për vendosjen e tij në listën e deputetëve fitues, sipas bejtes së njohur vlonjate, “me zor vanë e më vunë”, një meritë të veçantë ka ish-piktori e ish-kryebashkiaku Edvin Kristaq Rama, edhe ai jashtë sallës. Tashmë këtë deputet, i cili ka harruar udhën që të çon në Kuvend, kryetari Rama nga vargu i deputetëve me përvojë të gjatë, e ka përzgjedhur si më të mirin e të mirëve, edhe për bisedime ndërkombëtare.


Pra, bash aktorin më në zë, për bredhje nëpër rrugë, prehje nëpër çadrat e sallamngrënësve, shpesh portier në ndërtesën e PS për fotoreporterët. Shumë vetë janë në dijeni edhe për bëmat e dështuara të Taulant Ballës pas shpinës së Edvin Ramës e sigurimsit Gramoz Ruçi në të ashtuquajturën “protestë e madhe” para selisë së OSBE në Athinë kundër përparimeve në Shqipëri. Ja pra, për cilët kandidatë hidhet - si kova në pus - vota e qytetarëve të mashtruar nga shpifjet, gënjeshtrat e premtimet boshe pa asnjë program. 


Sado me tym e pluhur ta mbushin ajrin, Ramat e Ruçët, apo të hidhen përpjetë Ballat e Braçet, sado të thurin intriga e aventura qesharake me rrëmbime ala Kavaje, apo me bllokim rrugësh deri në afërsi të Librazhdit, Shqipëria po ndryshon, Aleanca për Qytetarin, çan përpara drejt Europës nëpër autostrada, ura vigane e tunele, me hidrocentrale, shkolla, turizëm,  stadiume, ferma me ullinj, arra etj. Shpirti i shenjtë i poetëve martirë Vilsoni e Genci, endet i lirë nëpër fushat e malet e Shqipërisë demokratike.


Dëgjohet zëri i përmallshëm i Vilsonit: “Gjatë ditëve të kthjellëta shoh shpesh hijen time - Që zgjatet  nëpër mbrëmje, që zgjatet në agime…”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›