E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli i Shtërpcës

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit ofrojnë një mundësi të rëndësishme për serbët e Kosovës që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të shtyjnë përpara decentralizimin, nëse nuk e marrin parasysh thirrjen e Beogradit për bojkot, thuhet në analizën Shtërpca, model i enklavave serbe, të më të re të grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG).

ICG kësaj here është përqendruar në komunën e Shtërpcës, një nga enklavat më të mëdha serbe në jug të Kosovës, për të demonstruar se si mund ti mbrojë komuniteti serb interesat e veta brenda sistemimit kushtetues të Kosovës. Marrëdhëniet e mira fqinjësore në Shtërpce i kanë mbijetuar luftës, dhe zonat e skijimit dhe pushimit në Brezovicë ofrojnë potencial të mirëfilltë ekonomik.

Por, si në pjesët tjera të vendit, mosbesimi i serbëve lokalë në institucionet kosovare është rritur që nga shpallja e pavarësisë. Beogradi ka stimuluar pakënaqësinë e tyre duke themeluar një regjim komunal paralel që nga maji i vitit 2008. Deri më tani Qeveria e Kosovës ka refuzuar ti japë Shtërpcës kompetenca të shtuara komunale që parashihet me planin e Ahtisaarit. Tani Shtërpce rrezikon të bëhet viktimë e kundërthënieve mes Beogradit dhe Prishtinës rreth statusit të Kosovës, nëse zgjedhjet e nëntorit nuk i japin asaj një pushtet legjitim komunal.

Shtërpca i ofron Kosovës shpresën më të mirë për themelimin e një komune prosperuese me shumicë serbe, ka thënë Marko Prelec, Drejtor i Projektit të ICGsë për Ballkanin. Beogradi, Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të inkurajojnë votimin dhe pastaj pushteti komunal të pajiset me kompetenca të zgjeruara dhe resurset të cilat i nevojiten.

Prospekti ekonomik i Shtërpcës dhe marrëdhëniet e mira mes serbëve dhe shqiptarëve janë rrezikuar nga situata që mbretëron që nga vitit 2008. Komuna udhëhiqet nga dy autoritete serbe rivale: një zyrtar i Qeverisë i emëruar, dhe regjimi paralel i zgjedhur në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe rezolutën 1244. Edhe pse serbët lokalë janë udhëzuar nga Beogradi që të bashkëpunojnë me pushtetin komunal paralel, ai ofron pak përfitime dhe gjithnjë e më shumë është i parëndësishëm për jetën e tyre të përditshme. Serbia nuk është në gjendje të ofrojë shërbime të mëdha në enklavat jugore siç është Shtërpce.

Qeveria e Serbisë duhet të ndërpresë përkrahjen për institucionet paralele dhe duhet ti inkurajojë serbët lokalë që të votojnë më 15 nëntor. Faktori ndërkombëtar dhe Prishtina duhet ti sqarojnë përparësitë konkrete të votimit, dhe ti sigurojnë serbët se lidhjet e tyre me Beogradin nuk do të rrezikohen. Sidoqoftë, nëse serbët bojkotojnë zgjedhjet, atëherë pas konsultimeve me liderët të komunitetit serb, nevojitet emërimi ekzekutiv për të themeluar një pushtet kredibil të udhëhequr nga serbët.

Pushteti i ri komunal do të përballet me sfida të mëdha siç është privatizimi i qendrës profitabile të skijimit në Brezovicë, që është gurthemel për zhvillim ekonomik rajonal, si dhe rregullimin e ndërtimeve të shumta ilegale në tokën më të mirë të parkut nacional. Ajo do të jetë në gjendje ta bëjë të parëndësishme pushtetin paralel serb vetëm nëse është në gjendje të zgjidhë këto probleme.

Tejkalimi i mosbesimit të serbëve mund të bëhet vetëm përmes përfitimeve të prekshme në jetën e përditshme; pushtet i përgjegjshëm lokal, shërbime komunale dhe rritje ekonomike, ka thënë Sabine Freizer, drejtoresh e Programit të ICGsë për Europë.

Në rast se numri i serbëve të Shtërpcës që marrin pjesë në votimet e 15 nëntorit është i vogël, Grupi Ndërkombëtar i Krizave i rekomandon Ministrisë së Pushtetit Lokal që të emërojë një serb për kryetar të komunës, ndërkaq anëtarët e asamblesë nga lista e kandidatëve të regjistruar për zgjedhje serbë dhe shqiptar. Kjo do ti ofronte Shtërpcës një pushtet të mirëfilltë përfaqësues, thotë ICG, duke vlerësuar se progresi në Shtërpce ka të ngjarë të ketë ndikim përshpejtues në procesin e decentralizimit anekënd Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›