E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Malaj Kongresi i PS-se u shfrytezua nga Rama per nje vale spastrimesh te qellimshme

 Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste Arben Malaj, thotë hapur se Kongresi i fundit i forcës politike ku militon, u shfrytëzua nga lidershipi socialist, të ndërmarrë një valë spastrimesh, tërësisht të qëllimshme.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Malaj, thotë se u Kongresi nuk synoi bashkimin e vlerave, por goditjen ndaj atyre që guxojnë të kritikojnë komandantin.

“Kongresi i PS nuk synoi bashkimin në bazë të vlerave dhe meritokracisë, por thelloi spastrimin ndaj kujtdo që guxoi të kritikojë komandantin. U sulmua keq ish-Presidenti Meidani, modeli i politikanit plot përkushtim dhe integritet në mandatet politike. U përdor pjesa e parë e fjalimit për të etiketuar armik dhe në prehrin e Berishës këdo që kritikon komandantin, u hezitua të deklarohej mirënjohja për çdo socialist, duke filluar nga themeluesit dhe modernizuesit e PS. U nxorën jashtë Asamblesë Kombëtare socialistet e përkushtuara, si: Saimira, Edlira, Eva, Raimonda.

U përzgjodhën me “shumë kujdes” delegatët e Kongresit dhe nuk u zhvilluan zgjedhjet përpara Kongresit në disa nga qytetet kryesore të vendit. U përjashtuan nga çdo mundësi konkurrimi dhe promovimi të rinjtë që morën pjesë në takimet tona publike. Vazhdon mentaliteti i karrierës bazuar tek preferencat individuale dhe është dëmtuar meritokracia në PS.

U pengua për 6 vjet vetorganizimi i rinisë dhe i gruas socialiste dhe vazhdohet të kontrollohet me komandim çdo promovim për të (pa)dëshiruarit. Këto janë problemet reale të PS-së, ndaj të cilave në qoftë se heshtim sot, do të kemi vështirësi për të fituar dhe për të mirëqeverisur në të ardhmen. Partitë e shokëve dhe miqve, partitë e liderëve populistë i dëmtuan rëndë socialistët hungarezë dhe ata spanjollë. PS duhet të mësojë nga gabimet e aleatëve të saj në të majtën progresiste europiane”, pohon ai.

Arben Malaj, drejtues i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, prej kohësh ka nisur një fushatë, përmes së cilës synon modernizimin e partisë.

Në këtë intervistë ai premton se ky proces do të vazhdojë dhe se nuk do të joshet asnjëherë nga oferta për ofiqe të larta në hierarkinë partiake.

“Ky është një proces e do të vazhdojë. Angazhimin qytetar për atë që duhet të bëjmë më mirë në PS dhe në vendin tonë, nuk do ta ndal dhe nuk do ta shkëmbej me asnjë karrige në Kryesi apo në forume të tjera partiake. Debati nuk është një grindje individësh brenda PS-së, por një mundësi bashkëpunimi midis politikës në shërbim të jetës së përditshme të çdo shqiptari. Vitet e fundit po krijohen aristokratët e rinj, jo me pushtet të trashëguar, por të vjedhur nga mandatet politike të votuesve shqiptarë. Po krijohen agallarët e rinj që sapo marrin një post politik, mbahen fort me kthetra pas tyre, edhe pse qeverisja e vendit bëhet më e keqe”, deklaron ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›