Arben Malaj ankohet tek Berisha për gazetën TemA
Një gazetë e Berishës, që është në dispozicion të Arben Malajt, kishte botuar një lajm sipas të cilit zoti Malaj paska dërguar një përgënjeshtrim në gazetën tonë rreth artikullit të zotit Baze Bujar Leskaj, njeriu me letrat në rregull dhe gazeta nuk ia ka botuar.
Së pari, duam të sqarojmë se zoti Malaj nuk ka dërguar asnjë e-mail në redaksinë e gazetës dhe kjo mund të verifikohet lehtësisht.
Së dyti, me sa pamë, zoti Malaj më qejf ka të ankohet tek Berisha, që janë të dy bashkëvuajtës nga shtypi kritik, se sa të sqarojë ndonjë pasaktësi në shkrimin që pretendon të jetë i pasaktë.
Në shkrimin në fjalë, zoti Malaj përmendet në kontekstin që ka emëruar dhe pushuar nga puna Bujar Leskaj si nëndrejtor i Përgjithshëm i Doganave në vitin 1997 dhe se të dy kanë qenë nën influencën e dy grupeve kriminale që vepronin në Vlorë. Në sqarimin e tij plot me shpifje të pacipa, pranon të njëjtën gjë dhe nuk e kuptojmë se ku qëndron pasaktësia.
Ja pjesa që ka shqetësuar zotin Malaj në gazetën Tema
…Trazirat e vitit 1997 e gjetën Leskajn në krye të doganës së Vlorës, dhe e lidhën atë fort me një pjesë të grupeve të armatosura që vepronin në qytet, kryesisht kundërshtarë të Zani Çaushit. Qeveria e re e Pajtimit Kombëtar e bëri Arben Malajn Ministër të Financave dhe emërimi i tij i parë ishte ngritja e Leskajt në postin e Nëndrejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Tashmë ai kishte marrë një hije të plotë si zyrtar socialist. Si një bashkëpronar i Ledi Dajanës, e cila në atë kohë ishte selia paralele e Partisë Socialiste, dhe si një ofiqar i lartë doganash nën kontrollin e socialistëve, ai dukej se ishte në rrugë të mbarë për karrierë në atë parti. Por Vlora ka gjithmonë të papritura. Grupet rivale në Vlorë, sidomos beteja mes atyre që quheshin kundërshtarë të Zanit, ku futeshin personazhe me nofka të çuditshme si Kakami apo Gaxhai dhe Zanit, po shkonte në ekstrem. Kishte të vrarë mes tyre, pengje, ekzekutime makabër. Arben Malaj po futej përditë e më shumë nën ndikimin e grupit të pushtetit, tender që në Vlorë dukej se e kishte fituar Zani Çaushi. I pafuqishëm për të marrë të gjitha vendimet vetë, ai detyrohet të pushojë në fund të verës Bujar Leskajn nga detyra me arsyetimin nën zë se ishte pjesë e miqësisë me kundërshtarë të Zani Çaushit. Por kjo jo me letra. Me letra kishte arsye për realizime e mosrealizime të ardhurash në një kohë që shteti ishte han me 7 porta.
Këtu filloi dhe prishja e tij e madhe me Arben Malajn, i cili ishte tashmë yll në ngjitje i socialistëve. Shtypi i atëhershëm e lakoi emrin e tij si të lidhur me Zani Çaushin në dërgimin e anijes Katër Radat në Itali, që u mbyt në Otranto, por dukej se ai nuk kishte gisht në atë organizim përveç faktit që emrin e tij mund ta kenë përdorur lirshëm banditët që nisën anijen. Po ashtu një histori me makinën e tij në një vrasje në Rrogozhinë, u sqarua si ngatërresë në një garazh riparimesh. Ishte kohë e vështirë të ndaje veten nga bandat e armatosura nëse do të ishe politikan nga Vlora dhe dy njerëz që kishin nisur karrierën në ato ditë, Bujar Leskaj dhe Arben Malaj, po merrnin rrugë të ndryshme, jo aq me dëshirën e tyre se sa me pafuqinë e tyre….
Me gjeresishte artikulli gjendet ne kete link:
http://www.gazetatema.net/web/2011/11/19/bujar-leskaj-njeriu-me-letrat-ne-rregull/
Siç shihet, për korrektesë autori nuk e ka legjitimuar faktin që Zani Çaushi dhe Arben Malaj kanë nisur anijen që u mbyt në Otranto dhe as e ka akuzuar atë për vrasjen në Rrogozhinë, edhe pse makina e tij u bë pjesë e ngjarjes. Thjesht kemi vizatuar kohën për të cilën flasim. Nëse zotin Malaj e vret ndërgjegjja për ndonjë vrasje, apo privatizim të turpshëm në postin e tij si Ministër me elementë kriminalë, le të shkojë të rrëfehet tek drejtësia, jo tek gazetat e Berishës, që i tregojnë letrat në darkë dhe e bëjnë të vajtojë me zë të hollë në mëngjes.