Interi në vend të tretë

Interi ka shënuar fitore prej 2-1 si mysafir i Fiorentinas në ndeshjen e mbetur nga java e 17-të e Kampionatit italian.
Zikaltërit kaluan në epërsi pas një goditjeje nga këndi, kur Michele Camporese u bëri nder mysafirëve dhe shënoi në portën e vet (6’).
Vendasit i ktheu në lojë Manuel Pasqual (33’), i cili krosoi drejt Alberto Gilardinos, mirëpo italiani as që e preku topin që përfundoi në rrjet.
Pas një aksioni individual, Samuel Eto`o krosoi në drejtim të transferim të ri të Interit, Giampaolo Pazzini, i cili vetëm u desh ta prekte topin për ta plasuar në rrjet (62’) dhe për ta rikthyer epërsinë e mysafirëve, të cilët me këtë gol e fituan ndeshjen.
Me tre pikët e reja Interi ngritet në pozitën e tretë me dy pikë më pak se Napoli në vend të dytë dhe dy më shumë se Lazio në vend të katërt, ndërsa gjendet pesë pikë prapa liderit Milan.