Arbër Çepani i jep fund aventurave, lidhet me Pamelën e BB3
Javën e kaluar bëri jo pak bujë seti i fotografive të Arbrit, fitues i “Big Brother 1” i cili u kap nga paparaci ynë në situata intime me Alessia Greggion, autoren italiane të programit “E diell”. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk dëshiroi të jepte ndonjë koment për çfarë ka ndodhur, sipas miqve të tyre, gjithçka u bë thjesht për shaka, natyrisht nën efektin ekzaltues të ambientit të PUB-it dhe alkoolit. Ajo që momentalisht ngjall interes për lexuesin është se çfarë po ndodh me jetën afektive të 23-vjeçarit, i cili fitoi dy vite më parë zemrat e publikut dhe votat e tyre, derisa arritën të nxjerrin fitues. Por me kalimin e kohës u pa qartë se Arbri nuk është ai djali i ndrojtur dhe deri diku strikt në raportin me femrat. Përkundrazi, në jetën e përditshme ai preferon të jetë vazhdimisht i rrethuar prej tyre e pse jo edhe të flirtojë me ta. Natyrisht për ne është shumë e vështirë të kuptojmë se me cilën prej vajzave që ne fotografojmë, Arbri ka thjesht marrëdhënie miqësore e me cilën diçka më shumë. Nga ana tjetër ka qenë vetë Arbri ai që ka deklaruar në një media të shkruar, një javë më parë, se tashmë i ka dhënë fund lidhjes pesë vjeçare me Madalenën, vajzën simpatike italiane, me të cilën Arbri u lidh kur ishte pak më shumë se 17 vjeç. Sipas miqve të Arbrit, lidhja e tyre nuk mund të funksiononte më, për shkak të largësisë pasi Arbri është kaq i lidhur me Tiranën saqë ideja për t’u rikthyer në Itali, u fshi nga planet e tij. Ndarja e Madalenës i hapi rrugë Arbrit për flirte të reja e më pas, pse jo, për një lidhje të qëndrueshme. Dhe ne e kemi gjetur se kujt ia ka vënë syrin Arbri. Bëhet fjalë për Pamelën, një ish konkurrente e “Big Brother 3”. Sipas miqve të dy të rinjve, njohja e tyre është bërë në ambiente të përbashkëta që ata frekuentojnë. Siç e keni parë edhe në fotot dhe materialet e servirura më parë, banorët e të tre edicioneve lidhin miqësi me njëri-tjetrin dhe frekuentojnë si grup shoqëror të njëjtat lokale. Pikërisht kështu janë njohur Arbri me Pamelën dhe kanë kuptuar që kanë simpati reciproke për njëri- tjetrin. Në fillim pengesë ishte lidhja e konsoliduar e Arbrit ndërkohë, tani që Arbri i ka dhënë fund kësaj lidhjeje, asgjë nuk e pengon më që pëlqimi të kalojë në një tjetër fazë, atë të lidhjes si çift. Sipas informacioneve tona, çifti ka vetëm një javë që është lidhur seriozisht dhe tashmë ata nuk bëjnë asgjë për ta fshehur lidhjen e tyre. Siç mund ta shihni edhe vetë nga fotot, Arbri me Pamelën nuk e fshehin më lidhjen e tyre, madje shfrytëzojnë çdo moment për t’i dhuruar puthje pasionante njëri-tjetrit. Këto foto janë realizuar nga paparaci ynë dje paradite, teksa çifti kishte dalë për një kafe. Të pyetur rreth kësaj lidhjeje, asnjëri nuk ka diçka konkrete për të thënë, por nuk e fshehin ekzaltimin e emocioneve që jep një fillim lidhjeje dhe dëshirën e madhe që kanë për të qëndruar pranë njëri-tjetrit. A do të zgjasë? Kjo pritet për t’u vërtetuar me kalimin e kohës.