Ardian Hoxha- Berishës: Më vrave babain prej frikës se mos zbardhte takimin tuaj me Millosheviçin dhe Gligorovin

Ardian Hoxha
Ardian Hoxha, djali i biznesmenit shqiptar Remzi Hoxha, i zhdukur 16 vite më parë, i ka drejtuar një letër të hapur Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, të cilin e ka akuzuar se ka bashkëpunuar me Serbinë. Në letër thuhet gjithashtu se pikërisht pse babai i tij dinte për takimet sekrete të Sali Berishës me Sllobodan Millosheviccin dhe Kiro Gligorovin (ish-presidentin e Maqedonisë), është vrarë nga njerëzit e Berishës, në atë kohë president i Shqipërisë.
Me shumë dhembje ju drejtohem sot juve si reagim ndaj deklaratave tuaja për ata që punojnë për Serbinë, për shkak se nuk dua të bëhem pjesë e politikës tuaj ditore dhe lojërave tuaja për pushtet, megjithatë do të shprehem sepse ju nuk po e thoni të vërtetën. Për më shumë, ishin informacionet se kush punonte me Serbinë dhe për Serbinë që ju shtynë të zhdukni babain tim, Remzi Hoxhën, thuhet në fillim të letrës së Ardianit, drejtuar kryeministrit shqiptar, Berisha, në të cilën theksohet se familja Hoxha për 16 vitesh është përmbajtur dhe nuk i kishte dhënë kahje politike çështjes së zhdukjes së Remzi Hoxhës.
Me këtë letër/vepër nuk jam duke e mbrojtur z. Rama për të cilin jeni deklaruar se punon për Serbinë dhe nuk dua që kjo të kuptohet si e tillë, por thjesht dua që tua rikujtoj juve se kush me të vërtetë ka punuar me Serbinë dhe për Serbinë. Për më shumë, familja jonë nuk është e pozicionuar me asnjë parti politike, qoftë në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni, dhe është mbi-politike, pra me popullin. Pra, ne nuk jemi as me të majtën, as me qendrën, e as me të djathtën, thuhet në letër në të cilën i kërkohet Berishës se e ka për obligim tia sqarojë popullit Shqiptarë fatin e Remzi Hoxhës.
Babain tim, Remzi Hoxhën, njerëzit tuaj me ju në krye si President i Shtetit, e keni zhdukur mu për shkak të frikës së zbardhjes së veprave tuaja me Serbinë dhe për Serbinë. Ju, Sali Berisha, duhet ti tregoni popullit Shqiptarë për takimin tuaj me Sllobodan Millosheviçin dhe Kiro Gligorovin, më 31 Maj, 1993, në Shën Naum të Maqedonisë, dëshmitar i të cilit ishte edhe babai im. Ju po ashtu duhet tia tregoni popullit Shqiptar takimin e Bashkim Gazidedes me Arkanin (njeriu që ishte udhëheqës i masakrave ndaj Shqiptarëve), në Shkodër, thuhet në letër, e cila vazhdon me akuza ndaj Berishës për mbështetje të tij ndaj Serbisë, në kohën sa kjo e fundit ndodhej nën sanksione të bashkësisë ndërkombëtare.
Ju, Sali Berisha, ishit ata që ndihmuat Serbinë me naftë për ta ndezur edhe më tepër luftën në Ballkan, dhe për ti mbushur me naftë tanket e paramilitarëve dhe ushtarëve Serb që masakruan mbi 10 000 Shqiptarë, që dhunuan nënat, motrat dhe vajzat Shqiptare, e që dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milionë Shqiptarë, kur e gjithë bota i kishte vënë embargo Serbisë. Ju, Sali Berisha, ishit ata që ndihmuat këta Serbë, që sot janë duke u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të cilët akoma kërkojnë ta marrin një pjesë të Kosovës. Ju, Sali Berisha, ishit ata që burgosët Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Hashim Thaçin, e shumë patriotë të tjerë Shqiptarë të cilët u vranë nga po këta Serbë, dhe ndoshta nga nafta juaj. Andaj, ju lutem mos u merrni me këtë temë sepse na e shtoni dhembjen edhe më shumë. Në fund ju pyes juve: Kush qenka ai që punon me Serbinë dhe për Serbinë?, përfundon letra e hapur e Ardian Hoxhës drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. /KosovaPress/
* * *
Berisha: Kujt po i shërben kreu i PS-së, Shqipërisë apo Serbisë? Rama: Programi i kryeministrit, mbetet shpifja
Kryeministri Berisha ka lëshuar akuzat e radhës ndaj kreut të PS-së, duke e cilësuar atë si shkaktar të bllokimit të reformave, gjë që po vonon marrjen e statusit të kandidatit për në BE.
Duke folur në aktivitetet për nder të 7 Marsit në Korçë, Berisha u shpreh se kryesocialisti Rama me qëndrimet e tij herë pro e herë kundër Kodit Penal, nuk e di se kujt i shërben.
Rama një herë pro dhe një herë kundër Kodit Penal, nuk e di kujt po i shërben, Shqipërisë apo Serbisë. Rama u angazhua dje se do të votojë gjithçka për statusin, por para 10 ditësh nuk donte të votonte.
Duke u ndalur në marrjen e statusit të kandidatit nga Serbia, Berisha u shpreh sepse ajo nuk ka opozitën që ka Shqipëria.
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ramës në Tuiter. Përmes mesazhit të shpërndarë të rrjetin e tij të preferuar, Rama shprehet se Një qeveri që vetëm i kërkon llogari opozitës, pasi vetëm shpif ndaj saj është fytyra e rrënimit. Çarja në tresh e PD flet vetë për rrënimin.
Sipas Ramës, në kushtet kur qeveria ka një program të tipit Shpif shpif se diçka mbetet, dy janë alternativat: Një rilindje shqiptare ose ky rrënim i vazhdueshëm. / G.N.