E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria dorëzon sot “provat e dyllosura” të Gërdecit

Pas kthimit të një pjese të provave prokurorët “kopsitën” materialet. Problemi me shkeljen e afateve çoi në kolaps dosjen “Durrës-Kukës”

Habjon Hasani

Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të ridorëzojë sot në mënyrë “korrekte” fashikujt dhe provat që nuk iu pranuan nga sekretariati i Gjykatës së Lartë më 13 mars. Burime nga institucioni i akuzës i thanë dje “Albania”-s se mangësitë e vërejtura nga sekretariati i Gjykatës së Lartë janë korrigjuar. “Prokurorët vepruan me shpejtësi për të korrigjuar gabimet e kryera në paraqitjen e bazës dokumentare. Për një sasi të vogël provash mungonin disa elemente të domosdoshme për dorëzimin e tyre. Mendojmë se me masat e marra nesër (sot) do të paraqesim këto prova në mënyrë korrekte”, - i tha dje “Albania”-s një burim nga Prokuroria e Përgjithshme.
Përfaqësues të organit të akuzës, të pyetur nga “Albania” lidhur me mundësinë e përsëritjes së precedentit të tejkalimit të afateve si në rastin e dosjes “Rrëshen-Kalimash”, pohuan se ka pak gjasa që një gjë e tillë të ndodhë pasi sipas tyre, dorëzimi i dosjes do të ndodhë në afat. Duke dashur të refuzojnë çfarëdolloj teorie konspiracioni mbi kthimin e një sasie të provave në Prokurori, përfaqësues të organit të akuzës ia dedikuan problemet që lindën me Gjykatën e Lartë sasisë së madhe të provave, duke shtuar se “është një rast jo i dëshirueshëm i imponuar nga sasia shumë e madhe e provave të dorëzuara. Nuk ndodh çdo ditë që organi i akuzës të paraqesë në gjykatë një mal me dosje”.
Kompjuteri
Provat e refuzuara nga sekretariati i Gjykatës së Lartë kanë qenë disa dëshmi të banorëve të Gërdecit dhe ish-punonjësve të fabrikës së demontimit, së bashku me dokumentet e sekuestruara në kasafortën e fabrikës si dhe kompjuteri laptop i Ylli Pinarit. Këto dy të fundit kanë një rëndësi të padiskutueshme përsa u takon provave të paraqitura nga organi i akuzës, ndërsa një refuzim i dytë i tyre mund të sillte një goditje të rëndë për gjykimin korrekt të çështjes. Për të dyja këto prova të rëndësishme mësohet se ka munguar firma e drejtorit të Drejtorisë Hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila duhet të ishte bashkëngjitur tyre së bashku me një procesverbal (gjithashtu të firmosur), ku bëhet përshkrimi i detajuar i sasisë dhe llojit të materialit të paketuar dhe të paraqitur në Gjykatën e Lartë. Madje për laptopin e tipit “Compaq” të Ylli Pinarit, Prokuroria e Përgjithshme ka pasur dhe një betejë 3-mujore gjyqësore me të pandehurin, i cili kërkoi të shpallte si të pavlefshme dhe të paligjshme marrjen si provë të laptopit të tij. Gjykata hodhi poshtë pretendimet e Pinarit dhe prokurorët vazhduan të “eksploronin” një e nga një dosjet elektronike dhe komunikimet që gjendeshin në laptopin e tij.
Sekretimi
Dorëzimi i provave të dosjes “Gërdeci” ka pasur dy probleme të ndryshme. Për një sasi të konsiderueshme materiali shkresor nuk është mundur të kryhet dorëzimi i hermetizuar. Kjo do të thotë se Prokurorisë i kanë mbaruar “kutitë e verdha” të kartonit, që zakonisht përdor për dorëzimin e fashikujve dhe nga nguti ka operuar me kuti të thjeshta. Këto kuti janë refuzuar porsa punonjëset e sekretariatit të Gjykatës së Lartë kanë vërejtur se fletët mund të dilnin në çdo moment nga kutitë. Problemi i dytë lidhej me një sasi dokumentacioni dhe provash fizike, të cilat nuk kanë pasur procesverbalin zyrtar bashkëngjitur. Kjo vlejti në rastin e laptopit, ku dorëzimi i tij në qeskë nuk shoqërohej me dokument zyrtar, që bënte konsiderimin e tij si provë hetimore.

Laptopi i Pinarit zbardhi tregtinë e raketave

Ka qenë laptopi personal i Pinarit prova më e fortë e prokurorëve, të cilët ia sekuestruan në zyrë atë pesë ditë pas shpërthimit në Gërdec. Menjëherë pasi prokurorët e shpallën laptopin e Pinarit si provë të lidhur me hetimin, ish-drejtori i “MEICO”-s, ndonëse i arrestuar, e paditi Prokurorinë në gjykatë duke kundërshtuar marrjen e laptopit dhe cilësimin e tij si provë fizike. Por tashmë që gjykatat kanë dhënë verdiktin e tyre, prokurorët kanë zbërthyer shumë të dhëna të gjetura në kompjuterin e Pinarit, duke arritur madje ta lidhin atë edhe me pistën e trafikimit të armatimeve. Sipas Prokurorisë, Ylli Pinari ka drejtuar deri në detaje shumë shitje të dyshimta armësh duke qenë njëkohësisht dhe drejtori i “MEICO”-s si dhe “komisioneri” apo ndërmjetësi që çonte armët në destinacion kundrejt përfitimit. Ky fakt është vërtetuar nga të dhënat kompjuterike të laptopit të tij, ku rezulton se në vitin 2005, Ylli Pinari ka regjistruar elektronikisht në një ishull offshore në Shtetet e Bashkuara firmën e tij private “Elmotech”. Pinari e ka regjistruar në internet këtë firmë në SHBA kundrejt një pagese (të shërbimit për regjistrimin) prej 1 mijë e 300 dollarësh, dhe kjo firmë edhe sot e kësaj dite rezulton në emrin e tij. Dokumentacionin e kësaj firme e disponon një zyrë ligjore në SHBA, e cila ka kryer dhe regjistrimin e firmës kundrejt pagesës. Deri këtu gjithçka do të ishte normale nëse prokurorët nuk do të zbulonin disa fatura “të çuditshme” në dokumentet e “MEICO”-s, që flisnin për blerje raketash dhe armatimesh të rënda nga firma “Elmotech”. Madje, për çudi, disa nga pagesat janë kryer në emër të kësaj firme edhe tri javë pasi Pinari ishte arrestuar, gjë që e ka bërë shumë të komplikuar “lojën”.

Trafiku i fishekëve me “AEY”-në, rreziku i dështimit të hetimeve

Në Gjykatën e Lartë Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar gjithë aktin hetimor të Fabrikës së Demontimit në Gërdec, ndërsa pista e trafikimit të fishekëve (skandali me AEY-në) ende nuk ka një orientim të saktë. Për këtë çështje nuk ka ende një rezultat të qartë, sidomos kur në kushtet e tanishme nuk kanë ardhur ende letër-porositë e dërguara në Qipro, Zvicër dhe Bosnjë. Pas vdekjes së dëshmitarit kryesor të kësaj çështjeje, Kosta Trebicka, edhe dëshmia e tij merr një status më pak të interpretueshëm, ndërsa për këtë dëshmi të Trebickës prokurorët kanë thënë se “nuk ka ndonjë specifikim më të veçantë sesa detajet që Trebicka ka dhënë për mediat”. Një tjetër problem i dosjes së trafikut të fishekëve është dhe fakti se disa personazhe të spikatur në këtë aktivitet kanë injoruar thirrjet e Prokurorisë, një pjesë e këtyre personazheve mendohet se kanë lidhje të ngushta familjare me zyrtarë të lartë të vendit. Dosja e trafikimit të fishekëve është një histori e shkëputur nga ajo e Gërdecit. E vetmja lidhje me Gërdecin është Dritan Minxolli, kunati i biznesmenit Delijorgji, firma e të cilit bëri paketimin e fishekëve në Rinas pasi “u hoq nga loja” biznesmeni Trebicka.
Një tjetër problem me këtë dosje ka qenë dhe “zhgënjimi” që ka ardhur nga dëshmia e Efraim Diverolit. 23-vjeçari amerikan, pronar i kompanisë “AEY”, nuk ka pipëtirë asnjë fjalë më shumë se ato që diheshin publikisht lidhur me trafikun e fishekëve, duke ulur ndjeshëm vlerën që mendohej se do të kishte dëshmia e tij. Burime të rezervuara nga organi i akuzës janë shprehur se në lidhje me takimin në apartamentin sekret (mes Diverolit, Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit, Aleks Podrizkit dhe një personi ende të paidentifikuar), të denoncuar nga Kosta Trebicka, Diveroli është shprehur se në atë takim u fol për të bërë një rishikim të çmimit të fishekëve nga pala shqiptare. Diveroli e ka cilësuar këtë takim si normal dhe aspak konspirativ, duke e klasifikuar si një takim të thjeshtë pune. Në lidhje me dëshminë e Trebickës ai është shprehur se pala shqiptare nuk dëshironte pjesëmarrjen e Trebickës në procesin e paketimit dhe ky, sipas tij, ishte një qëndrim normal në një marrëdhënie biznesi. Djaloshi amerikan ka mohuar ndonjë rol antiligjor të firmës “Evdin ltd”, duke u shprehur se roli i saj ishte i gjithëpranuar nga palët, ndërsa Trebicka, në dëshminë e tij është shprehur se këtë firmë e futën në linjë politikanët shqiptarë.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›