E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbitrat dhurojnë show, Kupa kthehet në skandal

TIRANE- Kupa e Shqipërisë ka dhuruar sot shfaqjen e radhës të arbitrave, që me vendimet e tyre, praktikisht kanë vendosur fatet e tre ndeshjeve. Në Ballsh, në Korçë dhe në Peqin, kanë qenë pikërisht gjyqtarët protagonistët kryesorë, me vendimet e tyre më shumë se skandaloze dhe dukshëm të qëllimshme.
Qershia mbi tortë ishte në ndeshjen Bylis-Tirana, e përfunduar 2-1 për ballshiotët. Në minutën e 75-të, Iljon Lika del dhe grushton një top, ndërsa më pas bie mbi një lojtar vendas. Arbitri për çudinë e të gjithëve jep penallti, duke ndëshkuar skuadrën bardheblu. Një vendim që meriton të futet në librin Guiness, pasi ndërhyrja e portierit të Tiranës mund të ishte gjithçka, përveçse 11-metërsh. Protestat e futbollistëve të Tiranës kanë qenë të kota, pasi Bylisi ka shënuar me anë të kapitenit Dimo golin që i dhuroi fitoren. Ndërkohë, skandal edhe në Peqin, në takimin që Shkumbini fitoi 2-1 ndaj Dinamos.

Në minutën e 66-të, kur ndeshja ishte mbërthyer në shifrat 1-1, anësori lejon një gol të dukshëm ofsajt të Gërboviç, i cili ishte 2 metra i avancuar. Më pas, i njëjti anësor anulon një gol mëse të rregullt të peqinasve, duke u munduar të kompensojë disi gafën, por duke u kthyer në qesharak. Madje, që goli i tretë ishte i rregullt, është pranuar edhe nga vetë lojtarët e Dinamos pas ndeshjes. Por, shfaqja e radhës e “xhaketave të zeza” vijoi në Korçë, aty ku Skënderbeu u mund 3-1 nga Besa, e cila bëri një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve. Ishte minuta e 70-të e takimit dhe rezultati ishte 2-1 për miqtë nga Kavaja. Por, gjyqtari nuk sheh një pozicion jashtë loje mbi 3 metra të brazilianit Dos Santos, që më pas ka shënuar edhe golin e tretë. Thënë ndryshe, tre ndeshjet e djeshme janë vendosur kryekëput nga arbitrat, që me vendimet e tyre e kanë kthyer Kupën në një kompeticion skandaloz. Gafat në Shqipëri janë të panumërta, por mënyra sesi ndodhën dje, i kanë bërë të gjithë të plotësojnë idenë fikse se gjyqtarët mbeten ende në nivele mediokre dhe shpesh bëjnë atë që askush nuk e mendon.

Ndërkohë, Vllaznia e Shkodrës ka fituar 2-0 ndaj Laçit në takimin e parë çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, duke bërë një hap të sigurt drejt katërshes. Shtubina dhe Sukaj shënuan në pjesën e dytë për shkodranët, që kanë mundur një kundërshtar aspak të lehtë.

KUPA
1/4 E FINALES
Dje
Shkumbini-Dinamo 2-1
Bylis-Tirana 2-1
Skënderbeu-Besa 1-3
Vllaznia-Laçi 2-0

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›