Thagma e Kryesocialistit: Rruga e protestave i “çel” derën integrimit europian të Shqipërisë!
Asambleja Socialiste, Rama pranon humbjen në zgjedhje, por s’jep shenja nëse do marrë përgjegjësitë e kësaj disfate
Partia Socialiste mblodhi dje paradite Asamblenë kombëtare të saj, për riorganizimin e aksionit politik, pas zgjedhjeve vendore të 8 majit si dhe formatimin e strukturave të saj. Sipas parashikimeve, asambleja do të përjashtonte dy deputetët “rebelë” Andis Harasani dhe Kastriot Islami. “Gijotinës” së përjashtimit dhe përndjekjes politike s’do i shpëtonin as deputetët Fatmir Xhafa dhe Besnik Bare. Por asambleja nuk doli me një vendim zyrtar lidhur me formatimin e sekretariatit edhe pse s’përjashtohet mundësia që kjo t’i lihet një momenti tjetër. Ajo që vlen të theksohet se takimi i djeshëm i thërritur me urgjencë nga Edi Rama nuk i shërbeu as aksionit politik dhe as formatimit të strukturave të PS.
Kuptueshëm, pozitat jo favorizuese dhe kompleksimi politik i Edi Ramës, pas humbjes së bashkisë së Tiranës, e bëjnë atë të pafuqishëm të organizojë reprezaljet në parti. Përmes një fjalimi të gjatë dhe të mbushur me tonalitete dëshpërimi, për humbjen e 8 majit, Rama pranoi se partia e tij doli “duar bosh” nga ky proces elektoral, ndërsa për asnjë moment nuk i atashoi vetes përgjegjësitë e kësaj disfate.
Duke fajësuar herë “socialistët e papërgjegjshëm” dhe herë pushtetin, i cili sipas tij i “vodhi” fitoren PS-së, Edi Rama paralajmëroi se aksioni politik i radhës i opozitës do jenë protestat. Rruga e protestave sipas tij, është i vetmi moment kulmor për t’i “hapur” rrugën Shqipërisë drejt BE-së.
Por, ky absurditet i qartë i kryetarit të socialistëve dhe sikleti i pashmangshëm që e bashkëshoqëron që prej humbjes së zgjedhjeve vendore të 8 majit, pas atyre parlamentare të dy viteve më parë, arrin kulmin kur Edi Rama nuk përmend për asnjë moment se cilat ishin arsyet e dështimit të Partisë Socialiste në Tiranë, ku tkurrja elektorale u pa nga të gjithë.
PS humbi 4 minibashki dhe përkthimi i rezultatit të 4 viteve më parë ku diferenca mes PD dhe PS ishte 3-8 minibashki, u përmbys në 7-4. Kuptohet, humbja në tërësinë territoriale të qytetit të Tiranës, është padyshim humbje e bashkisë së Tiranës.
Edi Rama e di shumë mirë këtë formulë të thjeshtë, ndaj edhe, mbledhjen e asamblesë e afroi në një datë të tillë ku, KQZ ende s’ka nxjerrë rezultatin përfundimtar elektoral...edhe pse mund të thuhet se vula zgjedhore Tiranës ka marrë rrugën e certifikimit me shpalljen e Lulzim Bashës fitues të saj.
...