E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ardian Nuhiu , midis Sionit dhe Dinamos!

Reshat IBRAHIMI
Shkup- Pas përfundimit të kampionatit shqiptar të futbollit, lojtari dinamovit, Ardian Nuhiu është kthyer në shtëpi dhe po pret ofertat jo vetëm nga klubi aktual, por edhe nga ekipe të ndryshme të Europës. Paraqitjet shumë të mira të Nuhiut në finish të kampionatit i kanë detyruar drejtuesit e skuadrës të mendojnë më seriozisht për rinovimin e kontratës me sulmuesin shqiptar, i cili ishte i huazuar nga Rabotnicki te Dinamo. Nuhiu në gjashtë ndeshjet e fundit tregoi formë shumë të mirë, duke shënuar edhe dy gola që është edhe specialitet i tij. "Po është e vërtetë se në takimet e fundit të kampionatit kam luajtur bukur, ku përvec golave të shënuar kam bërë edhe asistime të mira në drejtim të bashkëlojtarëve të skuadrës. Ndërsa sa i përket rinovimit të kontratës me Dinamon, cështjen e kam lënë të hapur. Më kanë thënë se së pari do të vendosin për trajner dhe më pastaj do të përcaktohen për lojtarët që do të mbeten në klub", është shprehur sulmuesi Nuhiu. Ai thotë se në ndërkohë menaxheri i tij nga Kosova është në kontakte të vazhdueshme me skuadra nga Super Liga e Zvicrës, dhe ekziston mundësia që karrierën ta vazhdojë në Kampionatin helvetik. "Menaxheri më ka thënë se këtë javë ose më së voni javën e ardhshme do të dihet nëse do të shpërngulem në Zvicër. Ai është në bisedime me disa ekipe nga ky kampionat, më saktësisht është duke zhvilluar negociata me Sionin dhe shpresoj se gjithcka do të përfundojë mirë. Deri më 10 qershor duhet të qartësohen të gjitha dilemat rreth kalimit tim në këtë klub", ka njoftuar në fund Nuhiu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›