E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkup, 5 nxënës shqiptar dhunohen brutalisht

Një nga nxënësit e dhunuar

Pesë nxënës shqiptarë të rrahur mbrëmë nga persona të maskuar në Shkup janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Nxënësit e rrahur brutalisht sot në Spitalin e Qytetit në Shkup kanë rrëfyer tmerrin dhe dhunën që kanë përjetuar mbrëmë në autobusin e linjës Shkup – Çiflik.

Në gjendje më të rëndë kome është nxënësja Amire Sulejmani, 17 vjeç, e cila është rrahur gjithashtu brutalisht dhe ka marrë goditje të rënda në stomak dhe kraharor.

Të plagosurit e tjerë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me trauma janë edhe Suat Iljazi, Xhemajl Ademi, Elham Jahiu, Sheval Sulejmani nga shkolla e mesme Zef Lush Marku.

“Derisa po udhëtonim drejt fshatit tonë Çiflik të Karshiakës rreth orës 19.50 në një stacion kur ka ndalu autobusi kanë hyrë mbi 30 persona të maskuar me mjete të rënda dhe që kanë nisur të godasin dhunshëm të gjithë neve që ishim nxënës. Ne i kuptuam se bëhet fjalë për huliganë maqedonas dhe ata godisnin pamëshirshëm dhe është për çudi se si na kanë goditur vetëm neve që ishim shqiptarë. Pas dy minutave kam humbur vetëdijen dhe nuk mbaj mend më çfarë ka ndodhur “, shprehet Sheval Sulejmani.

Sipas nxënësve dëshmitarë, më shumë se 20 persona të maskuar kanë hyrë në autobus të pajisur me shufra druri, gome dhe mjete tjera të hekurit.   Siç bëhet e ditur, vajza e sulmuar rëndë, Amire Sulejmani kohë më parë ka pasur një ndërhyrje mjekësore përmes operacionit dhe se dhuna e ushtruar i ka përkeqësuar gjendjen e saj shëndetësore. /INA/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›