Arben Malaj: Nga mendimi ndryshe, në veprimin ndryshe
Partia Socialiste pritet të përballet me një problem të madh brenda grupit të saj parlamentar, një problem që është sa politik dhe statutor. Të pestë deputetët që kanë dalë tashmë kundër linjës politike që po ndjek partia, siç është bojkoti i Kuvendit dhe i zgjedhjeve të pjesshme vendore, pritet të hyjnë në Kuvend, duke e thyer vendimin e marrë nga kreu i partisë, Edi Rama dhe forumet e tjera. Arben Malaj, një nga drejtuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS ka konfirmuar dje që kjo lëvizje do të kalojë në fazën e veprimit ndryshe, duke paralajmëruar futjen në Parlament për vendimmarrje të rëndësishme që kanë të bëjnë me interesat e vendit. Malaj duke folur për televizionin “Ora News” tha dje se “përveç mendimit ndryshe, kjo lëvizje mund të organizojë dhe veprimin ndryshe duke u futur në Kuvend dhe të bëhet kështu pjesë e vendimmarrjeve më të rëndësishme për vendin”. Ai nuk ka përcaktuar se cilat janë këto vendimmarrje, por sigurisht bëhet fjalë për vendimmarrjet që kanë të bëjnë me integrimin e vendit në BE dhe liberalizimin e vizave. Edhe më parë këta deputetë që janë kundër bojkotit, por e kanë respektuar atë për shkak të statutit të partisë që është i ashpër në raste të kundërta, e kishin paralajmëruar një veprim të tillë, por pa e bërë realitet. Kësisoj ata do të bëjnë një provokim të hapur ndaj Ramës, nëse ai do të ndërmarrë masa statutore duke i përjashtuar nga partia. Këta deputetë dhe anëtarët e tjerë të forumeve të partisë që bëjnë pjesë në lëvizje e kanë akuzuar Ramën për frymë përjashtuese. Malaj ka shprehur keqardhje dhe për vendimin më të ri të marrë nga Rama dhe forumet e kontrolluara nga ai për bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme në 5 njësi vendore. Sipas anëtarit të kryesisë dhe një nga figurat më të vjetra të partisë, një veprim i tillë është veçse një kosto e lartë për PS-në. “Pjesa elektorale që nuk përfaqësohet në këtë garë do të krijojë vështirësi për të ngritur një besim”, - tha Malaj duke nënkuptuar se PS ka tradhtuar elektoratin e saj në këtë mënyrë. Ai dhe kolegët e tij e kundërshtuan Ramën dhe në kryesinë e fundit, duke i bërë të qartë se kjo rrugë është e gabuar, pasi nëse PS kërkon të tregojë se ka qenë forcë fituese në zgjedhjet e fundit, është pikërisht momenti për ta bërë këtë, duke u futur në zgjedhje dhe duke fituar. Debati për marrëveshjen Shqipëri-Greqi për kufijtë detarë, gjithashtu është prekur dje nga deputeti Malaj, i cili i ka cilësuar një show politik deklaratat e opozitës. Ai tha se duhet një debat dhe diskutim në rang ekspertësh mes mazhorancës dhe opozitës.
KQZ, afat PS-së deri të hënën
Gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së, Ristani i bëri thirrje partive politike të opozitës të zbatojnë detyrimin ligjor, duke lënë afatin e fundit të hënën e ardhshme. Kodi Zgjedhor parashikon që KZAZ-të përbëhen nga 7 anëtarë, nga të cilët 2 do t’i ketë PD, 2 PS, 1 LSI dhe 1 PBDNJ, ndërsa kryetari zgjidhet me short midis PD e PS. Sipas kodit, në rast se partitë nuk e ushtrojnë të drejtën për të paraqitur kandidaturat në afatin e përcaktuar, atëherë kjo e drejtë u takon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend, pas të parave. Në rastin konkret, kur PS nuk i ka dorëzuar ende kandidaturat, i takon PBDNJ-së të ushtrojë këtë të drejtë.