E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Malaj: Majko hesht kur duhet të flasë dhe flet kur moralisht duhet të heshtë

Ndjesë , është një komunikim pa televizor me kolegun Majko që hesht kur duhet të flasi dhe flet kur moralisht duhet të heshti.

I dashur Majko,

Mirënjohja mbetet vlera njerëzore që prindërit e mi na edukuan çdo ditë të jetës së tyre, ndaj cdo pjesëtar i familjes time e ruan te shenjte edhe ndaj PS-se. Si gjithmonë të afërmit e mi, miqtë e mi dhe mbështetësit e mi do të punojnë me përkushtim për fitoren e PS dhe te opozitës. Cilido koleg socialist në liste apo jo, që e meriton të përfaqësojë PS në Kuvendin e ardhshëm do të ketë mbështetje maksimale.

Besoj edhe ti me zemër dhe jo përball kamerave televizorëve apo përballë kryetarit - në Berat mbështet Flamurin, në Lezhë Agustinin, dy ish kryetarët e PS dhe socialistë të sprovuar në betejat e përbashkëta politike. Mbështetja e cdo socialisti qe është në listat e aleateve nuk con asnjë votë tek PD dhe i bën nder PS-së, pasi do të rritet cilësia e përfaqësimit edhe njerëzore në Parlamentin e ardhshëm.

I dashur Majko, shumë miqësisht ju këshilloj përdoreni cdo sekond të kohës suaj (si njëshi i listës së Tiranës dhe përgjegjës për suksesin e gjysmës së saj), për fitoren tonë të përbashkët.

Vlora – qyteti i pavarësisë, më shumë se deputetët e emëruar të Kryetarit meriton të ketë përfaqësuesit e vet, që në dy dekadat e fundit i kanë shërbyer plot dashuri dhe përkushtim komunitetit vlonjat, sarandiot, delvinjot dhe vendit tonë në tërësi. Me mandatin tim të merituar me votat nga populli i qarkut të Vlorës, fitorja jonë bëhet më e madhe, më cilësore dhe padyshim edhe më e sigurtë.

Është fisnike t’i shërbesh vendit tënd dhe PS edhe duke qenë jashtë listave personale të imponuara ndaj jush dhe të miratuara kokëulur dhe buzagaz nga “anëtarët e kryesisë”.

Kam shpresuar se duke heshtur kur duhet të flisnit, ju nuk do të flisnit kur duhet të heshtni kundër kolegëve tuaj edhe sikur kjo t’ju kërkohej me votim “unanim” të kryesisë.

I dashur Majko, qëndrimi im kundër për ndryshimet Kushtetuese në 2008, debatet në forumet e PS për cilësinë e listave në 2009, kërkesat edhe publike për ndërprerjen e bojkotit, për riorganizmin e FRESSH dhe FGS, kërkesa këmbëngulëse për konsensus për votimin e tre ligjeve pro integrimit Europian të vendit, nuk janë gara fasadash mediatike, por përgjegjshmëri qytetare e politike për të ardhmen tonë.

Tani ne jemi në një garë jetike për fatet e vendit tonë, jo për fatin personal të asnjë individi. Tirana ka një sfidë jo të lehtë, drejtuesi dhe ekipi i Tiranës po ashtu. Kjo garë nuk fitohet duke mbajtur gjallë sherrnajën, por duke maksimizuar kontributet dhe angazhimin për fitoren.

Të afërmit dhe mbështetësit e mi nuk kanë marrëdhënie klienteliste me PS, aty ata kanë dashurinë dhe përkushtimin mirënjohës. Ata do të punojnë për fitoren e PS-se në Tiranë, Vlorë, Sarandë, Delvinë dhe në mbarë Shqipërinë. Ata do të mbështesin kudo më të mirët e opozitës edhe ata qe nuk janë në “listën unanime” të kryesisë. Kontributi i tyre do të jetë i qartë, i vendosur dhe i suksesshëm.

Dua të besoj se edhe ju nuk do të frikeni të kërkoni që Vlora të votojë deputetin e saj, socialistin e pavarur dhe të djathtët të votojnë FRD-ne. Kështu fitorja jonë rritet dhe bëhet më cilësore.

23 Qershori duhet të jetë dita e ndaljes së keq-qeverisjes Berisha, angazhimi juaj që ushqeni “luftën brenda llojit“, është tërësisht I gabuar. “Uthulla e fortë thyen enën e vetë “ thotë populli i mençur shqiptarë. Hakmarrjet personale nuk më dëmtojnë dot në këtë garë fisnike, qe ne thelbin e saj është një detyrim fisnik ndaj të rinjve të vendit tim. Ata duhet të rriten me model integriteti dhe jo servilizmi, duhet të kenë guxim të flasin dhe jo të heshtin deri në nënshtrim.

I dashur Majko, kundërshtari ynë politik është Berisha, ai nuk arriti kurrë të më nxjerrë nga parlamenti, ju siguroj qe as disa nga ju, jo vetëm me heshtjen tuaj nuk do të arrini dot.

Fuqia e dinjitetit dhe integritetit njerëzor, fuqia e dashurisë dhe mirënjohjes për njerëzit është shumë më e madhe se fuqia e cdo pushteti tjetër, sa do i madh dhe abuziv të jetë përkohësisht ai.

Ju garantoj që do ta mund Berishën sërish. Do ta mundim ballë për ballë nga qyteti i Pavarësisë. Mandati im do ti shërbejë vetëm të ardhmes më të mirë të Vlorës dhe Shqipërisë Europiane.

Sinqerisht Ju uroj suksese !
Beni 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›