Demokristianizmi si vlerë njerëzore dhe politike
Nga Frrok Gjini*
Tonin Alia
Demokristianizmi si vlerë njerëzore e qytetërimit global dhe si alternativë politike me nuanca përcaktuese në spektrin e ngjyrave politike të kontinentit të vjetër, përbën një pasuri të madhe në botën e ideve, platformave dhe sfidave progresive, me të cilat ballafaqohet sot shoqëria e përbotshme moderne.
Që nga formatimi si doktrinë filozofike dhe religjioze vepruese, me rrezatim të gjerë gjithëkohor e gjithëhapësinor, kristianizmi dhe më vonë demokristianizmi kanë sjellë gjithnjë në kuota të reja ngjitëse frymën e bashkëjetesës e tolerancës, në një botë që duket se po bëhet gjithnjë e më përjashtuese ndaj grupeve e shtresave të ndryshme të shoqërisë.
Nuk ka reformë vërtetë të madhe e shndërruese në Europë e më gjerë që nuk ka vulën e alternativës politike të demokristianizmit. Demokristianët kanë qenë dhe mbeten katalizatorë të të gjitha atyre nismave në rajon e në botë që kanë promovuar e gjeneruar vlera paqeje, tolerance e bashkëpunimi.
Në erën e re globale që po fryn në këtë fillimshekulli të ri, demokristianizmi është një vlerë e madhe morale, njerëzore dhe politike, që apelon për paqe, tolerancë, bashkëjetesë dhe pranim të tjetrit, ashtu siç pranon veten tënde dhe familjen tënde.
Dihet roli i madh që kanë luajtur partitë demokristiane në Europë për ta nxjerrë kontinentin e vjetër nga ngërçet dhe keqkuptimet historike, nga fryma e konfliktualiteit dhe nga të gjitha devijimet e mundshme që burojnë nga psikozat izoluese dhe përjashtuese.
Demokristianizmi si vlerë njerëzore ka përfaqësuar dhe përfaqëson paqen dhe bashkëjetesën, në një shoqëri globale ku gjithnjë e më shumë dalin në pah konfliktet dhe ndasitë religjioze, trevore, racore, partiake e ideologjike.
Demokristianizmi në Europë i jep një profil të plotë një fronti të përbashkët politik në kontinentin plak, që synon të ruajë e të gërshetojë vlerat e tradicionalizmit politik me risitë e modernitetit, duke shtuar dimensionet e integritetit të një shoqërie globale, që synon të formatojë shanse e mundësi të reja për të gjetur vetveten dhe për të qenë të mbrojtura të gjitha shtresat dhe nivelet shoqërore.
Demokristianizmi si alternativë politike e qendrës së djathtë, përkrah, nxit dhe promovon paketa sociale, që synojnë ta bëjnë kapitalizmin më të pranueshëm dhe më zemërgjerë ndaj të gjitha shtresave sociale të shoqërisë njerëzore, në kuptimin që gjithkush në këtë botë të ndihet i dobishëm, i vlerësuar, i nevojshëm dhe me mundësi optimale për një jetë të lirë e të shëndetshme.
Vetë Bashkimi Europian ka vulën e tij si krijim nga partitë demokristiane të Europës.
Edhe në Shqipëri, edhe pse pluralizmi politik ka një moshë të re, demokristianzimi ka dëshmuar pjekuri politike, maturi dhe një kurs të pakthyeshëm në drejtimin e duhur, në drejtimin e reformave, që çojnë ujë në mullirin e shumicës dërmuese të popullit.
Partia Demokristiane Shqiptare është një parti me një pjekuri të plotë dhe CV të pasur politike, gjithashtu dhe me një pasuri vlerash etike e morale, të cilat i ka dëshmuar në të gjitha rastet, qoftë në bashkëqeverisje, qoftë në bashkëopozicion (bashkëopozitë), duke dëshmuar se di të ngrihet mbi interesat e saj të çastit, në emër të sistemit të vlerave që mbron dhe përfaqëson.
Forumi i Partisë Demokristiane me titull Alternativa Demokristiane në Europë, alternativa Demokristiane në Shqipëri, mbajtur para pak kohësh, evidentoi faktin se Shqipëria ndodhet në një realitet të ri politik, çfarë do të thotë se duhet një alternativë e re politike dhe ajo mund të gjendet tek alternativa demokristiane, si një pasuri globale njerëzore, filozofike, etike, morale dhe politike.
Shqipëria ndodhet në një stad të ri politik, ku reformat më të rëndësishme kërkojnë bashkëpunim, dialog, kompromis dhe mbi të gjitha vullnet politik për të marrë vendime që nuk kanë të bëjnë me interesat e ditës, por me të ardhmen tonë, me synimin e integrimit të plotë politik të Shqipërisë dhe shqiptarëve në familjen europiane.
Ky shekull ka hyrë në botën tonë si shekulli i shqiptarëve dhe i tillë do të vazhdojë, duke vijuar të promovojë sistemin e vlerave të kombit shqiptar, që edhe pse i ndarë në pesë shtete, në histori ka ditur të përcjellë mesazhe gjithëkohore e gjithëhapsinore, për dje, për sot dhe për nesër.
Fushata është në pikun e vet dhe duket se ekziston një vullnet i mirë politik, për tu ngritur mbi defektet e së kaluarës së afërt. Por ende jo gjithçka shkon si në vaj dhe mjaft komplekse dalin dhe evidentohen, duke na lënë të kuptojmë se ende kemi shumë punë për të bërë, për të mësuar nga gabimet dhe zhgënjimet.
Gjuha e forcës që vërehet tek tuk në këtë fushatë zgjedhore, ku fjalë kyçe janë fjalë që janë larg toneve të qytetarisë dhe frymës së bashkëjetesës qytetare e politike, tregojnë se modelet që ekzistojnë, siç është modeli demokristian i sjelljes politike, nuk po aplikohen nga lidershipet e disa partive.
Rrekja për ta zhvendosur fushatën nga një fushatë për qytetarin dhe nevojat e tij (çfarë kërkon punë serioze dhe ide e projekte po kaq serioze), në një fushatë politike, për më tepër në një fushatë të tensionuar politike, mbart me vete hilenë e shmangies nga përgjegjësia e nesërme për atë çfarë kanë premtuar të bëjnë kandidatët, kur të ulen si deputetë në Kuvendin e ri të Shqipërisë.
Deformimi i analizës së shkaqeve të këtyre ngjarjeve që nxisin agresivitetin dhe ulin frymën e bashkëpunimit politik, për të mirën e kombit, nuk shërben për gjë tjetër, përveçse për rritjen e tensionit dhe acarimit të disa kandidatëve, që iu duket se nuk janë në garë elektorale, por në ring.
Ne demokristianët ofrojmë një model ndryshe, një model që e ka burimin e frymëzimit tek simotrat tona europiane dhe është një dorë e zgjatur bashkëpunimi për të gjithë ata që duan të dëgjojnë zëra paqeje, tolerance, bashkëpunimi, bashkëjetese, zëra që në thelb kanë të bëjnë me respektimin e tjetrit, aq më shumë të kundërshtarit, si vlerë e shoqërisë së vërtetë demokratike.
Kjo fushatë duhet të promovojë një energji tjetër, energjinë progresive që ka në themel të saj frymën e paqes e të vëllazërimit, pasi para se të jemi të majtë e të djathtë, të skajit apo të qendrës, konservatorë apo liberalë, jemi shqiptarë dhe kemi një atdhe të përbashkët, një gjuhë, një gen, një histori, një popull, ndaj të cilit jemi përgjegjës për gjithçka që flasim e bëjmë, jo vetëm tani, gjatë fushatës elektorale, por në çdo kohë.
*Kandidatë nr. 1 e nr. 2 të Partisë Demokristiane për deputet në qarkun e Tiranës