E Diel, 1 Nëntor 2026

Arendt dhe Hajdeger: një dashuri e madhe

Një dashuri në Gjermaninë e shekullit të kaluar, që nxjerr në pah dritëhijet e historisë dhe kulturës gjermane. Një raport i përbërë nga lumturia dhe tragjedia, impenjimi dhe zhgënjimi. Dy dashnorë, që për nga origjina, karakteri dhe eksperiencat e jetës nuk mund të qëndronin larg. Që nga koha kur janë publikuar letrat e Hanah Arendt dhe Martin Hajdegerit (ato të tijat për një kohë të gjatë ishin mbajtur të fshehura) historia e tyre e dashurisë i është pasqyruar lexuesit në çdo detaj. Ajo e saja është historia e lirisë së mendimit dhe emancipimit intelektual të një gruaje të persekutuar, sepse ishte hebre. Ajo e tija është historia e një "mjeshtri", që i verbuar nga pushteti tradhtoi veten dhe mendimin e tij. Por, për të dy ishte gjithashtu edhe forca e një dashurie, ndaj së cilës, sidomos ajo, ishte besnike në mënyrë të pakushtëzuar, që kishte lidhje me besnikërinë ndaj vetvetes.

Farën e këtij besimi të pakushtëzuar në entelkinë e dashurisë e kishte hedhur profesori 35-vjeçar që i citonte Agustinin ("amo significa volo ut sis), dua që ti të jesh ashtu siç je, që në letrën e tij të dytë, më 21 shkurt 1925, i shkruante: "Përse dashuria është një peshë e ëmbël. Përse ne shndërrohemi në atë që duam dhe prapë ngelemi vetvetja. Duam t‘i themi faleminderit të dashurit, por nuk gjejmë asgjë që të jetë e mjaftueshme, përveçse t‘i dhurojmë veten tonë. Kështu, dashuria e shndërron mirënjohjen në besnikëri në vetvete dhe në mundësinë për të besuar në mënyrë të pakushtëzuar te tjetri". Kaq shumë disponueshmëri, natyrisht që nuk e bëri për vete vetëm në planin filozofik studenten 18-vjeçare, bukuroshe dhe të etur për dije. Tre vjet më vonë, pasi u largua nga Marburgu, ku Hajdegeri jepte mësim, Hanah Arendt, u diplomua në Heidelberg, me profesor Karl Jaspers, ku mbrojti tezën për konceptin e dashurisë sipas Agustinit.

Antonia Grunenberg, që drejton Qendrën dhe Arkivin Hanah Arendt në Universitetin e Oldenburgut, na tregon në një libër plot detaje, historinë e kësaj dashurie që shkaktoi skandal jo vetëm sepse fliste për lidhjen mes një vajze dhe një burri të martuar me fëmijë, por sepse skandali vazhdoi edhe pas luftës kur ajo, që kishte emigruar në SHBA, donte që të kishte sërish kontakt me të pas kthimit në Gjermani. Në atë kohë ai ishte bërë pjesë e nacional-socialistëve, ndërsa në vitin 1933 ishte nominuar si rektor i Universitetit të Marburgut. Cili ishte sekreti i një dashurie kaq të gjallë që mundi të injoronte çdo lloj zhgënjimi?

"Sekreti i dashurisë së tyre, sipas meje, qëndronte te fakti se ajo ushqehej nga shumë burime, një prej të cilave ishte edhe pasioni. Tjetra ishte besnikëria, besimi tek e vërteta e të jetuarit dhe në fund diçka që e kishin të përbashkët, edhe pse konfliktuale, raporti me mendimin dhe zhvillimin e tij".

Përse Hanah Arendt dëshironte të riniste kontaktet me Hajdegerin? Nga letrat dhe të gjitha burimet që kemi duket qartë se Arendt, para së gjithash, donte të dinte nëse dashuria e saj kishte qenë e vërtetë, nëse edhe për Hajdegerin kishte pasur atë domethënie ekzistencialiste që ajo i atribuonte, apo kishte qenë vetëm një histori thjesht e parëndësishme. Sigurisht që ajo kishte edhe kuriozitetin të dinte se në çfarë ishte shndërruar ky burrë që kishte tradhtuar filozofinë, mendimin dhe atë vetë. Mes emigrantëve në SHBA flitej shpesh për miqtë dhe kolegët e dikurshëm, se si ishin bërë bashkëpunëtorë me nazizmin dhe për Hajdegerin qarkullonin zëra të shumëllojshëm. Dihej që ai kishte qenë një nga rektorët e parë universitarë që kishte kaluar në krahun e nazizmit. Për këtë arsye ajo donte të dinte atë që vërtet kishte bërë, kush ishte dhe si ishte sjellë.

Zbulimi më i rëndësishëm në kërkimet e saj?

Të kuptonte se cila ishte ideja e dashurisë që ai kishte për Hanah Arendt. Sipas saj, nga dashuria mes dy personave lind diçka tjetër, që bëhet pikë referimi për të dy. Dashuria nuk konsiston vetëm në ndjenjat për tjetrin, por merr një formë të vetën, pasi përvetëson diçka nga dy të dashuruarit. Kam kuptuar gjithashtu se përse Hanah Arendt, pas luftës refuzoi gjithmonë ta quanin filozofe, edhe pse vetë i pëlqente të lëvronte në fushën e filozofisë. Në fakt, kishte hartuar një kritikë shumë radikale për mënyrën se si Hajdegeri dhe të tjerët merreshin me filozofinë si çështje reflektimi, pa u marrë me asnjë impenjim drejt botës, pa manifestuar në disa mënyra atë "kurë" në sensin ontologjik, për të cilën Hajdegeri fliste shpesh në veprën e tij "Qenia dhe koha". Sipas Arendt, ky mendim që e pengonte të shihte botën, ishte një prej shkaqeve të dështimit të intelektualëve evropianë, përballë ngjarjeve të mëdha politike të shekullit të kaluar.

A u bë Hanah figura dominuese e raportit të tyre?

Hanah Arendt ishte një figurë dominuese, ndërsa Hajdeger, të paktën kur ajo e takoi sërish pas luftës, ishte një mendimtar i mbyllur në vetvete, që e ushtronte mendimin jo me vendosmëri, por përmes qetësisë dhe soditjes. Sigurisht që ajo nuk e ka dominuar kurrë, por meqë lëvizte më shumë se ai, kishte më shumë lidhje me botën reale, në bisedat e tyre edhe mund ta sfidonte, ta provokonte.

Raporti mes Arendt dhe Hajdegerit është, sipas jush, paradigmatik i raporteve mes gjermanëve dhe hebrenjve?

Në një farë mënyre dhe për një periudhe kohe padyshim që po. Raporte të këtij lloji ka pasur shumë. Intelektualët gjermanë dhe ata hebrenj influencoheshin në mënyrë reciproke. Është e vërtetë që në fund të shekullit të 19-të, pati një ndarje në ambientet e lëvizjes rinore nacionaliste, por para 1933-shit nuk kishte influencuar mbi intelektualët e vërtetë. Kjo kishte qenë deri në vitin 1933 edhe eksperienca e Hanah Arendt. Pikërisht më 1933 situata precipitoi dhe pjesa më e madhe e intelektualëve gjermanë dhe evropianë në mënyrë vullnetare u bënë bashkëpunëtorë me regjimet autoritare. Eksperienca e rënies së inteligjencës evropiane u konsiderua paradigmatike nga Arendt dhe ishte ajo që e shtyu të reflektonte vazhdimisht rreth mendimit filozofik me botën.

Një nga temat për të diskutuar është natyra e përgjegjshmërisë të atyre që iu nënshtruan propagandës së një regjimi totalitar. Cili është gjykimi juaj?

Në debatet e pasluftës mbi fajin dhe përgjegjshmërinë, Hanah Arendt pikturoi një kufi të saktë. Në përgjithësi diskutimi varion mes dy poleve. Mes atyre që thonë se nën një diktaturë nuk mund të flasësh për përgjegjësi, sepse diktatura është dhunë e detyrim e atyre që mbështesin se ekziston detyrimi për të rezistuar, edhe kur mund të vihej jeta në rrezik.

Hanah Arendt propozoi një perspektivë të tretë. Me Kantin dhe Sokratin, ajo mbështeti se asnjë njeri nuk mund të bashkëjetojë me ndërgjegjen e tij kriminale. Ndërgjegjja jonë na thotë se nuk mund të kryejmë krime, përndryshe kthehemi në armiq të qenieve njerëzore.

Hanah Arendt nuk e teorizon rezistencën militante, por thotë se nuk duhet bëhemi bashkëpunëtorë të së keqes, përderisa jemi mbajtës të një përgjegjësie drejt kolektivitetit dhe nuk mund të pranojmë që të shkatërrohet. Kështu kemi të paktën mundësinë për t‘u kthyer pas. Nëse do të pranonim se regjimet totalitare mund të shkatërrojnë edhe kapacitetin e fundit të vetëkontrollit të njeriut në termat e kuptimit të përgjithshëm, do të kthehemi në një situatë paraqytetërimi, ku njerëzit janë armiq me njëri-tjetrin: homo homini lupus. Kjo është ajo që e goditi veçanërisht për çështjen dhe personin e Adolf Eichmann, që ishte një burrë pa ndërgjegje. Pikërisht ky "sensus communis" mungonte në epokën për të cilën flasim dhe mbi të gjitha mes intelektualëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›