E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbylli punimet 4 ditore Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Europës

03-10-2011 / Gazeta 55

Speciale/ Episcoporum Europae 2011


Në katedralen e Shën Palit, në meshën e kremtuar dje në mbyllje të Takimit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës në Tiranë Imzot Mirdita tha se të shpallësh sot Ungjillin do të thotë t’i japësh njeriut themelin, nga i cili është vetëprivuar, ta shëlbosh e t’i kthesh lirinë. “Dashtë Nëna e Këshillit të Mirë, Pajtorja e Shqipërisë, dhe të gjithë martirët e kishës shqiptare, t’i ndihmojnë kishat e Evropës në këtë mision të madh” të ungjillëzimit të ri, përfundoi homelinë e tij kreu i ipeshkvijve shqiptarë, imzot Rrok Mirdita. Takimi, që filloi më 29 shtator, i mblodhi ipeshkvijtë në kryeqytetin e Shqipërisë për të diskutuar mbi rrugët e ungjillëzimit të ri në Evropë dhe për të zgjedhur presidencën e re të Këshillit. E rëndësishme për këtë qëllim, sidomos dita e premte, gjatë së cilës u paraqit sinteza e propozimeve, dërguar Këshillit përmes një pyetësori, shpërndarë kohë më parë. Po atë ditë, foli kreu i Dikasterit Vatikanas për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fizikela. I gjithë populli, theksoi imzot Fizikela, e gjithë bashkësia e krishterë duhet të bëhet misionare, duhet t’i çojë botës Krishtin. Kemi nevojë ta shpallim Ungjillin jo si besimtarë të veçantë, por si Popull i Zotit, një dhe i pandashëm. Pardje, dita u karakterizua nga paraqitja e veprimtarive të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës për vitin 2011-2012, si edhe nga fjalimet e ipeshkvijve të vendeve përkatëse mbi vizitën e Papës Benedikti XVI në Zagreb e në Gjermani, gjatë këtij viti; mbi ndihmën për të krishterët në Tokën e Shenjtë; si edhe mbi takimin e ardhshëm të familjeve në Milano, nga 30 maji deri më 3 qershor 2012, dhe mbi Kongresin e 50-të Eukaristik Ndërkombëtar, që do të mbahet në Dublin, nga 10 deri më 17 qershor 2012. Në krye të Këshillit për pesëvjeçarin e ardhshëm u zgjodh sërish kardinali hungarez Peter Erdë. Gjatë homelisë së djeshme, duke komentuar Ungjillin e ditës, imzot Rrok Mirdita, vuri në dukje se ku zhytet shoqëria, që dëshiron t’i zerë vendin Zotit, ashtu siç bënë vreshtarët, që vranë edhe të birin e të zotit të vreshtit, për t’ia marrë trashëgiminë. “Le të mendojmë vetëm historinë e vonë të vendit tonë – tha imzot Mirdita - ku komunizmi, gjoja për të ndërtuar utopinë marksiste të lumturisë së të gjithë njerëzve mbi tokë, e shpalli Hyjin të tepërt, të padobishëm, madje të dëmshëm. Le të mendojmë se si ka vrarë, ka futur në kampe përqendrimi dhe ka ndryrë në errësirën e dendur të qelive të burgjeve të gjithë njerëzit e Hyjit, meshtarë, rregulltarë e laikë, pikërisht siç kanë bërë vreshtarët e ungjillit të sotëm me shërbëtorët e pronarit. Cili ka qenë premtimi që sipas tyre arsyetonte këtë dhunë? Lumturia, mirëqenia, paqja. Cili ka qenë përfundimi i vendimit për të përjashtuar Hyjin? Mjerimi, lufta e klasave, prirja për ta parë tjetrin si një armik të mundshëm, mbyllja e plotë kundrejt botës, zbrazëtia e frikshme shpirtërore. Kanë përjashtuar Hyjin në emër të lirisë, por në realitet kanë ngritur një burg të padurueshëm. Ne jemi i vetmi popull në planet që, me shpalljen e ateizmit me kushtetutë, na është dashur të provojmë mbi lëkurë se si një shoqëri pa Hyjin është një shoqëri pa liri, në të cilën është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, t’i vihet pritë dhunës”. E megjithatë, edhe në atë burg të madh, që ishte Shqipëria e asaj kohe, liria përjetohej në Zotin, besimi i fshehtë i besimtarëve ishte dritarja e vetme e lirisë, vazhdoi imzot Mirdita. Që këtej rrjedh kontributi që populli shqiptar mund të japë në ungjillëzimin e ri të Evropës. Pikë së pari, nënvizoi kryeipeshkvi i Tiranës, shqiptarët i kujtojnë Evropës se nuk duhet të harrojë ç’ndodhi, siç porositi Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në vitin 1993. “Kush më mirë sesa vendi ynë – theksoi pastaj imzot Mirdita - mund t’i çojë Europës, që po rrëshqet drejt laicizmit të skajshëm, një mesazh të fortë, që të mos e përsërisë atë gabim të rëndë të përjashtimit të Hyjit nga jeta sociale, çmimin e hidhur të të cilit populli ynë vazhdon ta paguajë ende... Çfarë do të thotë të ungjillëzosh Europën sot? Do të thotë t’i tregosh gurin e hedhur tej, tani së voni edhe prej asaj vetë, që ky gur, Krishti, të bëhet edhe një herë themeli i saj. Për ta bërë këtë, duhet ta shikojmë me guxim të keqen e kontinentit tonë, duhet të shikojmë me dashuri burrat dhe gratë e tij dhe, në vend që të ankohemi e të presim që e keqja të kalojë, duhet të shpallim me besim praninë e Atij që me vdekjen e vet i jep kuptim dhimbjes, sjell faljen dhe hedh dritë të re mbi jetën. Të shpallësh Ungjillin do të thotë t’ia kthesh e jo t’ia heqësh lirinë njeriut, atë liri që është rivendosje e marrëdhënies me Hyjin dhe dhurim jete për njerëzit”. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mori pjesë dje në kremtimin e meshës së mbajtur në Katedralen e Shën Palit, me rastin e mbylljes së Asamblesë Plenare të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane. Pas kremtimit të meshës, Kryetarja e Kuvendit mori pjesë gjithashtu në pritjen e organizuar nga Imzot Rrok Mirdita në Arqipeshkvinë e Kishës Katolike me këtë rast. Gjatë kësaj pritjeje, Kardinali i Izraelit, ai i Hungarisë, i Italisë etj, i përcollën Kryetares së Kuvendit ftesën për të zhvilluar një vizitë në vendet e tyre. Kryetarja e Kuvendit i përsëriti Kardinalit të Italisë edhe njëherë ftesën për një vizitë të Shkëlqesisë së Tij, Papa Benedikti i XVI në Shqipëri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›