Censusi po ecën me ritmet e duhura, të gjithë qytetarët po u hapin dyert anketuesve

Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, flet mbi procesin e regjistrimit të popullsisë
Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja në ditën e dytë të regjistrimit të popullsisë dhe banesave bën me dije se nga raportimet e para procesi i Censusit po shkon shumë mirë. INSTAT ka ngritur mbi 370 zyra në të gjithë Shqipërinë, ka shpërndarë në të gjithë vendin 12 mijë punonjës dhe në total të gjithë shqiptarët në fund të tetorit duhet të kenë plotësuar rreth 40 milionë faqe nga formularët e regjistrimit të popullsisë. “Censusi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave ka nisur dje në terren 12 mijë anketuesit të shpërndarë në çdo derë shqiptare për të dhënat për popullsinë dhe banesat. Më lejoni të them se në anketimet e para deri tani puna është kryer me profesionalizëm dhe qytetarët shqiptarë i kanë hapur dyert anketuesve dhe procesi po shkon shumë mirë”- tha Ines Nurja, drejtoresha e INSTAT. Për të gjithë personat të cilët nuk gjenden në banesë nga aplikantët e INSTAT në terren, do të vendoset në dispozicion një numër i gjelbër kontakti. Ndërsa, të gjithë ata që refuzojnë të plotësojnë formularin do të përballen me penalitete të përcaktuara në ligj.
Procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesës në qarkun e Vlorës, prej dy ditësh vazhdon normalisht. Anketuesit e INSTAT shprehen se familjet u janë përgjigjur me korrektesë çështjeve që shtrohen në formularë. Ndërsa ka raste edhe të mos prononcimit, kryesisht lidhur me besimin fetar. Edhe koordinatorët e Censusit garantojnë vijueshmërinë korrekte të Censusit, ndërsa nuk ka patur shqetësime, pasi qytetarët kanë bashkëpunuar në këtë proces. Në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave në kuadrin e “Census 2011” në rrethin e Vlorës janë përfshirë gjithsej 650 anketues, të cilët u trajnuan në një seminar 5 ditor. Përveç anketuesve, 326 prej tyre do të punojnë në bashkinë e Vlorës, projekti parashikon edhe punonjës me funksione të tjera, mes të cilëve 124 kontrollorë që realizuan paraprakisht procesin e azhornimit të banesave dhe hedhjen e tyre në hartat digitale për të saktësuar funksionalitetin e tyre. Për t’i paraprirë regjistrimit është bërë një punë voluminoze për azhornimin e këtyre banesave dhe për orientimin e anketuesve në punën në terren. Në këtë proces, ata do të udhëhiqen dhe do të kontrollohen njëkohësisht për saktësinë e të dhënave nga ana e kontrollorëve, që kanë një kontratë 3 mujore. Nga ana tjetër, projekti parashikon edhe 6 supervizorë, nga të cilët 3 vetëm për bashkinë e Vlorës, që janë specialistët më të kualifikuar, me një kontratë punësimi 4 mujore, dhe që do të supervizojnë punën dhe saktësinë e të dhënave të realizuara nga anketuesit dhe kontrollorët. Të gjitha të dhënat janë hedhur në hartat dixhitale dhe puna e anketuesve në terren është tërësisht e saktësuar dhe do të realizohet sipas një grafiku, tashmë të miratuar. Para fillimit të procesit u lidhën kontratat përkatëse me të gjithë punonjësit që janë përfshirë në “Census 2011” në rrethin e Vlorës.
Në Fier, qytetarët mirëpresin Censusin/Ka nisur dhe në bashkinë e Fierit procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Dita e parë e këtij procesi u përcoll me mjaft interes për qytetarët, të cilët i mirëpritën anketuesit. “Procesi ka nisur dhe po vazhdon normalisht. Qytetarët kanë pranuar t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve të pyetësorit me vullnetin e tyre, madje ata kanë qenë mjaft të interesuar”- u shprehën anketuesit. Sipas tyre, interesi i qytetarëve është i madh. Në qytetin e Fierit janë angazhuar për regjistrimin 210 anketues dhe 40 kontrollorë. Procesi ka nisur në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë dhe vazhdon me ritme të kënaqshme.
Ksera: Omonia s’do ia dalë të bllokojë Censusin, procesi është aprovuar nga EUROSTAT/ “Omonia” nuk mund të pengojë procesin e Censusit në Shqipëri. Një nga ministrat që përfaqëson minoritetin grek në qeverinë Berisha, Spiro Ksera është shprehur kundër qëndrimeve të Omonia-s, e cila ka ftuar minoritarët të mos i bashkohen procesit të censusit në vendin tonë, i cili filloi dy ditë më parë. Sipas ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, formulari i përgatitur për këtë proces është sipas EUROSTAT. Sipas tij procesi i vetë deklarimit nuk do të ketë mundësi abuzimi për askënd. Ksera thotë më tej se pyetësori të cilin duhet të plotësojnë qytetarët shqiptare pavarësisht nga debatet e shumta, është konfirmuar dhe nga ana e qeverisë, edhe nga INSTAT, që i ka të përfshira të treja pyetjet e debatuara, që është një nga kërkesat e hershme të shoqatave të minoritarëve.
...