E Diel, 1 Nëntor 2026

Klarkson: “Nuk di të sillem me meshkujt”



Ylli i muzikës, Keli Klarkson, është shprehur se ajo nuk di të menaxhojë një lidhje dhe është e tmerrshme e gjithë situata me një partner. Ish-konkurrentja e garës së njohur “American Idol”, e cila së fundi deklaroi se nëse nuk gjen të dashur nuk do të thotë se është lesbike, është shprehur se puna për të është më e rëndësishme se sa të gjejë një partner perfekt. “Jam shumë e tmerrshme në një lidhje. Megjithatë, do të sakrifikoja edhe karrierën time për të pasur një lidhje normale”, - ka thënë këngëtarja e trishtuar. “Dilja me një djalosh, ai ishte i këndshëm, por unë udhëtoja shumë dhe thashë me vete: Jo, nuk do të kthehem në shtëpi vetëm për të. Më pëlqente të isha e vetme”, - ka shtuar Klarkson.

Nuk do të ketë duet Rihana-Braun

Kris Braun nuk ka incizuar një duet me të dashurën e tij Rihana. Lajmi u bë i ditur nga mediat, të cilat thanë se gjithçka është gënjeshtër. Braun, i cili është akuzuar më herët gjatë këtij muaji për dhunë ndaj Rihanës, u raportua se kishte realizuar një duet me të dashurën e tij. Por kënga në fjalë, “Bad Girl”, në fakt kishte qenë një këngë e incizuar vitin e kaluar, ku Braun dhe Rihana kishin huazuar zërin e tyre. “Ndryshe nga raportet e publikuara, Kris Braun dhe Rihana nuk kanë incizuar duet pas incidentit. Në gusht apo shtator të vitit të kaluar, ata kanë incizuar zërat e tyre si vokale referente në një demo. Por kënga kurrë nuk është krijuar ose kurrë nuk është synuar të realizohet ndonjë duet në mes tyre”, - ka thënë një burim për revistën “People”.

16 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›