Areti Petova, një simbol i gjallë i vitalitetit të gruas shqiptare
Nga Edmond Ismailati
New York City
Memaliaj është vendi i heronjve, pasi jo vetëm burrat ndeshen me thellësitë e nëntokës, por edhe gratë. Kjo është Areti Petova e cila me guximin e saj të rrallë për një femër, ishte e vetmja që futej në thellësitë e nëntokës, jo vetëm në vendin tonë, gadishullin e Ballkanik apo në kontinentin e Europës, por po të bëhen studime, mund të jetë edhe në botë.
Ajo u lind më 6 nëntor të vitit 1941 në fshatin Vanistër në Dropullin e poshtëm të rrethit Gjirokastër me prindër Kostandin dhe Antigoni Liti. Shkollën fillore e kreu në fshatin e vendlindjes së saj, ndërsa atë tetëvjeçar në qytetin e gurtë Gjirokastër. Mbasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera vendosi të vazhdonte studimet e mesme për teknike gjeologe në Politeknikumin 7 Nëntori në Tiranë me profesor Todo Mançon. Edhe pse në këto degë përgatiteshin kuadro dhe kryesisht ishin meshkuj, përgjate kohës që Aretia studionte, kishte edhe 5-6 shoqe të tjera që vazhdonin të njëjtën degë por mbasi u diplomuan, asnjëra prej tyre nuk e ushtroi profesionin përveç Aretis. Kjo ndodhi pasi atë e kishin frikë ndërsa Aretia e kishte me pasion dhe mezi priste të ecte nëpër damarët e thellësisë së nëntokës dhe t’a eksploronte atë.
Aty rreth viteve 1963-64, ajo e vendosur u drejtua për të punuar në minierën e qymyrgurit Memaliaj. Në vitin 1969 në Memaliaj u njoh me Vasil Petovën, djalë nga fshati Bestrovë i rrethit të Vlorës i cili kishte ardhur si shumë të tjerë për tu punësuar dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe ty dy sëbashku krijuan familjen e tyre të re Petova. Familja Petova u bë më e madhe duke ardhur në jetë dy fëmijët, Miranda dhe Aleksandri.
Aretia punoi me përkushtim për më shumë se dy dekada dhe në vitin 1985, kur mbushi 44 vjeçe, e nxorrën në pension nga që ishte e vetmja femër në vend që kishte punuar nëpër galeritë. Për këtë rast të veçantë, njëkohësisht edhe e përkushtuar në profesionin e saj, është dekoruar nga presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë me kryetar Haxhi Lleshi.
Dashurin për profesionin e saj Aretia ka dashur që ta përcillte edhe tek fëmijët e saj. Djali i vetëm i saj Aleksandri shprehet: Më kujtohet një herë kur isha i vogël ku mamaja më kishte dhënë fjalën për të më marrë poshtë në galeri. Sigurisht që nuk hyra brenda, se unë fillova të qaja me të madhe, pasi kishte qeshur gjithë brigada me mua”. Të dy fëmijët kanë qenë me rezultate të shkëlqyera në mësime dhe të respektuar. Miranda e kreu shkollën tetëvjeçare në Dropull tek gjyshja nga ana e nënës, ndërsa Aleksandri në vendlindjen e tij Memaliaj.
Me ardhjen e demokracisë, familja Petova emigron në shtetin fqinj Greqi. Kryetari i familjes, Vasil Petova ka punuar si eskavatorist dhe njihet si dashamirës i futbollit dhe mbështetës i ekipit “Minatori” të qytetit tonë. Të dy prindërit Vasili dhe Aretia jetojnë sëbashku me familjen e re që kishte hapur djali i tyre Aleksandri, i vendosur me banim në një nga lagjet e Athinës. Përgjatë kësaj kohe, ata ishin bërë edhe gjyshër dhe kujdeseshin për nipin e tyre i cili mbante me gjallje emrin e gjyshit, Vasil Petova. Vasili i vogël aktualisht luan futboll me ekipin grek “Fostira” të lagjes Tavros në Athinë. Më 19 mars të vitit 2008 bashkeqytetarja Areti Petova ndroi jetë në Athinë dhe prehet në vendlindjen e saj në Dropullin e poshtëm. Ndërsa bashkëshorti i saj Vasil Petova ndrroi jetë një vit mbas largimit të saj. Ai ndërroi jetë në datën 26 prill të vitit 2008 në Athinë dhe prehet bashkë me bashkëshorten e tij, në fshatin Vanistër në Dropullin e poshtëm të rrethit Gjirokastër.
Për të mësuar me shumë për jetën e kësaj trimëreshe munda të siguroj kujtime shumë të bukura nga kolegët e saj dhe një nga ata është edhe ish drejtori i minierës z. Qëndro Qëndri i cili nuk hezitoi aspak për të më dërguar një përgjigje në lidhje me kontributin e tek/gjeologes Areti Petova. Duke e publikuar të plotë përgjigjen nga ish/drejtori Qëndro Qëndrai në vazhdim lexojmë: “Mondi, kam shumë vite që nuk shkruaj, aq më tepër kujtime. Por duke parë nismat dhe veprimet e tua për qytetin tonë Memaliaj e për njerëzit e tij, të premtova dhe po shkruaj mbresat që kam për Aretinë me shpresë se do të sherbejnë për materialin që po punon.
Ishte 29 shkurti i vitit 1960 kur unë fillova punën në minierën e qymyrgurit Memaliaj si inxhinier me detyrë kryegjeolog i minierës dhe përgjegjës i byrosë gjeologo-marksheiderike, zyre ku Aretia punonte si teknike gjeologe prej dy vjetësh. Hyra në zyrë dhe u njoha me pjesëtarët e saj. Areti Liti u prezantua, ajo buzëqeshi dhe me një zë të ëmbël dhe të qetë. U takuam dhe pashë një vajzë të imët me flokë të zeza e sy të zinj, të rrumbullakët dhe të shndritshëm që u skuq në fytyrë. Mendimin e parë për të e thashë me vete: “mirë ne, po kjo?”.
Shokët më folën për të e për punën dhe që nga ajo ditë e më pas për vitet që isha në minierë dhe vitet larg saj, Aretia më ka lënë shumë kujtime mbresëlënëse. Ajo u bë një pjesëtare e përkushtuar për punën që bënim dhe një motër e vogël për të cilën të gjithë tregonim kujdes e dashuri. U njoha edhe me nënën e saj, një zonjë grua me ato rrobat karakteristike dropullite si dhe me të vëllain që e kishte ekonomist të lartë në Gjirokastër. Aretia krenohej me fshatin e lindjes Derviçan, “Parisi i vogël e quante dhe kishte të drejtë”
Për të folur për punën e saj si teknike gjeologe do mundohem të përshkruaj pak shërbimin gjeologo-marksheiderik të minierës. Ai kishte për detyrë të zbatonte projektet dhe të pasqyronte çdo punim që hapej: galeri, remonte, apllava, pëllëmbë për pëllëmbë në terren pastaj i hidhte në plansheta e raporte të veçanta. Aretia punonte sa në minierë edhe në zyrë. Ajo ndiqte çdo galeri që hapej, bënte dokumentimin e punimeve të galerive remonteve, llavave dhe ato i hidhte në letër milimetrike në zyrë. Me çekiçin e gjeologut në dorë, me busullën gjeologjike, me çantën e dokumentave dhe llampën ndriçuese, ajo ndoqi punimet e minierës nga bregu i djathtë i Vjosës afër qytetit Memaliaj deri në Izvorin e rri në një distancë ajrore 20 kilometra gjatësi në shtrirje dhe në rënie disa qindra metra.
Me përgjegjësi të lartë, me një profesionalizëm të spikatur ajo bënte dokumentimin gjeologjik e përshkruante shtresat e qymyrit të sterilit, merrte provat për cilësinë e qymyrit dhe i çonte për analiza në laborator! Mbi bazën e materialeve të saj, shërbimi gjeologjik drejtonte punimet ditore dhe perspektivën e minierës. E çuditshme, po ky është realiteti. Edhe djalë të ishte, për këdo puna ishte shumë e vështirë, tejmase e lodhshme e shoqëruar me rrezikshmërinë që karakterizon minierat veçanërisht ato të qymyrgurit. Ajo ishte një vajzë e pastaj u bë nënë, por minierës nën tokë nuk ju nda asnjëherë megjithëse i propozuan disa herë të dalë në sipërfaqe, të punonte në laborator por ajo nuk pranoi.
Hyri në minierë 18-vjeçe dhe punoi deri sa doli në pension me vendim të veçantë se me ligj nuk e lejonin të punonte nën tokë. Rast unikal të bënte atë punë e të ushtronte atë profesion. Nuk ka të tillë jo vetëm te ne, por edhe në botë. Dihej që në byronë marksheiderike qëndronin në kasaforta të veçanta materiale sekrete si raportet gjeologjike të vendburimit, projektet e hapjes dhe shfrytëzimit të minierës, projektprogramet e zhvillimit për çdo vit, dokumentimet gjeologjike të punimeve, planimetritë e punimeve nëntokësore mbi të cilat punonin pjesëtarët e byrosë. Kështu që për çdo pjesëtar ishte privilegj e përgjegjësi e veçantë për të punuar me to ashtu si dhe për Aretinë e cila veç të tjerash për çdo pyetje apo kuriozitet që i bëhej, ngrinte supet buzëqeshte dhe thoshte “unë nuk di gjë”. Edhe për këtë cilësi të saj ajo, qëndroi në atë zyrë deri sa doli në pension. Një vajzë fisnike, trime dhe e përkushtuar në punë, një grua e nënë shembullore në familje dhe shoqër, Aretia do të mbetet një simbol i gjallë i vitalitetit të gruas shqiptare. Qëndro Qendrai Tiranë 5.03.2013 “.
Për Areti (Lili) Petovën këdo që të pyesësh nga ata që e kanë njohur ndajnë vlerësimet më të mira. Bashkëqytetarja Drita Sotiriu shprehet; Aretia, zonjë e rrallë, ndërsa tepelenasi z. Luan Zifla i cili ka punuar pak kohë në minierën e qymyrgurit Memaliaj, shprehet: Respekt të veçanta për këtë grua të talentuar shqiptare. Lavdi jetës dhe veprës së saj të merituar.
Padyshim që këdo që të pyesësh për Aretin nga ish/inxhinierët, drejtorët, teknikët dhe punonjës të tjerë në profile të ndryshëm që kanë patur fatin të punojnë apo njohin nga afër, do të ndajnë kujtimet më të mira. Teknikja gjeologe Areti Petova me pasionin dhe punën e saj ka qenë një shembull unik i cili frymëzonte jo vetëm brezat e atyre viteve, por edhe brezat e sotëm e ata që do të vijnë. Ajo na mbush me krenari pasi rasti i saj i veçantë është bërë pjesë e historisë jo vetëm të qytetit dhe vendit tonë, por edhe për gadishullin ballkanik dhe në gjithë botën. Do të më pëlqente që mbylljen ta bëja duke cituar ish drejtorin e minierës z. Qendro Qendrai i cili shprehet: Areti Petova, një simbol i gjallë i vitalitetit të gruas shqiptare.