E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arenca Trashani: “Edi Rama, mblidh çadrat dhe zhblloko bulevardin!”



Deputetja e PD-së, Arenca Trashani, gjatë një deklarate për shtyp i kërkoi kreut të PS-së që të zhbllokojë sa më parë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa i cilësoi antikushtetuese kërkesat dhe qëndrimet e PS-së. “Edvin Kristaq Rama, po përpiqesh prej dhjetë muajsh të bllokosh Shqipërinë duke menduar, punuar e vepruar jashtë çdo ligji juridik, logjik e njerëzor. Ti nuk e njohe rezultatin e dalë nga zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në këtë vend dhe për këtë je jashtë ligjit. Ti kërkove rinumërim të votave kundër çdo vendimi të gjykatave të këtij vendi, dhe për këtë je jashtë ligjit. Ti mbajte dhe vazhdon të mbash jashtë Parlamentit Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, dhe për këtë je jashtë ligjit. Ti bllokove bulevardin qendror me çadra dhe dyshekë, dhe je prapë jashtë ligjit. Si ligjvënëse e Kuvendit të Shqipërisë, po të them: mblidh çadrat dhe ik nga rruga, se Tirana është dhe do të jetë një qytet europian në Europë!” - është shprehur Trashani.

Gerti Bogdani: “Rama t’i bashkohet kampingut në bulevard”

Deputeti i PD-së, Gerti Bogdani, ndërsa ka shprehur keqardhjen për deputetët socialistë grevistë, i ka bërë thirrje Ramës që të futet dhe ai në atë që Bogdani e cilësoi si kamping para kullave të Fidelit. “Jam këtu për të shprehur keqardhjen për deputetët në kampingun para kullave të Fidelit. Unë nuk i keqkuptoj as ata kampistë, të cilët shkojnë e vijnë, as ata që kthehen dhe ikin prapë. Ne nuk keqkuptojmë as frikën që z. Rama ka për t’iu bashkuar kampingut të bulevardit. Pavarësisht se ne nuk keqkuptojmë kampingun e fushimit, pavarësisht se ne përpiqemi t’ju mirëkuptojmë edhe kur s’gjejmë kuptimin, pas kaq ditësh askush nuk kupton më: Pse z. Rama nuk lejon transparencë brenda çadrave? Pse z. Rama nuk lejon shërbimin shëndetësor dhe psikologjik? Pse z. Rama nuk i bashkohet kampingut para kullave të Fidelit?” - është shprehur Bogdani.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›