E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë zhurmë e Lubonjës për pak gjë

zaloshnja-topstory_3Nga Eduard Zaloshnja

Në një shënim të djeshëm në respublica.al rreth diversioneve që po bëhen ndaj koalicionit opozitar (http://respublica.al/artikuj/2013/06/03/shenim-vazhdojne-diversionet-ndaj-koalicionit-opozitar) kisha ngatërruar një videoklip të Doktor Florit me një të ngjashëm të një grupi tjetër hip-hop, i cili e kishte entuziazmuar Fatos Lubonjën. Një lexues e vuri në dukje ngatërresën time të videoklipeve dhe menjëherë e korrigjova gabimin. Kjo gjë u bë shkak që Lubonja të botonte sot tek gazeta Panorama një shkrim të gjatë me një lumë të gjatë akuzash ndaj meje. Nuk më duket e udhës ti përgjigjem akuzave të Lubonjës një nga një (mund ti lexoni në nyjen http://www.panorama.com.al/2013/06/05/mjaft-me-me-ju-gazetare-llogoresh/). Sidoqoftë mendoj se vlen të bëj sqarimin e mëposhtëm për Lubonjën.

Unë nuk e siguroj ushqimin e familjes time me publicistikë apo analiza televizive (siç ndoshta e siguron Lubonja), por me punë studimore që nuk ka fare të bëjë me publicistikën, politikën apo ekonominë shqiptare. Madje nuk kam as edhe më të voglën lidhje ekonomike me çfarë ndodh në Shqipëri, sepse punoj për një institut studimor në SHBA. Arsyeja përse unë jam aktiv në mediat e shkruara dhe vizive shqiptare është e thjeshtë jam një përkrahës i vendosur i rrotacionit të pushtetit, pavarësisht se kush është në pushtet. Kështu kam qenë në këto 23 vjet e kështu do të jem edhe pas 4, 8, 12, 16, 20, …… vjetëve. Pikë.

Arsyet përse jam përkrahës i rrotacionit dhe se çfarë më motivon për këtë përkrahje i kam bërë të qarta në shumë shkrime dhe komente të mija televizive. Falë Google-it, kushdo mund ti lexojë apo ridigjojë ato.

Në situatën aktuale mendoj se çdo votues i majtë që e dëshiron rrotacionin, bën mirë të marrë pjesë në zgjedhje dhe të votojë për një nga partitë e koalicionit të majtë, por jo për parti apo kandidatë të pavarur jashtë këtij koalicioni. Nga ana tjetër, çdo votues i djathtë që e do largimin e Berishës nga pushteti, bën mirë të votojë për FRD-në. Ndërsa ata të djathtë që e duan Berishën edhe 4 vjet në pushtet, le të votojnë për një nga partitë e koalicionit të djathtë.

Ky është opinioni im, të cilin kam gjithë të drejtën e zotit ta kem. Ndërsa Lubonja ka opinionin se gjëja më e mirë që duhet të bëjnë votuesit është që të marrin pjesë në zgjedhje, por ti vënë një kryq të madh fletës së votimit.

Ata që na lexojnë apo dëgjojnë, le të gjykojnë vetë mbi secilin opinion.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›