E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbër Rexhaj, kandidat i VV-së për kryetar të Prizrenit

Të martën, me 3 shtator, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren ka publikuar rezultatet e zgjedhjeve të brendshme.
Arbër Rexhaj, është emëruar kandidat i VETËVENDOSJE!-s për Kryetar të Komunës së Prizrenit

Ditën e diel, më 1 shtator, anëtarët e të gjitha pikave të Lëvizjes në Prizren kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për kryetar komune, sipas parimit një anëtar një votë. Gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi. Rezultatet paraprake janë shpallur qysh ditën e diel, në zyrat e VETËVENDOSJE!-s në Prizren. “Kemi pritur 24 orë, dhe pranë Komisionit Zgjedhor ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë. Ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lirë dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme, të shprehur në statutin dhe rregulloren tonë për zgjedhjet e brendshme. Sot, shpallim fituese të këtyre zgjedhjeve z. Arbër Rexhaj, i cili ka fituar 95,6% të votave”, tha Kushtrim Dakaj nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.

Kandidati Arbër Rexhaj falënderoi aktivistët e Qendrës së Prizrenit për besimin që i kanë dhënë. Duke folur për gjendjen në Prizren, Rexhaj tha se sot ky qytet gjendet në një kaos urbanistik, i cili është nisur nga qeverisja e LDK-se dhe vazhdon me qeverisjen e PDK-së. “Nga Shatërvani, e deri në Kurrillë, nga Ortakolli e deri në Bazhdarhanë, nga Tabakhaneja e deri tek lagjet tjera të qytetit, kemi shkatërrimin e qytetit. Ky qytet ka mundur të krijojë diçka të mirë vetëm me vullnetin personal të vetë qytetarëve. Të tilla janë organizimet e Dokufestit, Zambakut të Prizrenit dhe organizimet e tjera.

Jashtë këtyre ky qytet është i pajetë, si pasojë e këtyre dy doktorëve, dr. Eqrem Kryeziut dhe dr. Ramadan Mujës, ky qytetet është sëmurë rëndë”, tha Rexhaj, duke shtuar se ka ardhur koha për ndryshime në këtë komunë, e këtë mund ta bëjnë vetë qytetarët.

Kryetari i VETËVENDOSJES!, Albin Kurti, përgëzoi Qendrën e Prizrenit për këto zgjedhje të brendshme tejet demokratike, si dhe uroi Arbër Rexhajn për fitoren në këto zgjedhje.

“Arbër Rexhaj ka lindur me 16 dhjetor 1985 në Prizren. Shkollën fillore dhe te mesme e kreu në Prizren. Përfundoi studimet në Universitetin e Prishtinës në degën e Letërsisë Shqipe, duke u shpallur nga rektorati edhe si studenti më i dalluar i gjeneratës. Studimet për Shkenca Politike, i kreu në Prishtinë e Prizren. Aktualisht vazhdon studimet pasuniversitare për Letërsi Shkencore në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Për dy mandate udhëhoqi klubin letrar “Fan Noli”, si kryetar i shoqatës së shkrimtarëve të Prizrenit. Po ashtu, për katër vite udhëhoqi Shtëpinë botuese “Triniagu”. Arbëri shkroi romane, poezi, monografi, kritikë letrare, ese, publicistikë, analiza politike. Ka botuar vepra letrare e monografike. Aktualisht punon si profesor në gjimnazin “Remzi Ademaj”, si dhe është kryetar i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Prizren”, tha Kurti.

Kurti mes tjerash tha se Prizreni është kryeqyteti i shqiptarëve, pasi është qyteti i lidhjes së shqiptarëve. “Kjo lidhje ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht dhe ushtarakisht, për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar. Kuvendi me 300 përfaqësues u mbajt me 10 qershor 1878 në Prizren. Nëpër të gjitha rezistencat dhe kryengritjet e kombit tonë, Prizreni ka shënuar epiqendrën. Kjo mund të thuhet edhe për luftën e fundit, ku Prizreni i tha shumë Kosovës. Vetëm nga lufta UÇK-së, Prizreni ia dha Kosovës 154 dëshmorë”, u shpreh ai. Kryetari i Lëvizjes tha se ekonomia e Prizrenit, e dërmuar nga lufta po ashtu, mori goditjen përfundimtare tek pas luftës, nga privatizimi i egër që shkatërroi industrinë dhe ndali prodhimin.

“Në sektorin publik në Komunën e Prizrenit më parë ishin 44 objekte industriale dhe kooperativa bujqësore. Këto biznese para luftës kishin rreth 15,000 punëtorë, ndërsa pas luftës nuk arritën t’i mbanin as gjysmën e tyre. Nga ndërmarrjet shoqërore të privatizuara është edhe shtypshkronja Ramiz Sadiku. Kjo ndërmarrje ishte e ndarë në dy pjesë, dhe e tëra u shit për vetëm 3.2 milionë euro. Është llogaritur se në rast se do të shitej vetëm makineria e kësaj fabrike, për hekur, do të arrihej shuma e 15 milionë eurove. Në këtë ndërmarrje punonin 320, kurse sot është shkatërruar plotësisht dhe janë ndërtuar banesa private në hapësirën e saj”. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›