PLURALIZMI NË UDHËKRYQ
Nga LUAN KURTI
Jo domosdoshmërisht numri i partive, shoqatave, OJQ-ve, mediave, tregon se kemi demokraci, se pluralizmi është diçka e konsoliduar dhe vlerë e padiskutueshme. Sistemi i kaluar ishte sistemi i Njëshit absolutë, ku lideri dhe partia (pronësi e tij) shkriheshin në një të vetme. Por me ndryshimet e fundit kushtetuese të ndodhura pas vitit 2008, u shfaq po i njëjti fenomen. Njëshat tani janë më të fortë se kurrë dhe pushtetin e tyre sipas rradhës kërkojnë ta shtrijnë në çdo hallkë dhe institucion qeverisës. Tanimë zërat ndryshe pothuaj nuk ekzistojnë dhe konformizmi, yesmen-ët janë kthyer në rutinë, në mësim të stërpërsëritur. Liderët kanë në dorë fatin e çdo individi brenda kampit dhe u imponojnë stilin e tyre të të bërit politikë. Bindja do të thotë mundësi për të qenë në listën e fituesve, privilegje të garantuara, mosbindja të rreshton tek xhaketat e vjetra, tek vulëhumburit. Ne populli, votuesit e thjeshtë, nuk votojmë më për njerëz konkret, por për lista, për imazhe, për manekinë butikësh partiakë, të cilët reklamojnë idetë, fantazitë dhe modën e kryetarëve, dizenjuesve të të katër stinëve të viteve në vijim. Tani kandidatët nuk kanë nevojë të jenë shumë intelektualë, të kenë shumë gram, mjafton të njohin stilin e zvarritjes, të lëpirjes dhe të kenë kuletën të mbushur plot. Të tjerat janë llafe në erë!
Premtimet e bujshme, janë pjesë e dekorit të cilat kërkojnë të trullosin turmat, lëvizje boshe, hipnotizim, iluzion që të ngop me pjatën bosh. Gjithçka thuhet e deklarohet ska të bashkangjitur asnjë faturë, është një kontrabandë broçkullitjesh pa sens. Përderisa e gjithë lufta konsiston për të mbushur 140 karrige me imunitet, ata duhet të japin prova papërgjegjshmërie që në stazh!… Varfërisë, mjerimit, pasigurisë për të nesërmen i korespondojnë flamuj dhe postera gjigand, spote televizive të stilit romantiko- patriotik, shifra dhe sondazhe kompanish të huaja me emër që i çojnë në ekstazë turmat shtëitëse të shesheve. Përtej fasadës, protagonistët kanë përgatitur çeqet e lekëve, maunet me thasë mielli për njerëzit e uritur, për të qenë me këmbë në tokë. Ata nuk ia kanë besën popullit të cilit ofrohen ti shërbejnë me përvujtni, duan më tepër garanci. Garancia është buka, me të cilin tjetrin mund ta vësh në be, sepse pastaj të mbetet në fyt. Sipas kësaj teorie sa më shumë të varfër, sa më shumë pabuksa, aq më e sigurtë e ardhmja e perandorisë Rrofshin pabuksat! Pabuksat nuk mendojnë, nuk u del koha për këtë, atrofizohen nga hallet vetvetiu. Të tjerët që si përkasin kësaj kategorie, të japin munxët: ose të vënë kryq në fletën e votimit, ose nuk dalin fare nga shtëpitë atë ditë dhe e ndjekin gjithçka me indiferencë nga ekranet e televizorëve. Duke vepruar kështu ata nuk e kuptojnë se herët a vonë do kenë fatin e të parëve. Harrojnë se fatin e tyre e vendosin mediokrit, shtresat më të ulta dhe rurale të popullsisë. Ndërgjegjja e qetë (me demek, i kam refuzuar!), është një vetëmashtrim, vetësugjestionim.
Prandaj ambasadorët e huaj kanë kohë që i bëjnë thirrje shoqërisë civile, njerëzve me integritet që të dalin nga guacka e tyre, sepse është pikërisht koha, momenti: Demokracia është në rrezik, Pluralizmi po gulçon në grahmat e mosekzistencës. Po veshët tanë të dyllosur e kanë të vështirë ta dëgjojnë, ta perceptojnë sinjalin, dhe në vend të mendimit, në vend të ideve pjellin vetëm shfrime, vetëm mallkime, vetëm lutje, vetëm përgjërime; një shpresë të marrë, të shkyeme të stilit Migjenian. Sheshet, sallat ishin dhe mbeten të partive. Shtatëdhjetë, Tetëdhjetë, Njëqind parti, Njëqind e(!) Edhe sheshet i kanë parcelizuar. Popullit i përkasin qoshet, rrugicat, semaforët, kafenetë, ku teksa zbrazin barkun, shpirtrat e bërë det nga hidhërimi, tjerrin e tjerrin tym duhani pa mbarim. Kemi krizë besimi, jo vetëm tek politika, por edhe tek njëri tjetri. Madje shahemi, përgojohemi, urrehemi, vritemi pa pasur asnjë arsye, thjesht për hobi, thjesht për forcë zakoni, thjesht se nuk dimë si të veprojmë ndryshe. Bota i është drejtuar universit, eksploron hapësira, mundësi të reja, kurse ne e nisëm dhe po e mbyllim me pyetjen, kush jemi dhe ku po shkojmë! Kriza e tyre dhe kriza jonë janë katërcipërisht të ndryshme