Arben Malaj dështon me mandatin në Vlorë, uron të majtën për fitoren
Ish ministri i Financave apel qeverisë së re për reformat ekonomike
Me gjithë simpatinë e fituar nga populli vlonjat Arben Malaj nuk ka mundur të sigurojë një mandat si kandidat i pavarur në këtë qark, edhe pse nuk doli keq me votat e grumbulluara. Ai mundi të merrte mbi 3 mijë vota, ndërkohë që i duhej të kapte pragun e të paktën 8 mijë votave për tu shpallur deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Deklarata
Kështu kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës, Arben Malaj, pasi ka dështuar të marrë mandatin, i vetëm pa ndihmën e Fatos Nanos, ashtu siç iu premtua gjatë fushatës, ka dalë dje me një deklaratë për shtyp duke uruar koalicionin e majtë për fitoren, pavarësisht zhgënjimit të tij personal. Në ndjekje të rezultateve të marra deri tani nga procesi i numërimit, ne vlerësojmë se nuk ka përputhje të tyre me pritshmëritë tona dhe të votuesve tanë. Zhgënjimi më i madh në këto zgjedhje nuk është rezultati ynë, por frika që konstatuam gjatë fushatës elektorale. Frikë nga pasiguria për të ardhmen, frikë nga presionet e administratës, frikë nga presionet për vendin e punës apo biznesin. Asnjë popull nuk mund të përparojë dhe zhvillohet pa vrarë frikën. Frika dhe populizmi me taksat e shpenzimet buxhetore, do të jenë dy pengesat më të mëdha pas zgjedhjeve, deklaroi Malaj ditën e djeshme.
Urimi
Po sipas tij fushata negative, presionet ndaj kandidatëve të pavarur, ndjekur nga hezitimi për mbrojtjen e votës janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rezultat të kandidatëve të pavarur dhe partive jashtë koalicioneve. Kredibiliteti i zgjedhjeve dhe i qeverisë së ardhshme do të jenë themelore për mbështetjen e reformave të domosdoshme që i nevojiten vendit për të kthyer stabilitetin e financave publike, për të luftuar papunësinë dhe varfërinë. Urojmë fituesit e Aleancës për Shqipërinë Europiane për fitoren e arritur duke shpresuar shumë, që kjo fitore të jetë përgjegjësia maksimale ndaj sfidave të vështira të vendit tonë. Urimet më të mira deputetëve të qarkut të Vlorës duke shpresuar se do ta përfaqësojnë dhe do ti shërbejnë sa më mirë qarkut tonë, tha më tej Malaj.
Reformat
Por urimi i tij nuk u ndal vetëm për deputetët e së majtës, por Malaj përcolli urimet më të mira edhe për 140 deputetët e vendit tonë duke shpresuar shumë në përkushtimin e tyre të përbashkët për reformat e nevojshme në vend, për të ndalur krizën e rëndë ekonomike që kërcënon të ardhmen tonë dhe për mbështetjen e tyre të pa kushtëzuar për integrimin europian të vendit.