E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqia, kundër Izraelit në Davos

Kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan, iu rezervua një pritje prej heroi në vendin e vet, menjëherë pas largimit demonstrativ nga Forumi i rëndësishëm i Davosit, ku replikoi ashpër mbi Gazën me Presidentin izraelit Shimon Peres. Episodi i zhvilluar të enjten përmban të gjitha elementet e një incidenti të rëndë diplomatik dhe dëmton rëndë raportet mes Izraelit e një aleati mysliman, që po luan rol kyç në përpjekjet për të gjetur rrugën e paqes në Lindjen e Mesme.

Agjencia turke e lajmeve, "Anatolian", raportoi se Presidenti Peres i telefonoi Kryeministrit turk pesë minuta pas largimit nga forumi, për t‘i kërkuar ndjesë mbi çdo keqkuptim të mundshëm, duke nënvizuar se vërejtjet e tija mbi ofensivën Izraelite në Gaza nuk i drejtoheshin aspak Erdoganit personalisht. Në Jerusalem, Meital Jaslovitz, një prej zëdhënëseve të Peres, e përshkroi bisedën telefonike si "pozitive". Por, sqaroi dje, se Presidenti Peres nuk kishte kërkuar falje, në të kundërt të asaj që kishte raportuar agjencia turke.

Edhe Kryeministri Erdogan nuk foli me tone ndjese. "Unë di vetëm se jam përgjegjës për mbrojtjen e Republikës Turke dhe kombit turk nga A-ja te Z-ja", tha Erdogan me t‘u kthyer në Stamboll. "Nuk jam lider i ndonjë tribuje. Jam Kryeministër i Republikës së Turqisë. Bëj gjithçka duhet bërë në këtë kuadër, ashtu siç edhe veprova dhe ashtu siç do të veproj në të gjitha rastet. Ky është karakteri im. Ky është identiteti im". "Në lojë ishte prestigji dhe respekti ndaj vendit tim. Kështu që qëndrimi im duhej qartësuar", shtoi Kryeministri. "Nuk do t‘i lejoja kurrkujt të cenonte prestigjin dhe veçanërisht nderin e vendit tim".

Në pamjet e drejtpërdrejta televizive që përcollën kthimin në Turqi të Kryeministrit në aeroportin Ataturk, vëreheshin turma njerëzish me flamuj turq e palestinezë, që thërrisnin në mbështetje të Erdoganit. Në një prej pankartave, Erdogan cilësohej si "i deleguari i të shtypurve" dhe u dëgjuan thirrjet: "Le të shohë bota një Kryeministër ashtu siç duhet". Këto pasione reflektojnë zemërimin e thellë të kombit turk ndaj luftës në Gazë, një komb sekular, pjesa më e madhe e të cilit i përket besimit mysliman.

Incidenti ndodhi vetëm pak ditë përpara se i dërguari i posaçëm i Lindjes së Mesme të Presidentit Obama të vizitojë Turqinë për të diskutuar problemet e paqes rajonale, pjesë e një turi takimesh në disa vende. Gjithsesi, dje, një zëdhënës i ambasadës amerikane në Ankara, nën anonimitet për shkak të rregullave diplomatike, bëri me dije se vizita ishte shtyrë për një kohë të pacaktuar, për shkak të "axhendave tepër të ngjeshura". I njëjti burim sqaroi se vendimi për shtyrjen e vizitës ishte marrë përpara incidentit në Davos.

Mësohet se në Davos, Kryeministri turk mbajti qëndrim ndaj vendimit të moderatorit të forumit për të mos i dhënë të drejtën t‘i kundërpërgjigjej deklaratave të Presidentit Peres mbi fushatën e fundit ushtarake të Izraelit në Gaza. Paneli po i zhvillonte diskutimet deri në orët e vona të mbrëmjes dhe sipas të pranishmëve, Presidenti izraelit do ta mbante i fundit fjalën.

Diskutimet në panelet e Davosit kufizohen në një orë, por Kryeministri Erdogan këmbënguli t‘u kundërpërgjigjej qëndrimeve të Presidentit izraelit. Me fytyrë të skuqur nga zemërimi dhe duke kapur për krahu moderatorin e panelit, analistin David Ignatius të "The Washington Post", Kryeministri turk iu drejtua Presidentit izraelit me fjalët: "Zoti Peres, ju jeni më i moshuar se unë. Fjalët tuaja u thanë me ton shumë të lartë. Dhe ky ton kaq i lartë ka të bëjë me fajin që ju peshon mbi ndërgjegje. Megjithatë, unë nuk do përdor të njëjtat tone". Duke i rezistuar përpjekjeve të moderatorit për të përfunduar sesionin, Kryeministri Erdogan vazhdoi me fjalët: "Kur vjen puna për të vrarë, ju dini ta bëni më së miri". Pas këtyre fjalëve, Kryeministri turk mblodhi dokumentet e veta dhe tha: "Për mua Davosi përfundon këtu".

Të pranishmit në sesion treguan më pas se Presidenti izraelit Peres iu drejtua Kryeministrit që po nxitonte të dilte, duke i thënë se Turqia do të kishte reaguar në të njëjtën mënyrë si Izraeli, në rast se Stambolli do të sulmohej me raketa.

Gjatë një konference për shtyp, menjëherë pas debateve në panel, Erdogan tha se ishte zemëruar veçanërisht shumë nga David Ignatius i "The Washington Post", që, sipas tij, nuk kishte qenë në gjendje të zhvillonte një panel të baraspeshuar e të drejtpërdrejtë.

Nga sa u tregua prej të pranishmëve, diskutimet mbi ofensivën izraelite në Gaza ishin shumë të ndezura gjatë panelit në fjalë. Tone të ashpra përdorën edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ashtu si edhe Amr Musa, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe. Të pranishmit treguan se Presidenti Peres ishte më së shumti i papërkrahur në përpjekjet për të mbrojtur ndërhyrjen e armatosur izraelite në Gaza dhe se pikërisht për këtë arsye i ishin rezervuar 25 minutat e fundit për të mbajtur fjalën. Përpara tij, Kryeministri Erdogan ishte zgjatur për 12 minuta me vuajtjet e popullit palestinez.

Megjithëse Kryeministri Erdogan e kritikoi me tone të ashpra ndërhyrjen e armatosur në Gazë, vendi i tij dhe Izraeli prej kohësh gëzojnë marrëdhënie shumë të afërta diplomatike. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, forca politike e Erdoganit, ka raporte shumë të mira me Hamasin, gjë që e ka bërë Turqinë të luajë rol protagonist në ndërmjetësimin e bisedimeve mes Izraelit, Sirisë, Libanit dhe palestinezëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›