E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut projekton 37 filma në Akademinë “Marubi”



Që prej 2006-s, Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” organizon përvit Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri. Ky Festival është mundësuar edhe falë bashkëpunimit me një sërë organizatash dhe institucionesh vendase dhe ndërkombëtare të tilla si Fondacioni Friedrich Ebert, UNICEF, Ambasada Zvicerane, Ambasada e Francës, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Austrisë, Ambasada Amerikane, Instituti Shqiptar i Medias, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, OSBE, Këshilli i Europës, UNDP, Utica College, IHREC, etj. Bashkëpunimi dhe mbështetja e tyre kanë bërë të mundur zhvillimin e Edicionit të Katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Për shkak të gjendjes së krijuar dhe mos zgjidhjes së çështjes Marubi, Festivali i parashikuar të zhvillohej në Prill të këtij viti, u shty për datat 29 shtator – 3 tetor 2009. Përmes filmave dhe tematikave të përzgjedhura, ky edicion me rëndësi të veçantë kulturore e politike thekson edhe një herë, më shumë se kurrë, rëndësinë e mbajtjes së një aktiviteti të tillë në Shqipëri. Gjatë 5 ditëve të Festivalit do të shfaqen 37 filma nga e gjithë bota, të cilët janë përzgjedhur nga Komiteti Selektiv i Festivalit. Një pjesë e këtyre filmave do të prezantohen nga vetë kineastët, fitues të çmimeve ndërkombëtare, që tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje artistike me rëndësi kombëtare. Filmat e zhanreve të ndryshme trajtojnë çështje të të drejtave të njeriut që edhe pse i referohen vendeve të tjera, hedhin dritë direkte mbi realitetin dhe fenomene të shoqërisë shqiptare. Nëpërmjet tyre, publikut shqiptar do t’i krijohet mundësia jo vetëm të njihet me realitete të dhimbshme të shoqërisë njerëzore, por edhe të reflektojë mbi problemet e shoqërisë sonë. Filmat trajtojnë tabllo rrënqethëse, ankthe, dilema e tabu nga jeta e përditshme e mbarë planetit tonë ku janë vënë në pikpyetje vlera morale, etike e shpirtërore; ku individë, grupe shoqërore e vende të ndryshme kanë humbur çdo lloj perspektive e shprese ndaj të ardhmes së tyre. Fëmijë që shiten, gra që dhunohen, glorifikime krimi, tiranësh e diktatorësh, korrupsion, lavazh truri e parash, oligarkë feudalë e ndotës bërthamorë që detyrojnë popuj të zgjedhin mes helmit dhe varfërisë, intolerancë etnike, fetare e homofobike. Këto janë disa nga afresket rrënqethëse që do të shoqërojnë pamjet tona gjatë këtyre ditëve të Festivalit të katërt Ndëkombëtar të të Drejtave të Njeriut në mjediset e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Risi e këtij viti janë dhe organizimi i forumeve të hapura me nxënës të shkollave të mesme të interesuar për të diskutuar çështjet të drejtave të njeriut. Debatet do të zhvillohen rreth problematikave të të drejtave të grave e fëmijëve, të drejtat e minoriteteve etj.

28 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›