E Diel, 1 Nëntor 2026

Ardian Isufi sjell në kohë filmin “I teti në bronz”

Udhëtimit të bustit të Ibrahim Kovaçit, i shtohet ai i shtatores së një heroi anonim.

Me dialogun mes prindërve të moshuar dhe mësuesit mbyllet rrugëtimi i gjatë i bustit të Ibrahim Kovaçit, për në fshatin e lindjes, ku vendoset për t’u adhuruar nga të gjithë. -Do ishte më mirë sikur ta merrnim sonte në shtëpi.

-Nuk bën nënë. Ai nuk është vetëm i juaji, ai është i të gjithëve.

-Mirë, le të qëndrojë këtu.

Bri tij, heroin anonim e shtrijnë mes rrënojash, brenda oborrit të Muzeut Arkeologjik në Durrës. Ndërsa flitet vazhdimisht për rishkrimin e historisë, artisti Ardian Isufi na sjell një variant artistik të rrugëtimit shqiptar në ekspozitën e tij “Solo show”. Nga mitizimi te çmitizimi. E konceptuar në dy pjesë, “Një herë e një kohë-Në kohë edhe një herë” dhe “Pa titull në kohë”, ekspozita e hapur në galerinë FAP ofron një rikonstruksion të së shkuarës në të tashmen.

Dialog monumentesh

Në pjesën e parë, ku ekspozohen tablo të përmasave të mëdha, luhet me simbolet që ka lënë e shkuara dhe si janë inkuadruar ato në tablonë e realitetit të sotëm. Oxhaku i famshëm i Fabrikës së Qelqit në Kavajë, kthyer në një minare, piedestali ku dikur ngrihej shtatorja e Stalinit përpara Kombinatit të Tekstileve në Tiranë, kthyer në një monument më vete dhe një vend “thirrjesh” elektorale, monumenti i pavarësisë në Vlorë që komunikon me “heronjtë” e sotëm në luftë me mbijetesën, me dikë që shet në një kioskë me emrin “Vagabondi” dhe një grua që shet banane ndanë rrugës.

“Në dy imazhe nga qendra e kryeqytetit (Under Construction), bashkëjetojnë skelat e rindërtimit; ‘grataçelat’ Made in Albania; strukturat e bronzta ngritur me pasion nga regjimi komunist; reklamat e botës së sotme e figura triumfuese të Luftës Nacionalçlirimtare. Ato herë përshëndesin njëra-tjetrën e here në heshtje duket se kanë pranuar ironinë e fatit”, thotë koordinatori i ekspozitës, Ermir Hoxha. Në sallën tjetër (në të djathtë), vijon një kolazh punësh, ku piktori nxitet nga romani “Dimri i madh” i Ismail Kadaresë.

Në qendër të sallës qëndrojnë dy tablo që mbështeten te njëra-tjetra. Njëra është një variant i zmadhuar i kopertinës së romanit “Dimri i madh” në gjuhën frënge “Le grand hiver”, ku paraqitet një grup punëtorësh, burrash e grash me grushtin lart, me vepra të Enver Hoxhës në duar dhe në sfond portreti i ish-diktatorit. Ngjitur me të njëjtët personazhe, duket sikur udhëtojnë në hapësirë, pa kohë edhe pa vend.

“Kjo kopertinë libri është një dëshmi e një lloj ‘fejese’ që artistët ishin të detyruar të bënin me sistemin, në kohën e diktaturës”, thotë Ardian Isufi. Ndërsa në sfond janë dy tablo, që me një sy të shpejtë duken si peizazhe, por më pas arrin të shquash kupolat e bunkerëve dhe avionët e prodhuar në vend, simbole të një dimri të madh e të ftohtë që kaloi Shqipëria për 45 vjet.

Çmitizimi i heroit

Në përvjetorin e vdekjes së komisarit Ibrahim Kovaçi, shtatë nga shokët e tij të luftës: mësuesi, Arifi, Alma, doktor Borova, Andoni, Rustemi dhe Xhemali shoqërojnë bustin e heroit për në fshatin e tij të lindjes, ku edhe do të vendoset.

Ata e mbajnë në supe bustin e Ibrahimit. Shumë vite më vonë, heroi anonim i Durrësit është hedhur në rimorkion e një kamioni, i shoqëruar vetëm nga shoferi. Gjithmonë mbi temën e mitizimit dhe çmitizmit, artisti Ardian Isufi sjell një qasje sa interesante, aq edhe ironike njëkohësisht. Në njërën prej sallave të FAP-it, atë në të majtë, ka sajuar një kinema. Një nga ato të kohës së diktaturës, me karrige druri e prozhektorë të vjetër. Është kinema “Republika”, që dikur e nisi jetën si “Diana” e përfundoi si “Millenium 1″. Sot nuk është më.

“Kjo është kinemaja e munguar e kryeqytetit. Dikur kinematë nuk ishin vetëm vende për shfaqjen e filmave. Njerëzit aty organizonin evente të rëndësishme për jetën e tyre, si ceremoni lindjesh, fejesash… Aty bëhej edhe ndonjë pazarllëk i vogël…”, thotë Isufi.

Por më interesante është çka vjen më pas. Pas perdes, në dy ekrane që i mbivendosen njëri-tjetrit, shfaqen njëkohësisht pjesë nga filmi “I teti në bronz”, i regjisorit Viktor Gjika (1970), skena e transportimit të bustit dhe transportimi nga muzeu arkeologjik i Durrësit i shtatores së një heroi anonim, që dikur ngrihej në ndonjë shesh, në drejtim të Tiranës, në galerinë FAP, për t’u bërë pjesë e ekspozitës “Teatri i hijeve”, dy vjet më parë. Autori e ka quajtur “Pa titull në kohë”. Diferenca është e dukshme.

Heroi nuk mbahet më në supe, ai ngrihet me vinç, vihet pas një makine, pastaj rreth 15 burra e tërheqin për ta futur në galeri. Kthimi është po ai. Dialogët patetikë të filmit të krijuar në vitet e diktaturës i mbivendosen një realiteti të ri. Kohët kanë ndryshuar. Busti i personazhit të Gjikës vendoset në mes të fshatit dhe shihet me admirim, si të ishte i gjallë, heroi i Isufit shtrihet mes rrënojave të antikitetit, fshehur syve të botës. (Panorama)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›