Ardian Turku: “Telefonata që më bëri ministër”
Ministri i ri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku, ka bërë të ditur gjatë një interviste për Vizion Plusin se propozimin për t’u bërë ministër e ka marrë nga kryeministri Berisha nëpërmjet një telefonate. Megjithëse ende nuk është miratuar nga Kuvendi për postin e ministrit, Turku shprehet i vlerësuar nga propozimi i kryeministrit, ndërkohë që thekson se qëndrimi i tij vetëm për tre muaj në këtë post nuk i lë shumë mundësi për të treguar aftësitë e tij. Turku ka bërë të ditur në këtë intervistë se ndodhej në Strasburg në momentin kur ka marrë telefonatën dhe propozimin e kryeministrit. Sipas tij, kryeministri Berisha, i ka treguar gjithçka mbi skandalin publik dhe i ka bërë dhe propozimin për të marrë postin e ministrit të Kulturës. Sipas Ardian Turkut, vendimi i kryeministrit për të pasur në kabinet një ministër nga një qark i rëndësishëm si Elbasani, do të sjellë një erë të re në funksionimin e së djathtës, edhe pse ai vetë është i ndërgjegjshëm që në tre muaj, që do të ulet në kolltukun ministror, nuk mund të bëjë çudira. “Është e vërtetë që mënyra ime e të drejtuarit ka qenë marrja me projekte dhe kemi krijuar një strategji të qëndrueshme për qytetin e Elbasanit. Por është një periudhë e shkurtër kohe sepse jemi në prag të zgjedhjeve, ndërkohë që projektet duhen kohë të realizohen. Për aq sa e njoh unë Ministrinë e Kulturës, di që ka strategji të mira në fushën e kulturës dhe të turizmit. Unë do të përpiqem që të vazhdojë puna në Ministrinë e Kulturës dhe do të përpiqemi të rregullojmë diçka më shumë. Por dua të bëj të ditur se unë do të punojë për punët e përditshme, të mos mendojë kush se do të rri si kukull. Pra do të punoj, pavarësisht se është kohë fushate”, - është shprehur Turku.
9 Mars 2009