E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE-ja rikonfirmon se ka një ofertë kompromisi nga ndërkombëtarët



Eljona Ballhysa
Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka reaguar sërish dje duke rikonfirmuar deklaratën e bërë pak ditë më parë nga ambasadori Robert Bosh. Prezenca e OSBE-së ka bërë të ditur se i qëndron deklaratës së ambasadorit Bosh duke theksuar se të dyja kampeve të politikës shqiptare u është bërë një ofertë kompromisi, e mbështetur nga i gjithë faktori ndërkombëtar në Tiranë. OSBE-ja bën të ditur se pavarësisht se kjo ofertë nuk është në formën e një drafti, ajo është në formën e një propozimi të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës.
Pak ditë më parë ambasadori Bosh bëri të ditur se ekziston në tryezat e dy liderëve të politikës shqiptare një formulë kompromisi, ndërsa bëri thirrje që palët ta firmosin atë pasi është një formulë që mbështetet jo vetëm nga OSBE-ja, por edhe nga KE-ja dhe SHBA-të. Vetëm një ditë pas kësaj deklarate erdhi reagimi i kryeministrit Berisha, i cili mohoi në mënyrë kategorike ekzistencën e një drafti kompromisi.
Përgjigjja
Kryeministri tha se në tryezën e tij nuk ka ardhur asnjë draft, duke nënkuptuar një propozim në formë të shkruar, por në asnjë moment Berisha nuk konfirmoi propozimin gojor të ndërkombëtarëve duke e zhvlerësuar ofertën e kompromisit të bërë nga faktori ndërkombëtar në Tiranë. Vetëm pasi kryetari PS-së, Rama, bëri publike dy pikat e ofertës që lidhen me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe ankimimin në Komisionin e Venecias, reagoi kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Nëpërmjet Patozit PD-ja dhe qeveria rrëzuan ofertën e kompromisit të propozuar nga ndërkombëtarët, duke e cilësuar antikushtetuese hapjen e kutive me materialet zgjedhore pa djegur fletët dhe kundërfletët e votimit.
Bosh
Vetëm pak ditë më parë, ambasadori i OSBE-së bëri të ditur se ndërkombëtarët i kanë propozuar politikës shqiptare një marrëveshje kompromisi. Madje ai bëri thirrje që palët ta pranojnë këtë si një mundësi e artë që i jepet për t’i dhënë fund krizës. “Ajo që dua të them është se qe dje ka një kompromis shumë të mirë mbi tryezë. Në emër të shumicës së ndërkombëtarëve, do t’i inkurajoja udhëheqësit që të pranojë kompromisin tani; ta kenë parasysh këtë kompromis tani, të tregojnë kurajë, të tregojnë se janë burra shteti dhe të mos përpiqen të shmangen duke përdorur teknikalitete. Kini parasysh interesin e vendit tuaj dhe mos mendoni së pari për interesin tuaj personal dhe bëni këtë hedhjen e madhe. Koha është tani. Nuk do ketë më kohë për t’u zgjatur. Ky kompromis ka mbështetjen e Bashkimit Europian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të OSBE-së. Ai vërtet duhet pranuar”, - është shprehur Bosh.
Vetëm një ditë pas kësaj deklarate reagoi kryeministri Berisha duke mohuar ekzistencën e një drafti kompromisi. “Gjatë këtyre dy ditëve kam dëgjuar të flitet, të shkruhet. Për këtë jam informuar aty ku isha, për pakte, drafte etj. Ju garantoj me përgjegjësinë më maksimale se në tryezën time, në mënyrë absolute dhe kategorike, nuk ekziston as edhe një draft tjetër, as edhe një pakt tjetër, as edhe një dokument tjetër, nga askush dhe nga asnjë institucion europian apo perëndimor, për këtë problem”, - është shprehur Berisha. Madje, i pyetur nga mediat rreth deklaratës së ambasadorit Bosh, Berisha u shpreh se në axhendën e tij nuk bën pjesë diplomacia e megafonit. “Kryeministri, në axhendën e tij nuk ka komentet e deklaratave të ambasadorëve. Edhe kur ka rastisur që ndonjë diplomat të ketë bërë diplomacinë e megafonit, unë po këtë gjë kam deklaruar, që nuk bëj diplomaci megafoni, sepse nuk më duket se vlen. Por, në tërësi, axhenda ime i përjashton nga komentet deklaratat e diplomatëve. Unë këtë praktikë ndjek. Ajo çka thashë dhe që është e vërtetë e padiskutueshme, është se nuk kam parë dhe nuk kam mbi tavolinën e zyrës asnjë draft apo pakt, por kam deklaratën e Këshillit të Europës”, - është shprehur Berisha.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›