E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuniteti Mysliman miraton vendimin: Xhamia e re e Tiranës, do të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë

03-10-2011 / Gazeta 55

Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman në vendin tonë u mblodh dje në ambientet e Medresesë së Tiranës, ku u konstituuan anëtarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e zhvilluara në çdo myftini në Shqipëri për një mandat katër vjeçar. Në këtë mbledhje u betuan anëtarët e rinj dhe u propozuan kandidaturat për organet drejtuese të Këshillit të Përgjithshëm, si kryetarin, kryesinë dhe komisionet e përhershme. Në vijim të punimeve Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm u rizgjodh me shumicë votash z. Ylli Gurra, myfti i rrethit Librazhd. Ndër të tjera u miratuan raportet 6-mujore të Kryesisë së KP-së dhe Kryesisë së KMSH-së. Pika kryesore e miratuar në këtë mbledhje ka qenë miratimi i vendimit, që xhamia e re e Tiranës, të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, si vendi më i përshtatshëm dhe që do të plotësonte më së miri kërkesat e besimtarëve të kryeqytetit. Këshilli i Përgjithshëm ka vendosur po ashtu që hapat ligjorë për ndërtimin e kompleksit të Namazgjasë të ndiqen nga komisioni i ngarkuar për këtë çështje nga Kryesia e KMSH-së në bashkëpunim me strukturat përkatëse. Ndër të tjera u diskutua edhe situata për regjistrimin e popullsisë i njohur ndryshe si Censusi i cili po realizohet në terren duke filluar nga dita e shtunë. Në këtë linjë Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së inkurajoi mbarë opinionin publik shqiptar në përgjithësi dhe qytetarët myslimanë shqiptarë në veçanti, të ushtrojnë detyrën e tyre qytetare dhe ligjore. KMSH bëri thirrje që, “çdo qytetar shqiptar duhet ta ndjejë veten të lirë në shprehjen e përkatësisë së tij etnike dhe fetare”. “Myslimanët shqiptarë e ndjejnë veten krenarë për përkatësinë e tyre etnike dhe fetare, prandaj të mos ngurojnë në asnjë mënyrë ta shprehin identitetin e tyre fetar dhe kombëtar”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›