E Diel, 1 Nëntor 2026

Arbën Xhaferri: “Ndryshimet mes modeleve politike të Berishës dhe Ramës”

Ekskluzive/Flet Arbën Xhaferri për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, për rolin e Tiranës zyrtare, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe përballjen Berisha-Rama

Mënyra e të bërit politikë në Shqipëri shumë shpejt pritet të lërë konflikttualitetin dhe sëmundjet e shfaqura gjatë viteve të tranzicionit, për t’u bërë si në shtetet e tjera europiane me traditë demokratike. Ky është parashikimi optimist që bën Arbën Xhaferri në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Albania”, teksa ka analizuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe modelet politike që sjellin kryeministri Berisha, njëherësh kryetar i PD-së dhe kryesocialisti Edi Rama. Ish-kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni komentoi edhe zgjedhjet presidenciale dhe ato vendore që pritet të mbahen këto ditë, duke shkurajuar idetë për një Obamë shqiptar në krye të shtetit maqedonas, si dhe duke ofruar si të vetmen zgjidhje për partitë shqiptare atje “kapitalizmin” e votës së tyre për kandidatin maqedonas, që bën më shumë për zgjedhësit dhe bashkëkombësit e tyre. Xhaferri shprehet edhe për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë, të cilën e cilëson ngjarje të dorës së parë dhe që nuk meriton politizimin apo përvetësimin partiak. Madje ai e sheh si zgjidhje të identitetit europian vullnetin dhe dëshirën e shqiptarëve për t’u integruar në strukturat euroatlantike.

Zoti Xhaferri, pas pak ditësh zhvillohen zgjedhjet vendore dhe presidenciale në Maqedoni. Si i parashikoni këto procese? A do të kenë standarde më të mira sesa herë të tjera?

Në Maqedoni, prej filleve të krijimit të këtij shteti, çdo gjë merr dimensione dramatike; të mos them patetike. Ky sens për dramatizim është i lidhur ngushtë me strategjinë e paraqitjes së vetes si viktimë dhe të tjerëve si agresorë. Është krijuar një kontekst ku i drejti, - maqedonasi, - vazhdimisht është i sulmuar nga të tjerët, nga tre armiq proverbialë, fqinjët e Maqedonisë dhe nga armiku i brendshëm, - shqiptarët, - të cilët, kurrë s’qenkan të kënaqur dhe se vazhdimisht kërkuakan diçka. Nëse do të hartohej një listë e kërkesave, veçmas të “armikut” të brendshëm, - të shqiptarëve, - atëherë fare lehtë do të konstatohet se ku qëndron problemi. Atë duhet kërkuar te refuzimi i normalitetit nga ana e maqedonasve, te antagonizmi ndërmjet realitetit të hidhur dhe iluzioneve të jargëta, te mospërputhja ndërmjet ambicieve dhe kapaciteteve etj.
Këto probleme të maqedonasve lidhur me konceptin e kontestuar për identitetin që tashmë është shndërruar në pengesë të pakapërcyeshme për integrim në NATO dhe BE, pastaj problemet që kanë të bëjnë me pozitën dhe kërkesat e shqiptarëve, zakonisht amplifikohen gjatë zgjedhjeve. Këto tema që hapen, automatikisht krijojnë krizë për shkak se klasa politike dhe intelektuale maqedonase nuk ka përgjigje; nuk ka zgjidhje për to. Maqedonia hëpërhë është e stepur, vend-numëron dhe pret mrekullinë. Një projekt mëse 100-vjeçar, ku është investuar shumë energji, emocione; një projekt që ka prodhuar shumë gjenerata me bindje se ata janë pinjollë dhe trashëgues të një historie të lashtë dhe të fisme; një pretendim që është përhapur dhe thelluar me një edicion marramendës librash, broshurash dhe artikujsh, - tash, janë në rrezik që të shpallen si prodhime të skaduara, të cilat duhet të tërhiqen nga tregu. Këto tema nuk i takojnë pakos së problemeve që shfaqen në çdo shoqëri dhe shtet që ka hyrë në procesin e tranzicionit, por i takojnë një natyre tjetër, specifike, që do ta përkufizoja si një ndjenjë e sikletit me vetveten.
Kjo situatë bizare ndikon që ligjërimi politik edhe në këto zgjedhje të jetë patetik; të ketë një notë të padurueshme të megalomanisë. Shpenzohen mjete të mëdha financiare (flitet se partia në pushtet, VMRO-DPMNE, ka destinuar afër 50.000.000 euro); angazhohen ekspertë ndërkombëtarë, kryesisht amerikanë; bëhen asociacione, paralelizma banale, si bie fjala Maqedonia si SHBA-të, zgjedh Obamën e vet (ndonjërin nga kandidatët shqiptarë) porositen sondazhe, shpiken cenet e kundërshtarëve, përdoren slogane që nuk kanë të bëjnë fare me veprimtarinë e asaj partie, krijohet një atmosferë argëtuese, ngjashëm me atë të cirqeve kur ato vizitojnë qytetet provinciale dhe e trazojnë letargjinë, kllapinë e njerëzve të mërzitur nga vetvetja.

Parashikimet për zgjedhjet u ngjasojnë atyre të profetëve antikë; janë ambivalente, që mund të interpretohen gjithqysh: “Zgjedhjet do të jenë demokratike, por jo të lira”, - thonë disa; ose, “zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike, por jo të drejta”, ose “zgjedhjet do të jenë demokratike, të lira, të drejta, por jo të qeta”, ose “zgjedhjet do të jenë demokratike, të lira, të drejta, të qeta, por nuk do të zgjedhin asnjë problem” etj..

Marrë në tërësi, mendoj se pas këtyre zgjedhjeve, sido qofshin ato, Maqedonia do t’i afrohet edhe më shumë kategorisë së shteteve të dështuara, siç do të thoshte Frensis Fukujama.

Gjatë kësaj kohe ka pasur vizita të disa liderëve shqiptarë të Maqedonisë në Tiranë, ku duket se kanë artikuluar kërkesa për ndihmë. Si e vlerësoni rolin e Tiranës zyrtare në këtë situatë parazgjedhore? Sa peshë kanë autoritetet e Shqipërisë në arenën politike maqedonase, veçmas tek zgjedhësit shqiptarë atje?

Këto vizita, ose më mirë thënë takime, janë normale para zgjedhjeve dhe janë në funksion të legjitimimit të ndërsjellë politik dhe moral. Ato, megjithatë, kanë karakter manifestues dhe jo përmbajtjesor. Vlerësoj se ato nuk mund të kenë efekt vendimtar në rezultatin e zgjedhjeve, ngaqë në Shqipëri dhe në viset ku jetojnë shqiptarët, të gjitha autoritetet, çfarëdo qofshin ato, pas një sërë betejash të ashpra, të përshkuara me shpifje, amputime, janë shembur. Demokracia te shqiptarët u shfaq në trajtën e një nihilizmi radikal. U mohuan individët, ngjarjet, idetë, idealet, vlerat, personazhet e së kaluarës dhe të sotmes. U thanë fjalë të padurueshme; hapësira e lirisë së fjalës u pushtua me etiketime neveritëse, kështu që politikanët e hëngrën “fytyrën” e njëri-tjetrit. Tash, jemi në fazën e maskave. Shqiptarët, në relacionet publike e rrënuan standardin e normalitetit; ndërkaq, në jetën e përditshme vazhdojnë të sillen me respekt ndaj njëri-tjetrit...

Politika e kuptuar si protagonizëm i detyron politikanët që të jenë ekstatikë, mbresëlënës, në çdo moment. Mirëpo, çdo gjë që teprohet më në fund bëhet monotone, jep efektin e kundërt. E gjithë kjo, politika e kuptuar si etiketim, ndodhi për shkak se klasa politike, por edhe intelektuale nuk prodhoi një strategji të përbashkët veprimi. Mungesa e strategjisë, objektivisht krijoi një hapësirë për veprim të pakoordinuar të partive politike shqiptare. Mbase kështu ka qenë më mirë, ngaqë nga kriza që u shkaktua me rënien e komunizmit dhe me shpërbërjen e Jugosllavisë, fitues dolën popujt që nuk kishin plane afatgjate, por në mënyrë më shumë instiktive sesa analitike, iu bashkuan strategjisë së shteteve të mëdha perëndimore.
Së këndejmi, ndikimi i Shqipërisë ekziston, por jo si i Serbisë në Kosovë, i cili ishte dhe mbeti në funksion të realizimit të interesit nacional serb, por në funksion të mbështetjes së strategjisë së faktorit perëndimor dhe NATO-s në këto hapësira.

Si duhet të veprojë faktori politik shqiptar dhe kë duhet të mbështesë për president në zgjedhje? A jeni optimist se Maqedonia do të ketë një ditë një president me kombësi shqiptare?

Në këto zgjedhje nuk mund të bëjmë fjalë për një rol strategjik të faktorit politik shqiptar, por për taktizime. Në fillim BDI-ja paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje me pretendimin që votat shqiptare prej fillimit të kanalizohen te kandidati i VMRO-së. Kur u paraqit kandidatura e Imer Selmanit, pastaj e PDSH-së, znj. Mirushe Hoxha, atëherë BDI-ja konstatoi se taktizimet ishin zbuluar dhe detyrimisht u inkuadrua edhe ajo në këtë garë ku kandidati shqiptar nuk mund të fitojë. Pra bëhet fjalë për taktizime për interesa të vogla. Vlerësoj se ideja e bashkimit të votave të shqiptarëve me qëllim që në raundin e dytë (në balotazh) të kalojë një maqedonas dhe një shqiptar nuk është në interesin politik të shqiptarëve ngaqë votat etnike, të maqedonasve dhe shqiptarëve, do të kanalizoheshin në mënyrë simetrike. Nëse në raundin e dytë kalojnë dy kandidatë maqedonas, atëherë vlera e votës shqiptare do të çojë peshë; rrjedhimisht, vota e shqiptarëve do të ketë funksion përcaktues se cili nga kandidatët maqedonas do të fitojë. Në këtë mënyrë, si edhe më parë, vota shqiptare mund të kapitalizohet, duke e kushtëzuar me ndonjë kërkesë që ka peshë.

Proceset e transformimit të mendësisë së popujve janë të gjata. Nuk mendoj se për një kohë të shkurtër mund të bëhen ndryshime radikale të koncepteve etnocentrike, apo ksenofobike. Gara etnike në Maqedoni do të vazhdojë dhe do të thellohet, bashkë me këtë edhe distanca etnike. Në mesin e politikanëve maqedonas nuk shoh asnjë që ka kapacitete vizionare, që do të ishte në gjendje t’i qetësojë gjakrat dhe të përgatisë situatën për misionin e një Obame maqedonas. Jam i bindur se në dallim prej popujve dhe shteteve ballkanike, vetëm shqiptarët dhe Shqipëria mund të ketë kapacitete për një mision të tillë.

Më 3 prill të këtij viti pritet që Shqipëria të bëhet anëtare e Aleancës më të fuqishme ushtarake të botës. Si do të ndikojë kjo ngjarje për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi?

Pa dyshim se inkuadrimi i Shqipërisë në NATO është një fitore e madhe për faktorin shqiptar që do të ketë efekte të panumërta pozitive në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në përgjithësi dhe të situatës ekonomike-shoqërore në tërësi. Anëtarësimi njëkohësisht do të hapë rrugën për vendosje në nivel më të lartë dhe më cilësor të marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, do të krijojë kushte për aleancë me popujt më të përparuar të botës, pjesëtarë të një klubi të zgjedhurish. Pas kësaj, Shqipëria fiton kredibilitet, që nënkupton edhe ngritjen e nivelit të investimeve të huaja, përmirësimin e ambientit jetësor dhe, mbi të gjitha, mirëqenien e një niveli më të lartë shqiptarëve.

Krahas këtyre përfitimeve konkrete, shoh edhe një perspektivë në planin qytetërues. Shqipëria dhe shqiptarët, pas një periudhe të gjatë luhatjesh, shkarjesh, përcaktimesh të gabuara, miqësish dhe armiqësish të dështuara, më në fund do ta gjejë identitetin e vet europian. Mallkimi do të zhduket dhe të gjitha potencialet, begatitë natyrore dhe njerëzore do të fillojnë të funksionojnë normalisht. Shqipëria gjendet në Europë, në zonën me klimë mesdhetare, e pasur me dete, me liqene, me lumenj që burojnë në tokat shqiptare dhe derdhen në detet shqiptare, me male, me pasuri nëntokësore, me resurse njerëzore, me strukturë vitale demografike, me proporcion ideal në mes së madhësisë të territorit dhe përqindjes së popullatës etj.
Anëtarësimi në NATO është ngjarje historike e dorës së parë që do ta çlirojë Shqipërinë dhe shqiptarët nga pasiguria, nga anarkia, që është pasojë e mungesës së strategjisë zhvillimore, e improvizimeve rastësore dhe të voluntarizmave të politikanëve të harlisur. Konteksti NATO vetvetiu sjell standarde që normalizojnë një shoqëri.

A mendoni se futja e Shqipërisë në NATO është meritë e maxhorancës dhe e qeverisë aktuale, e interesave gjeostrategjike të aleatëve tanë, apo meritë e vetë shqiptarëve?
Mendoj se është në rend të parë merita, interesi i NATO-s, pastaj i gjithë popullit shqiptar dhe detyrimisht i të gjitha partive politike shqiptare. Në asnjë shtet tjetër të botës nuk ka pasur kaq unitet për anëtarësim në NATO sa në hapësirat shqiptare. Do të ishte e padrejtë sikur të fillonim ta partizojmë interesin shqiptar për të qenë anëtare e NATO-s. Në këtë mes shoh se nuk ka dallime partiake, por as të natyrave tjera, fetare dhe rajonale. Në këtë pikë shoqëria shqiptare tregoi një homogjenitet inkurajues dhe dëshmoi se ajo nuk është problematike në asnjë segment. Më në fund, prej treshes Kroacisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, vetëm kjo e fundit nuk pati telashe, as të brendshme, as të jashtme, për të hyrë në këtë organizatë. Ky fakt flet shumë për peshën e faktorit shqiptar në këtë pjesë të Ballkanit. Me këtë rast do të përmendja një paradoks, një dukuri ku e meta shndërrohet në përparësi. Siç dihet, shqiptarët, si popull i vetmuar, në shumë aspekte i prapambetur, anëtarësimin në NATO e shohin si variant pa alternativë, në dallim prej popujve të tjerë që shtiren se kanë alternativa konkurruese. Pikërisht kjo e metë, mungesa e alternativës, e ngriti kredibilitetin e Shqipërisë në këtë strukturë të sigurisë globale. Kjo vlen jo vetëm për shtetin shqiptar, por për të gjithë shqiptarët. Aktualisht në Maqedoni zhvillohet një proces i diversifikimit të popullatës në përkrahës të idesë për anëtarësim në NATO, pa kushtëzime dhe vonesë (shqiptarët) dhe në ata që anëtarësimit i japin rëndësi dytësore (pjesa dërmuese e popullatës maqedonase). Po të mos ishin shqiptarët, në Maqedoni këto mëdyshje do të thelloheshin dhe do të merrnin karakteristikat e një politike anti-NATO, ashtu si në vitin 1999, gjatë intervenimit në Jugosllavi.

Cila do të ishte më frytdhënëse për Shqipërinë dhe shqiptarët: fillimisht anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe më pas në BE, apo e kundërta?
Këtë renditje nuk e determinon interesi i shqiptarëve, por ai i NATO-s dhe BE-së.
BE-ja nuk ka nevojë, as interes të ngutshëm për shqiptarët sa NATO-ja për pozitën gjeostrategjike të Shqipërisë dhe përcaktimit pro NATO të të gjithë shqiptarëve. Së këndejmi del se rrugëdalje tjetër nuk ka pasur: së pari anëtarësim në NATO, pastaj në BE. Vlerësoj se kjo renditje është më frytdhënëse, ngaqë si anëtare e NATO-s, Shqipëria do të gëzojë autoritet më të lartë dhe përkrahje më efektive të shteteve anëtare të NATO-s, që njëkohësisht janë anëtare të BE-së. Por kjo nuk është aq e rëndësishme sa fakti se Shqipëria nuk ballafaqohet me probleme dhe kushte që nuk mund t’i zgjidhë dhe t’i plotësojë. Shqipëria nuk ka probleme me vetveten.

Prej disa kohësh ka dalë në skenë dhe po rroket nga mediat e huaja dhe nga shumë faktorë i ashtuquajturi skandali i transplantit të serbëve në një fshat të thellë në Mat, një fshat i thellë në Shqipëri. Kjo ngjarje u rrokullis menjëherë pas thënieve të prokurores Karla del Ponte. Si e interpretoni një deklaratë të tillë prej ish-prokurores së Hagës? Cilat janë motivet që e shtynë atë të lëshojë të tilla akuza?

Serbët nuk arrijnë tashmë të dallojnë çka është inputimi dhe çka është realiteti. Ata, në vijë të përcaktimit për demonizim sa më të egër të shqiptarëve, kanë prodhuar aq shumë gënjeshtra, saqë tanimë nuk janë në gjendje ta dallojnë gënjeshtrën nga e vërteta. Politika serbe nuk arrin dot të lirohet nga përcaktimi për fabrikim vulgar të fakteve, për propagandë, agjitim tipik për periudhën nazizmit dhe të komunizmit. Aq shumë janë thelluar në këtë lojë, saqë nuk vërejnë se askush më nuk u beson. Për ta arsyetuar këtë humbje të besueshmërisë në planin ndërkombëtar, ata vazhdojnë ta mashtrojnë veten me teori konspirative, me bindje se bëhet fjalë për një komplot planetar kundër tyre, të udhëhequr, - herë nga Vatikani, herë nga SHBA-të, herë nga Gjermania, herë nga qarqet islamike. Vetëmashtrimi është konstant, vetëm komplotistët ndërrohen në varësi nga konteksti aktual.
Në propaganda të këtij niveli dhe destinimi, shpeshherë shfaqet fenomeni i qarkut vicioz. Propaganda serbe përhap një gënjeshtër të këtillë, pastaj dikush tjetër, në këtë rast Karla del Ponte, i citon këto pohime dhe më në fund, prodhuesi i parë i gënjeshtrës (shërbimet sekrete serbe) thirren në citatet nga libri i ish-prokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte dhe fillojnë të akuzojnë Shqipërinë për krime të kësaj natyre. E gjithë kjo fushatë bëhet me vetëdije, gjithnjë në vijë të qëllimit që të relativizohet faji. Por nuk duhet përjashtuar mundësia që serbët të kenë aranzhuar në “vendin e ngjarjes” argumente që do të mbështetnin pohimet e tilla. Kështu veprohet kudo në botë. Mendoj se Prokuroria shqiptare bëri mirë që refuzoi kërkesën e Serbisë për verifikim të pohimeve të këtilla.
Para disa muajsh Televizioni Shtetëror i Serbisë, në kanalin e parë emitoi një emision debati me ekspertët e fushave të ndryshme lidhur me pohime të këtilla. Të gjithë ata njëzëri pohuan se Shqipëria nuk ka aftësi dhe teknologji për qëllime të këtilla. Duke marrë parasysh këto aspekte, mendoj se këto pohime serbe kanë motiv propagandistik për fajësim të vazhdueshëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve për krime të këtilla neveritëse. Ata nuk mund të arsyetojnë para vetes dhe botës politikën që zhvilluan, krimet që bënë, mbështetjen e vazhdueshme që ia dhanë bartësve të kësaj politike, ku udhëheqja politiko-ushtarake dhe policore serbe, këto ditë, mori dënimin e merituar nga Gjykata e Hagës. Në Serbi nuk ka gatishmëri për ballafaqim me natyrën kriminale të një politike hegjemoniste që gjithmonë ka qenë e tillë, prej vitit 1804 e deri në ditët e sotme. Në kapitullin e fundit të kësaj politike, që filloi në vitin 1981 dhe vazhdon ende, ata u profanizuan, u zbuluan për shkak globalizimit të informacionit. Në rrethana të tjera ata sërish do të arrinin sukses. Mosnjohja e kontekstit të ri informativ, mospajtimi me faktin se janë të zbuluar, manifestohet me një qëndrim arrogant të pafajësisë. Ata sot e kësaj dite sillen sikurse nuk ka ndodhur asgjë, duke filluar nga presidenti tyre gojëmbël e deri te gazetari i thjeshtë. Është neveritëse sjellja e tyre prej engjëlli. Kushti për të qenë kaq komod në këtë rol është bartja e fajit te të tjerët, me këtë rast te shqiptarët. Mirëpo, edhe kjo shtirje humbi besueshmërinë, prandaj ata nuk gjejnë argumente racionale për ta bindur opinionin e brendshëm pse komandantët e UÇK-së lirohen të pafajshëm nga Gjykata e Hagës, ose pse askush nuk u beson se në Shqipëri paska një qendër për tregti me organet njerëzore.

Më 28 qershor zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Çfarë vlerësimesh keni për qeverisjen aktuale të zotit Berisha, e cila kërkon rimandatim në këto zgjedhje? Po për ofertën e zotit Rama, të artikuluar për një politikë ndryshimi, përtej së majtës dhe së djathtës?
Çdo parti politike synon ta mbajë ose ta marrë pushtetin. Kjo është normale dhe nuk ka askush të drejtë ta problematizojë këtë qëllim. Por diçka tjetër është jonormale: intensiteti i përplasjeve partiake, polarizimi i skajshëm i shoqërisë mbi baza partiake, kërkesat e vazhdueshme për zgjedhje të reja dhe agjitimi i vazhdueshëm politik dhe partiak. Çdo parti politike përpiqet të gjejë modusin për të qenë gjithmonë në ekran ose në fokus të interesimit të opinionit. Z. Berisha këtë e bën përmes aktivitetit të çdoditshëm si kryeministër, por edhe me forma të tjera të takimeve me elektoratin, ndërkaq, z. Rama këtë e bën në mënyrë të palodhshme me kontaktet e tij të çdoditshme me banorë të fshatrave dhe qyteteve të Shqipërisë. Këto takime janë lodhëse dhe kërkojnë kohë, dijeni dhe gatishmëri individuale që të shpiken vlerësime të reja për situatën që mbretëron në Shqipëri. Përmes formave të tilla krijohet një relacion i dobisë së ndërsjellë: populli mëson diçka, ndërkaq lideri e përsos mënyrën e paraqitjes së tij në opinion.
Duke mos dashur që të bëj tifo për këtë apo atë parti, mendoj se Shqipëria është në një fazë të katarzës, të zbrazjes së vrerit, të frustracioneve të akumuluara dhe se shumë shpejt do të tejkalohet kjo mënyrë e bërjes së politikës, ashtu si në shtetet e tjera me tradita demokratike...

Partitë shqiptare në zgjedhje:

Në këto zgjedhje nuk mund të bëjmë fjalë për një rol strategjik të faktorit politik shqiptar, por për taktizime. Në fillim BDI-ja paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje me pretendim që votat shqiptare prej fillimit të kanalizohen te kandidati i VMRO-së. Kur u paraqit kandidatura e Imer Selmanit, pastaj e PDSH-së, znj.Mirushe Hoxha atëherë BDI-ja konstatoi se taktizimet ishin zbuluar dhe detyrimisht u inkuadrua edhe ajo në këtë garë ku kandidati shqiptar nuk mund të fitojë

Maqedonia me një Obamë shqiptar

Nuk mendoj se për një kohë të shkurtër mund të bëhen ndryshime radikale të koncepteve etnocentrike, apo ksenofobike. Gara etnike në Maqedoni do të vazhdojë dhe do të thellohet, bashkë me këtë edhe distanca etnike. Në mesin e politikanëve maqedonas nuk shoh asnjë që ka kapacitete vizionare, që do të ishte në gjendje t’i qetësojë gjakrat dhe të përgatisë situatën për misionin e një Obame maqedonas. Jam i bindur se në dallim prej popujve dhe shteteve ballkanike vetëm shqiptarët dhe Shqipëria mund të ketë kapacitete për një mision të tillë

Zgjidhja e identitetit të shqiptarëve

Shqipëria dhe shqiptarët, pas një periudhe të gjatë luhatjesh, shkarjesh, përcaktimesh të gabuara, miqësish dhe armiqësish të dështuara, më në fund do ta gjejë identitetin e vet europian. Mallkimi do të zhduket dhe të gjitha potencialet, begatitë natyrore dhe njerëzore do të fillojnë të funksionojnë normalisht. Shqipëria gjendet në Europë, në zonën me klimë mesdhetare, e pasur me dete, me liqene, me lumenj që burojnë në tokat shqiptare dhe derdhen në detet shqiptare, me male, me pasuri nëntokësore, me resurse njerëzore, me strukturë vitale demografike, me proporcion ideal në mes të të madhësisë së territorit dhe përqindjes së popullatës etj.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

Mendoj se është në rend të parë merita, interesi i NATO-s, pastaj i gjithë popullit shqiptar dhe detyrimisht i të gjitha partive politike shqiptare. Në asnjë shtet tjetër të botës nuk ka pasur kaq unitet për anëtarësim në NATO sesa në hapësirat shqiptare. Do të ishte e padrejtë sikur të fillonim ta partizojmë interesin shqiptar për të qenë anëtare e NATO-s. Në këtë mes shoh se nuk ka dallime partiake, por as të natyrave tjera, fetare dhe rajonale. Në këtë pikë, shoqëria shqiptare tregoi një homogjenitet inkurajues dhe dëshmoi se ajo nuk është problematike në asnjë segment

Karla del Ponte për transplant serbësh

Propaganda serbe përhap një gënjeshtër të këtillë, pastaj dikush tjetër, në këtë rast Karla del Ponte, i citon këto pohime dhe më në fund, prodhuesi i parë i gënjeshtrës (shërbimet sekrete serbe) thirren në citatet nga libri i ish-prokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte dhe fillojnë të akuzojnë Shqipërinë për krime të kësaj natyre. E gjithë kjo fushatë bëhet me vetëdije, gjithnjë në vijë të qëllimit që të relativizohet faji. Por, nuk duhet përjashtuar mundësinë që serbët të kenë aranzhuar në “vendin e ngjarjes” argumente që do të mbështetnin pohimet e tilla.

Zgjedhjet, - Berisha dhe Rama

Çdo parti politike përpiqet të gjejë modusin për të qenë gjithmonë në ekran ose në fokus të interesimit të opinionit. Z. Berisha këtë e bën përmes aktivitetit të çdoditshëm si kryeministër, por edhe me forma të tjera të takimeve me elektoratin, ndërkaq, z. Rama këtë e bën në mënyrë të palodhshme me kontaktet e tij të çdoditshme me banorë të fshatrave dhe qyteteve të Shqipërisë. Këto takime janë lodhëse dhe kërkojnë kohë, dijeni dhe gatishmëri individuale që të shpiken vlerësime të reja për situatën që mbretëron në Shqipëri. Përmes formave të tilla krijohet një relacion i dobisë së ndërsjellë: populli mëson diçka, ndërkaq lideri e përsos mënyrën e paraqitjes së tij në opinion

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›