E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: “Duam pikë edhe ndaj Teutës”



Dy përballjet e këtij sezoni midis Teutës e Partizanit janë mbyllur jo vetëm në barazim, por në 180 minutat e luajtura si në “Tofik Jashari” (faza e parë, në Shijak) ashtu dhe në “Qemal Stafa” (faza e dytë, në kryeqytet) në portat respektive nuk u shënua asnjë gol (të dy takimet përfunduan 0-0).
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, një nga më të mirët në qarkullim, kërkon nga skuadra e tij të jetë me këmbë në tokë. “Faza e tretë është shumë e vështirë”, - tha ish-ndihmësi i Oto Bariçit, - “të gjitha përplasjet janë të tilla. Nuk ka ndeshje që mund t’i konsiderosh të lehta. Partizani ka si objektiv edhe në Durrës kundër Teutës të mos dalë pa pikë. Skuadra durrsake ka disa lojtarë të mirë, ku dua të veçoj sulmuesit e saj”.
Partizani është skuadra e fillimvitit 2009 (12 pikë nga 15 të mundshmet) dhe në të gjithë këtë ish-trajneri i Kombëtares U-17 të Shqipërisë ka dedikimin e tij. “Pikët e marra janë si rezultat i punës dhe sakrificës së futbollistëve”.
Të kuqtë mbërrijnë në “Niko Dovana” pas fitores së çmuar me Elbasanin në transfertë, ndërsa Teuta do të luajë sërish në shtëpi pas triumfit madhështor 4-0 me Vllazninë, që solli edhe dorëheqjen e trajnerit të shkodranëve, Agim Canaj.
Trajneri i Teutës, Sulejman Starova, tekniku që i ka dhënë titullin e fundit kampion Partizanit (1992-1993), është një njohës i mirë i të kuqve, teksa i ka drejtuar “demat” në sezonin 2005-2006.
Dikur shok skuadre me Shpëtim Duron te Partizani, të shtunën në Durrës “Bobi” do të kërkojë të fitojë ndaj ish-skuadrës së tij, duke u bazuar pikërisht te sulmuesit e talentuar.
Sulmuesi Vangjel Mile, njëri prej autorëve të golave kundër Vllaznisë, tha: “Teuta u rikthye te fitorja me Vllaznisë. Dëshirojmë të marrim sërish tri pikë edhe me Partizanin”.

Lala: “Ende nuk jam gati”

“Kam nevojë akoma për t’u rritur nga gjendja fizike. Për mua është shumë më mirë të luaj ende me amatorët, sesa të jem në Mynih, aq më tepër në bankinë”, - tha Lala, i cili do të luajë ndeshjen e tretë radhazi jo me profesionistët, por me amatorët e Hanoverit. Lajmi i mungesës së Lalës, sipas gazetës gjermane “Bild”, ka gëzuar mesfushorin e Bajernit, Frenk Riberi, ky i fundit pati një përplasje me shqiptarin në ndeshjen e vitit 2007.
Riberi e përcaktoi "xhuxhin luftarak" si një lojtar të pakëndshëm. "Ai nuk e kishte mendjen fare te topi, por si të godiste këmbët e mia dhe trupin tim. E kaloi tej mase kufirin dhe më hoqi gjithashtu kënaqësinë e të luajturit”, - tha ndër të tjera francezi.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›