Bozhinovski kërkon takim me Shkëndijën

Moszhvillimi i ndeshjes së balotazhit që ishte në program të dielën i ka lënë në shi të hapur 8 mijë tifoz, të cilët me padurim e prisnin ndeshjen midis Shkëndijës dhe Teteksit. Kuqezinjtë dolën në fushën e gjelbër, ndërsa futbollistët e Teteksit kishin udhëtuar për në Shkup. Kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Maqedonisë
(FFM), Emill Bozhinovski deklaroi për Albania-Sport se nga drejtuesit e Shkëndijës do të kërkojë sqarime për mosardhjen e tyre në Shkup."Nuk do të sjellim asnjë vendim për këtë ndeshje. I kemi dërguar një letër kryesisë së Shkëndijës ku kemi kërkuar sqarime për mos udhëtimin e tyre në Shkup. Do të ulemi dhe të bisedojmë me Shkëndijën dhe t'i shohim arsyet e tyre", u shpreh kryetari Emill Bozhinovski. Ndërkohë kapiteni i skuadrës së Shkëndijës, Armend Elezi u shpreh se ata e kanë bërë punën e tyre, duke dal në terrenin e gjelbër. "Ne e përmbajmë Federatën, e cila është legjitime nga UEFA dhe FIFA. Nuk na interesojnë ‘skemat' që i bëjnë për ta shkatërruar Shkëndijën", tha Elezi. "Cdo herë kemi qenë të përgatitur e sidomos pas kësaj që ndodhi, kur futbollistët kundërshtar nuk dolën në terrenin e gjelbër", u përgjigj Elezi në pyetjen nëse Shkëndija është e përgatitur edhe për një ndeshje të tretë.
Ndërkohë sekretari i skuadrës së Teteksit, Zoran Maksimovski tha se Teteksi ende nuk ndonjë qëndrim të prerë lidhur me takimin që nuk është zhvilluar të dielën.
Mundje: Vrenezi fiton për herë të katërt
Lulzim Vrenezi është fitues i turneut të 31-të ndërkombëtarë "Margaritari i Maqedonisë", që gjatë kësaj fundjave është mbajtur në Radovish, edhe pse më herët nuk ishte në emëroren e selektorit Shorov (u ftua me vonesë). Gjatë turneut ai ka qenë superior duke i mposhtur kundërshtarët e tij, ndërsa suksesin e ka vulosur pasi në finale mposhti garuesin nga Bullgaria me rezultat 2-0. "Falënderoj
FMM në krye me Shaban Sejdiun, i cili më mundësoi të paraqitem në këtë turne. Kjo fitore më ka dhënë vullnet për të përgatitur sa më mirë për turnet e ardhshme që do të jenë në vazhdim", deklaroi pas përfundimit të garave, Lulzim Vrenezi. Ndërkohë luftëra të shkëlqyeshme kanë treguar edhe mundësi i talentuar të KM Shkupi, Fatos Dërmishi (kat. 55 kg), i cili zuri vendin e tretë dhe Arsim Zejnullahu, i cili poashtu fitoi të njëjtën medalje, duke mposhtur garuesin serb. "Falënderoj minierën ‘Bucim-Jaka', kryetarin e komunës së Radovishit dhe kryetarin e Komitetit Olimpik në krye me Vasil Tupurkovskin, të cilët ndihmuan turneun në aspektin financiar. Ndërsa Agjencioni për Rini dhe Sport as që ka qenë i interesuar", u shpreh kryetari i FMM-së, Shaban Sejdiu. "Organizimi i garave ka qenë shumë i lartë. Ka pasur ballafaqime interesante, ku do të kisha vecuar Lulzim Vrenezin, i cili më ka lënë përshtypje të mirë", tha Sejdiu. Në fund organizatorët kanë shpallur edhe tre mundësit më të suksesshëm të këtij aktiviteti. Mundës më i mirë vendor është shpallur Mitrov Dejan, mundës i jashtëm Velokov Radoslav nga Bullgaria, ndërsa Lulzim Vrenezi u shpall mundësi më i mirë i "Margaritarit të Maqedonisë".
Maratona Tetove-Tirane per nder te Bushit
Profesori i Edukatës Fizike në Universitetin Shtetëror të Tetovës, (USHT), Myftar Ziberi në bashkëpunim me rektorin prof. dok. Sadi Bexheti do të organizojnë maratonën "Tetovë-Tiranë". "Të shtunën prej rektoratit të USHT-së do të nisemi për në Tiranë. I kemi gjithsej 20 studentë (maratonist) të cilët do të vrapojnë në këtë maratonë. Do të vrapojmë me radhë në cdo qytet të Shqipërisë e deri te sheshi i Skënderbeut në kryeqytet", tha Zyberi. Ky organizim bëhet pasi javën e ardhshme në Tiranë do të arrijë presidenti amerikan Xhorxh Bush. "USHT-ja vrapon për Xhorxh Bushin. Kemi planifikuar të dalim dhe të vrapojmë deri në Tiranë. Ndërkohë për këtë organizimin të hënën do të kemi një pres-konferencë, ku do të shpalosim të gjitha planet për këtë maratonë, e cila bëhet për nderë të presidentit amerikan", u shpreh Zyberi. Ndërkohë në gjysmëmaratonën e 12-të me radhë që u mbajt në Nish të Serbisë dy garuesit e USHT-së, Adem Selmani dhe Zarife Elmazi shënuan rezultate shumë të mira. "Në Nish mikpritja ka qenë shumë e mirë. Dy garuesit tanë Selmani dhe Elmazi u pozicionuan në vendin e tretë, gjegjësisht të katërtin. Koha ishte pakë e nxehtë, por gjithcka kaloi sic është më së miri. Gjatë ndarjes së tri vendeve të para është përmendur Universitetit Shtetëror i Tetovës, pasi Selmani ka garuar nën ombrellën e USHT-së. Në këtë gjysmëmaratonë kanë marrë pjesë 317 garues, ndërsa prej tyre 62 kanë qenë femra.
Vullnet Dauti/Avdyl Salihu