Arbërie Nagavci, kandidon për Gjakovën me VV-në

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Arbërie Nagavci ka fituar në garën e brendshme të qendrës së Gjakovës së Lëvizjes Vetëvendosje për kandidimin në garën për kryetare komune.
Anëtarët e kësaj lëvizjeje kishin votuar me 25 gusht, ndërkaq sot Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar Nagavcin si kandidate në garën për Gjakovën.
Ajo ka thënë se Komuna e Gjakovës në vitet e pasluftës ka ngecur në të gjitha aspektet
“Jam në Lëvizjen Vetëvendosje! sepse besoj në konceptin dhe parimet e saj. Kam qenë vetëvendosëse sikur të gjithë bashkëqytetarët e mi që e duan drejtësinë, prosperitetin dhe marrin përgjegjësë për të mirën e këtij vendi. Kjo nuk është vetëm një garë, kjo është mundësi që pushteti t’i kthehet qytetarit. Është koha që qeverisja t’i kthehet popullit, është momenti që keqqeverisja në komunën e Gjakovës të merr fund. Andaj, besoj që kjo nuk duhet te jetë vetëm garë ndërmjet nesh dhe të tjerëve, por të jetë bindje e qytetarëve te Gjakovës se Lëvizja VETËVENDOSJE! është për të mirën e vendit, është për komunën e Gjakovës, është për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë”, ka thënë ajo gjatë konferencës ku ishte i pranishëm edhe kryetari i këtij subjekti Albin Kurti.
Ndërkaq Driton Çaushi, i angazhuar së fundmi në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në prezantoi edhe disa prej kandidatëve për asamblenë komunale.
“Derisa nënat e Gjakovës në mënyrë të dëshpëruar në rrugë kërkonin një përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre të pagjetur, dhe derisa partitë politike kishin halle tjera, një grup i të rinjve që bashkëndjente me këto gra, me besnikëri i shoqëronte ato protestë pas proteste. Me gjithë simpatinë dhe admirimin që kisha për këto vajza dhe djem të Lëvizjes, vazhdoja të isha skeptik se në Kosovë ka shpresë për një ndryshim”, tha Çaushi, duke shtuar së fundmi, bashkë me një grup njerëzish, kuptoi se të ankohesh duke qëndruar duarkryq, është hipokrizi. Ai në vazhdim prezantoi një pjesë të atyre që kanë vendosur të thyejnë heshtjen dhe apatinë, e ti bashkohen përpjekjeve të Lëvizjes Vetëvendosje!: Enver Vula, ekonomist dhe ish kryetar i komunës; Visar Haxhibeqiri, arkitekt; Afrim Sahatqia, pronar biznesi; Drita Bunjaku, juriste; Ermal Kusari, veterinar; Hashim Këpuska, profesor në UP; Arbëresha Tahiraj, studente e ekonomisë; Fitim Arbrashi, ekonomist; Jeton Dalladaku, arkitekt; Agon Batusha, student i integrimeve evropiane; Ruzhdi Domi, kameraman i njohur.
“Të njëjtit, bashkë me shumë të tjerë, do të jenë kandidate e kandidatë për asamblenë komunale të Gjakovës” tha në fund Driton Çaushi.
Ndërkaq, prezantimin e angazhimit të Nagavcit e bëri Kurti. “Arbërie Nagavci ka lindur me 29 mars të vitit 1970. Ka përfunduar studimet në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, por njëkohësisht edhe Fakultetin Juridik, ku tash i vijon studimet master në në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. Prej vitit 1995 deri në vitin 2006 ka qenë mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “Yll Morina”, kurse nga viti 2006 deri në vitin 2012 ka qenë drejtoreshë e po të njëjtës shkollë. Znj. Nagavci është angazhuar në shumë programe të USAID-it, KEC-it, MASHT-it, si kryefasilituese për udhëheqjen dhe menaxhimin e shkollave, si trajnere për të drejtat e njeriut, të fëmijëve, e të tjera. Ka mbaruar po ashtu edhe programin gjashtë-javor për lidership në SHBA”, tha Kurti.
Nagavci është gruaja e dytë që VV ka kandiduar pë kryetare komune, pas Ajnishahe Halimit në Skenderaj/Indeksonline/