Xhamia e Plumbit, shpëtimi vjen nga paratë e Kuvajtit
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Kuvajti do të shpëtojë nga rrënimi i plotë Xhaminë e Plumbit. Interesimi i bërë nga përfaqësues të Qeverisë së vendit arab, dje në Shkodër, pritet të çlirojë nga përmbytja dhe shkatërrimi gradual i objektit të kultit. Xhamia e Plumbit, e ndërtuar mbi 2 shekuj më parë, nuk është vetëm godinë fetare, por dhe "monument kulture". Pozicioni i saj fare pranë ujërave të lumenjve Drin dhe Kir ka bërë që xhamia, edhe pse më e vjetra në qarkun e Shkodrës, të përmbytet sa herë që ka reshje, sidomos në situatën e krijuar këtë vit. Për të parë nga afër situatën, si dhe për të bërë të mundur mbështetjen financiare të këtij projekti, mbërriti dje në Shkodër një delegacion i zgjeruar i qeverisë kuvajtiane, përfaqësuar nga zv.kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Rashid Al-Hammad. Ky delegacion ndalesën e parë e bëri pikërisht në këtë objekt, në hyrje të qytetit, për të vazhduar më pas me një takim me kryebashkiakun, Lorenc Luka. Aty është diskutuar mundësia e financimit të projektit për rikonstruksionin e Xhamisë së Plumbit, rreth së cilës ende nuk janë tharë gjurmët e përmbytjes së fundit. Për këtë arsye, prej javësh, aty nuk është kryer asnjë shërbesë fetare. Ndonëse herë pas here janë kryer investime për të shpëtuar objektin nga përmbytja, ato kanë qenë të pjesshme, duke mos arritur të zgjidhnin një herë e mirë problemin. Edhe drejtori i Monumenteve të Kulturës, Ervin Gjini pohon se xhamia është një ndër prioritet e kësaj drejtorie për rëndësinë që ka, si dhe për gjendjen e amortizuar në të cilën ndodhet. Ministria e Bujqësisë dhe Bordi i Kullimit të Ujërave në Shkodër ka 2 projekte për drenazhimin e tokës rreth Xhamisë së Plumbit, njëri i hartuar nga këto institucione dhe tjetri nga Drejtoria e Ujërave dhe Myftinia e Shkodrës. Janë bërë studime e sondazhe për të parë ku pengohet kullimi i ujit, ku do të vendosen tubacionet shkarkues. Projekti parashikon veshjen e tyre me këmishë betoni dhe ndërtimin e gropave drenazhuese me inerte që thithin ujin. Por, që në një pjesë, sipas specialistëve ka disa ndërtime që e pengojnë ujin të rrjedhë normalisht. "Për momentin si shpëtim i këtij objekti shikohet mbështetja financiare e shtetit të Kuvajtit", shprehet Gjini. Tashmë Xhamisë së Plumbit nuk i ka mbetur veshje me plumb, pasi shtresat e plumbit prej kohësh janë hequr e marrë për t'u shitur. Xhamia e Plumbit në Shkodër ka vlera të veçanta arkitektonike dhe kulturore dhe për këto u shpall "monument kulture" më 1948. është ndër të rrallat objekte të kultit mysliman në Shqipëri, e ndërtuar sipas stilit osman, ndryshe nga xhamitë e tjera që janë ndërtuar sipas stilit arab. E ndodhur në hyrje të qytetit, pranë kalasë "Rozafa", xhamia tërheq dhe shumë vizitorë.