E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezarta Shkurta - Po sakrifikoj dashurinë dhe biznesin, duke u futur tek “Vip Shtëpia”



Ermira Shpetimi

Edhe pse është në tratativat e fundit, duket se këngëtarja Rezarta Shkurta e ka ndarë mendjen për t’u bërë pjesë e një “reality show” në Kosovë për të cilin kemi foluar edhe herët e kaluara. RTV21 organizon një spektakël vetëm me personazhe të njohur, të cilët do të kyçen për një muaj brenda një shtëpie, e cila do të jetë e vëzhguar 24 orë me kamera. Kështu, artistët do të ndajnë me publikun gjithë jetën e tyre, madje edhe gjestet më rutinë, që gjithkush i bën në jetën e tij. Dikush që ka refuzuar, e ka quajtuar një sakrificë të madhe dhe konsumim imazhi, të tjerë që e kanë pranuar ftesën, si Rezarta, e kanë marrë me sportivitet duke e quajtur thjesht një eksperiencë më shumë në jetë.
- Sipas informacioneve tona, ti je një nga të përzgjedhurat e "Vip shtëpia" në Kosovë. A e ke vendosur që të bëhesh pjesë e këtij “reallity show”?
- U bë shume kohë që unë e kam marrë këtë ofertë, por kam vetëm pak ditë që kam marrë vendimin që të jem pjesë e këtij “reality show”. Ende s’mund të them 100 %, pasi nuk kam firmosur kontratën. Jam në bisedimet e fundit me avokatin tim dhe me avokatin e “Vip shtëpia”. Shpresoj qe gjithçka të shkojë mirë dhe të bëhet realitet.
- çfarë mendon se ka pozitive për ty kjo pjesmarrje dhe mbi të gjitha për faktin se tashmë fansat e tu do të të shohin në një tjetër pozicion, atë të të jetuarit të përditshmërisë tënde?
- Ka pozitive një eksperiencë të re për mua, pse jo edhe për fansat e mi, ku do të jem më afër tyre dhe më e vërtetë se kurrë.
- Meqenëse aty bëhet fjalë për një garë dhe për të fituar një çmim, ke menduar paraprakisht se çfarë raporti do krijosh me banorët e tjerë, në mënyrë që të nxjerrësh pikat e tua të forta para publikut?
- Sinqerisht unë po mendoj të hyj për një atmosferë të gëzueshme midis miqsh dhe kolegësh. Por ndonjëherë raporti nuk varet vetëm nga një individ edhe me gjithë dëshirën e mirë, shpresoj që edhe nga të tjerët të jetë e njëjta dëshirë e mirë për momente të veçanta.
- Natyrisht ti e njeh pjesën më të mirë të pjesmarrësve aty, kush mendon se do të jetë personi me të cilin ti mund të konsumosh më shumë biseda dhe kush mund të jetë ai ose ajo me të cilin mund të mbash më shumë distancë?
- Padiskutim personi që do të ndaj gjithçka me të, do të jetë mikja ime më e mirë Afroviti Goge, e cila do të përfaqësojë brenda shtëpisë modelet shqiptare. Për të tjerë nuk di ç’të them, pasi të gjithë ne që do hyjmë jemi miq të mirë, kështu që s’mund të parashikoj ndonjë armik, që mund të dalë gjatë rrugës (qesh).
- çfarë po sakrifikon më shumë Rezarta duke ndenjur një muaj e mbyllur brenda “Shtëpisë së Vipave?”
- Shumë besomëni... Një muaj nga jeta ime pa dashurinë time e të Ermalit. Sinqerisht kjo është frika ime më e madhe dhe s’di a do ia dal dot.
- Do të të kishte pëlqyer që ky spektakël të ishte bërë në Shqipëri, meqë këtu normalisht është vendi yt dhe nëse po, çfarë avantazhesh do kishe?
- Për mua është e njëjta gjë. E them sinqerisht. Shqipëria dhe Kosova janë më të bashkuara se kurrë.
- Cila kategori njerëzish përveç fansave të tu të përhershëm, mund të jenë ata që do të të mbështesin në këtë spektakël?
- Besoj një pjesë e mirë e femrave shqiptare, të cilat do ta gjejnë veten tek unë. Të paktën shpresoj.
- Po financiarisht a ia vlen të marrësh pjesë në një konkurrim të tillë që ka në thelb të saj edhe një farë sakrifice, siç është ndarja e privatësisë me publikun?
- Sakrificën e të ndarit të privatësisë me publikun e kam përjetuar që në momentin që kam vendosur jetën time drejt rrugës artistike, kështu që nuk është diçka e re, por edhe ana financiare padiskutim që është e rëndësishme, pasi unë në një format të tillë sakrifikoj dhe kohën time. Padiskutim që koha duhet të paguhet
- Mesa dimë, keni ndryshuar look, kjo për të qenë ndryshe në këtë konkurs apo kishte ardhur momenti për të ndryshuar?
- Më saktë e ndjeja unë të nevojshme një ndryshim. Nuk ka lidhje me konkursin. Pra siç do ta shihni edhe nga fotot, nuk jam më bjonde.
- çfarë përgatitjesh po bën ose më saktë çfarë ka në valixhet që do marrë Rezi me vete në Kosovë?
- Si gjithmonë gjithçka gjen aty brenda, por mua vazhdon të më duket e varfër (qesh). Kurrë nuk ngopem me veshje, është defekti im më i madh.
- Ndërkohë një muaj mbeten pezull planet tuaja artistike, çfarë konkretisht?
- Për shkak të këtij spektakli, kam lënë pezull diçka vërtet shumë të rëndësishme për mua. ëndrrën time të kahershme, e cila më në fund po bëhet realitet këto kohet e fundit. Unë sapo të kthehem nga Kosova, do promovoj atelienë time. Ky është aktiviteti im më i ri të cilin e kam marrë me shumë përgjegjësi dhe dashuri. E veçanta e këtij aktiviteti është se përveçse do të dalin veshje të krijuara nga unë, do të jetë edhe kontrata që unë kam lidhur me Valentinon ku çdo aksesor apo copat, do të jenë të kësaj marke.
- Së fundi mendon se mund të jesh ti fituesja?
- E vetmja gjë që uroj është t’ia kaloj mirë dhe të mbetet një eksperiencë që ta kujtoj gjithmonë me nostalgji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›