E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbitrazhi ndërkombëtar dhe zgjedhjet

Asoc. Prof Agron Alibali

-Edhe pse fushata zgjedhore e vitit 2013 po vazhdon të zhvillohet tejet e gjallë dhe konkurruese, nuk mund të mos anashkalohen nga vëmendja dy vendime tejet të rëndësishme të arbitrazhit ndërkombëtar ku Shqipëria ishte palë e paditur. Në të dyja rastet Shqipëria fitoi çështjet, duke përcjellë kësisoj mesazhin se çdo pretendim kundër saj në arbitrazhin ndërkombëtar tashmë do të ballafaqohet me seriozitetin maksimal. Çështja e parë ishte ajo e “SKY Petroleum kundër Shqipërisë”. Siç dihet, kompania e vogël amerikane me qendër në Teksas solli qeverinë shqiptare para tribunalit të arbitrazhit UNCITRAL në Zyrih për shkelje të detyrimeve kontraktore, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 1 miliard dollarësh. Si sfond, Sky Petroleum kishte marrë në koncesion prej qeverisë shqiptare tri blloqe [3, 4 dhe Dumre] dhe kishte nënshkruar një marrëveshje koncesionare për prodhim dhe pjesëtim të fitimit.

Më 4 nëntor 2011, qeveria shqiptare njoftonte se marrëveshja konsiderohej e prishur për shkak të shkeljeve - material të kompanisë amerikane. Më 10 nëntor 2011, kompania amerikane hidhte poshtë pretendimet e palës shqiptare dhe njoftonte se do të hapte procedurën e arbitrazhit. Qeveria shqiptare nëpërmjet Avokaturës së Shtetit pajtoi një firmë avokatore britanike. Më 7 maj 2013, Tribunali i Arbitrazhit në Zyrih vendosi në favor të Shqipërisë, duke sqaruar se qeveria shqiptare kishte vepruar drejt, duke dhënë njoftim për anulim kontrate më datë 22 korrik 2011 ndaj SKY, pasi kjo e fundit nuk kishte paraqitur garancinë bankare brenda kësaj date; dhe se vendimi i saj i datës 17 nëntor 2011 për prishjen e kontratës ishte i rregullt. Tribunali njëkohësisht urdhëronte kompaninë amerikane të paguante të gjitha shpenzimet avokatore e të tjera, për çështjen në masën përmbi 380,000 euro. Çështja e dytë kishte të bënte me mosmarrëveshjen midis kompanisë “Burimi Srl”, të regjistruar në Itali bashkë me “Eagle Game”, të regjistruar në Shqipëri, kundër qeverisë shqiptare, për prishje të kontratës së një loje fati apo llotarie. Kjo mosmarrëveshje u paraqit sipas rregullave të Konventës ICSID dhe u argumentua si shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare të mbrojtjes së investimeve të huaja.

Në këtë rast, paneli i arbitrave i drejtuar nga amerikani David Price dhe i mbledhur në Paris, hodhi poshtë pretendimet e kompanive, të përfaqësuara nga avokatë italianë, me arsyetimin se “tribunali nuk kishte juridiksion ta arbitronte çështjen në bazë të Konventës ICSID, pasi ankuesi kishte dyshtetësi italo-shqiptare, kësisoj ai nuk kualifikohej si investitor i huaj”. Në një koment të pashembullt, tribunali ankohej edhe për faktin se avokatët italianë i kishin përcjellë mocionet dhe kërkesat e tyre në gjuhën italiane, që nuk është gjuhë zyrtare e tribunalit dhe mandej, kishin paraqitur versione në anglisht që dukeshin se ishin përkthyer me aparat përkthimi nga interneti. Në fund, tribunali ICSID urdhëronte palën paditëse t’i paguante qeverisë shqiptare të gjitha kostot dhe shpenzimet avokatore dhe të tribunalit. Të dyja këto fitore duket se përfaqësojnë një ndryshim themelor dhe pozitiv kursi dhe duhen përshëndetur. Ato tregojnë para së gjithash një punë shumë të mirë të Avokaturës së Shtetit dhe të Ministrisë së Drejtësisë në përzgjedhjen e firmave të specializuara avokatore dhe në instruktimin e saktë dhe të rregullt të tyre. Së dyti, natyrisht, kjo tregon edhe punën tejet profesionale të firmave avokatore përkatëse.

Ky kurs kontraston me atë çka kishte ndodhur vetëm disa vite më parë në fushën e arbitrazhit ndërkombëtar, kur qeveria shqiptare kishte treguar paaftësi të çuditshme në trajtimin e këtyre çështjeve. Kjo u duk në pretendimet e kompanisë italiane “Petrolifera” në verën e vitit 2009 para Gjykatës së Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris, ku përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, në një rast të pashembullt, nuk regjistroi asnjë kundërshtim ndaj pretendimeve të kompanisë italiane, madje nuk foli fare në seancë, duke i hapur rrugë kësisoj projektit tejet të debatueshëm në Gjirin e Vlorës. Rasti i dytë ishte ai i arbitrazhit mes kompanisë së madhe “General Electric Transport” [dega Evropë], për projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Në këtë rast, në seancat e arbitrazhit të zhvilluara në Itali, pala shqiptare humbi, bazuar në një interpretim të një Neni të errët të Kodit të Procedurës Civile Italiane, madje me vendim unanim të Tribunalit, duke sjellë në pikëpyetje cilësinë e përfaqësimit të saj nga avokatët italianë. Ndërkohë që çështja ishte në Gjykatën e Apelit, avokatët italianë të GE-Transport kërkuan para gjykatës federale amerikane në Washington ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit.

Sipas të gjitha gjasave, qeveria shqiptare duhet të ishte përfaqësuar me avokat para Gjykatës amerikane dhe duhet ta kishte kundërshtuar me forcë kërkesën e avokatëve italianë. Mirëpo kjo nuk ndodhi, dhe sikurse dihet, kjo Gjykatë në mars 2010 mori vendim në mungesë duke lënë në fuqi vendimin e arbitrazhit. Në qershor 2010 qeveria shqiptare pagoi një pjesë të shumës sipas marrëveshjes jashtëgjyqësore me GE, edhe pse kjo e fundit nuk kishte vënë asnjë tullë në projektin e lartpërmendur. Ndërkohë, sot para forumeve të ndryshme të arbitrazhit ndërkombëtar gjenden edhe tri çështje të tjera tejet të rëndësishme. E para lidhet me projektin e shumëpërfolur të TEC-it të Vlorës, ku palë janë KESH dhe kompania italiane “Technimont”. E dyta është projekti i rrugës Gjirokastër- Tepelenë, ku palë janë kompania ndërtuese greke “J&P AVAX” dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Dhe e treta është mosmarrëveshja midis “CEZ” dhe Ministrisë së Transporteve, Energjetikës dhe Telekomunikacioneve. Që të tria janë çështje tejet të rëndësishme, jo vetëm për reputacionin e shtetit shqiptar, por edhe për vlerat tejet të mëdha financiare të pretenduara.

Edhe në këto raste duket se Avokatura e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë kanë bërë punë të mirë në organizimin e konkurseve dhe zgjedhjen e firmave të specializuara avokatore. Po ç’lidhje kanë këto çështje të arbitrazhit ndërkombëtar me zgjedhjet? Mesazhi është fare i qartë dhe lidhet me vazhdimësinë e funksionit të shtetit. Me fjalë të tjera, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, administrata e re do të duhet të ruajë vlerat dhe përvojën e përftuar në arbitrazhin ndërkombëtar si edhe në fusha të tjera, madje dhe të ndërtojë më tej mbi to. Së dyti, nga profesionalizmi i demonstruar në ndjekjen e këtyre çështjeve të specializuara kanë se ç’të mësojnë institucionet e ngarkuara për administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Dhe së treti, ndofta Komisioni i Kontrollit të Shtetit dhe Prokuroria shqiptare mund të shqyrtojnë se çfarë nuk funksionoi në arbitrazhin aq keq të administruar me GE- Transport, për të nxjerrë mësimet, dhe ndofta edhe përgjegjësitë e duhura ndaj dëmit dhe barrës së jashtëzakonshme prej 11 milionë eurosh që tatimpaguesit shqiptarë u detyruan të venë mbi shpinën e tyre.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›