E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli i intelektualit kundër modelit të zanatçiut

intelNga av. Dorian Matlija

Një nga shtyllat më të forta të fushatës së Ramës në çdo takim që ai bën me banorë në zona të ndryshme rurale apo urbane, është edhe hapja e shkollave profesionale. Pa dyshim që Rama ka të drejtë kur ngre shqetësimin për mungesën e zanatçinjve në treg dhe mbingopjen e tij me të diplomuar jurist, ekonomistë apo historianë e letrarë. Është shumë i drejtë konstatimi që në Shqipëri ka shumë juristë që punojnë kamarierë e banakierë, ka shumë ekonomistë që punojnë në call center apo pika bastesh. Por Rama duket se ka gjetur formulën, e cila është hapja urgjentisht e shkollave profesionale, për të prodhuar më shumë elektricistë, hidraulikë, punonjës porti, punonjës bujqësorë, etj. Në një kënd fjale Rama mori si shembull Gjermaninë, e cila është mbretëresha e zanateve, ndërsa Shqipëria ka krahun më të pakualifikuar në Ballkan dhe sigurisht në Europë. Shumë e drejtë. Por a mjafton kaq dhe problemi zgjidhet?

Sigurisht që nuk mjafton. Mungesa e shkollave profesionale nuk është problemi kryesor dhe vetëm hapja e tyre nuk do ndryshonte situatën. Partia Socialiste, si në çdo fushë, edhe në lidhje me këtë propozim, vjen me një aspiratë por duke marrë supozimet e gabuara, si dhe duke mos propozuar asgjë konkrete, pa folur këtu që mungojnë edhe buxhetet se sa do i kushtojnë shtetit aq shkolla profesionale sa ka ndër mend Rama (nëse ka ndër mend ndonjë shifër). PS është një parti që rri 8 vjet e bluan mendime në opozitë, dhe tani vjen në zgjedhje me opsione miope, të pastudiuara, që i hedh në popull sa për konsum elektoral dhe nuk ka të qartë asgjë. Kështu Partia Socialiste nuk merr në konsideratë këto faktorë:

Gjendja aktuale e arsimit profesional dhe nevojat e tregut

Aktualisht ka shumë nisma për formim profesional, ku nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, prej kohësh është reklamuar në forma të ndryshme, deri edhe nëpër panairet e punësimit, hapjen e qendrave të formimit profesional. Në këto qendra po bëhet ajo që Rama thotë se do bëjë, pra po përgatiten zanatçinj. Nga ana tjetër nuk mungojnë shkollat profesionale private, siç është Harry Fultz, apo siç ishte shembulli i shkollës poligrafike ku një kompani private në fushën e shtypshkrimeve përgatiste operatorë të makinerive të shtypit, kryesisht për nevojat e vetë kompanisë, por që e mbushi tregun me operatorë të kualifikuar. Shembuj të tjerë janë edhe shkolla të ngjashme private, të cilat janë diktuar nga vetë nevojat e tregut. Shkolla Vitrina është një shembull tipik i investitorit në treg, pikërisht me idenë që këtë e kërkon vetë tregu. Sigurisht që tregu orientohet vetë kur sheh që ka mungesë për një zanat të caktuar. Investitorët e shohin me interes të investojnë para për të prodhuar diçka që në treg mungon.

Gjithashtu në gjendjen aktuale të arsimit duhet të merren në konsideratë edhe përgatitjet profesionale që ndodhin në rrethana të tjera, si ajo e trashëgimisë familjare, kur prindi e mëson vetë fëmijën e tij, apo formimi profesional që ndodh në ambientet e burgjeve. Personalisht më ka rënë rasti të njoh disa teknikë automjetesh që vijnë të formuar nga burgu dhe ofrojnë servise për makinat. Ndërkohë, ka edhe shumë zanate që individët i mësojnë shpejt dhe pa ndonjë nevojë për shkolla të veçanta, si procese të ndryshme në ndërtim, berberi, stampimet grafike, industria e paketimit, picajoli, etj.

Pasiguria që zanatçinjtë do të gjejnë punë

Një nga problemet që PS synon të zgjidhë me shkollat profesionale është pikërisht që të sigurojë punësimin e individëve, të cilët nuk do të mund të gjenin dot punë nëse do merrnin diplomën e një shkolle të lartë. Por as kjo nuk ka garanci. PS nuk ka bërë asnjë studim që të arrijë në konkluzionin se sa shkolla profesionale do të hapen. Keni dëgjuar gjë ju? Nuk thotë as sa kuota kanë menduar të hapin. Po për këtë keni dëgjuar gjë ju? Nuk keni dëgjuar gjithashtu as se sa do jetë kostoja që do rëndojë në buxhetin e shtetit për hapjen e të gjitha këtyre shkollave profesionale, përveç që mungon një studim i mirëfilltë i gjendjes.

Pa pasur asnjë ide nuk mund të jesh i sigurt se skema do funksionojë. Sepse mund të na ndodhë që pasi të mbarojnë shkollën të gjithë ata elektricistët dhe hidraulikët të mos gjejnë sërish punë. Kështu nuk do kemi më kamarierë me juridik, por do kemi kamarierë elektricistë.

Dëshira për të ndjekur arsimin profesional

Një nga faktorët më të rëndësishëm që bën të mos preferohen shkollat profesionale është mungesa e dëshirës. Të rinjtë nuk janë aspak të joshur për tu bërë profesionistë zanatçinj. Askush nuk ka dëshirë dhe ëndërr që të bëhet elektricist, hidraulik, apo bojaxhi. Dikur në kohën kur shkolla e lartë ishte e paliberalizuar, sigurisht që këto profesione zgjidheshin nga halli e jo me dëshirë. Dikur skena dominohej nga tendenca për ekonominë e centralizuar, ku shteti llogariste me pikatore kuotat për kuadrot me shkollë të lartë dhe gjithë pjesa tjetër e popullit nuk kishte se çtë bënte, duke u orientuar tek zanatet.

Sot situata është shumë ndryshe sepse jo vetëm shkollat e larta janë të liberalizuara, por edhe sepse shkëmbimi i informacionit mes të rinjve u ka hapur sytë atyre dhe i ka bërë idetë më të qarta mundësitë për të realizuar një ëndërr, qoftë edhe sikur shkollën ta bëjnë kot. Gjithçka sot diktohet nga një lloj mode që ofrojnë modelet që i sheh gjithandej. Kështu prindërit, por edhe vetë të rinjtë, rendin të gjuajnë mundësitë për shkolla të larta, sepse duan të bëhen si modeli i tyre i suksesit.

Modeli i intelektualit është kudo i suksesshëm. Së pari për arsye ekonomike, sepse intelektuali ka gjasa të fitojë më shumë të ardhura se zanatçiu. Së dyti, për arsye sociale, sepse intelektuali ka pozicion më të mirë shoqëror. Ai rrethohet nga njerëz të njohur, bën një punë të respektueshme, qëndron në një zyrë të mirë, nuk lodhet me punë krahu, me graso e me gazetë në kokë. Intelektuali është gjithashtu modeli që ofrohet nga të gjithë politikanët. Shihni me kujdes kandidaturat. Janë të gjithë njerëz me shkollë të lartë, të veshur shik, të artikuluar mirë, të rrethuar me njerëz të ngritur, që konsumojnë kohë në ambiente luksoze dhe bëjnë jetë vanitoze.

Ndërsa modeli i zanatçiut nuk është i suksesshëm. Sigurisht që ka zanatçinj që fitojnë të ardhura mjaft të mira, por ata janë tmerrësisht pak, krahasuar me intelektualët që fitojnë të ardhura të mira me shumë më pak lodhje. Zanatçiu punon me hekura, me dërrasa, me bizele e karota, me derra e lopë, me graso deri në fyt. Zanatçiu rrethohet nga njerëz që zakonisht bisedojnë për sportin, lotot, birrat, makinat. Ky model nuk

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›