Argjentina, katërvjet kontratë përMaradonën
TIRANE-Mbledhja mes presidentit të Federatës Argjentinase Hulio Grondona dhe Diego Armando Maradonës nuk është zhvilluar, por telenovela e këtij të fundit ka njohur një kapitull të ri. Komiteti Ekzekutiv i Federatës i ka ofruar unanimisht Pibe de Oros një rinovim 4 vjeçar të kontratës aktuale, ndryshe nga ç'ishte përfolur se atij do t'i ofrohej vetëm një vit. Zëdhënësi i Federatës Ernesto Bialo njoftoi se në asnjë moment nuk janë marrë në konsideratë kandidatura të tjera. Tani pritet vetëm përgjigja e Maradonës, i cili do të takohet të martën ose të mërkurën e ardhshme me presidentin Hulio Grondona. "Në këtë takim, ai do t'i paraqesë presidentit projektin e ri për 4 vitet e ardhshme", tha Bialo. Gjithsesi, Kupa e Amerikës Latine pas një viti do të jetë një test i rëndësishëm për Maradonën në krye të ekipit kombëtar. "Vendi i pestë i arritur në Botëror mund të duket pak, por nuk është një rezultat i turpshëm, - deklaroi zëdhënësi i Federatës. - Kemi një projekt për të çuar përpara, që vazhdon me Kupën e Amerikës vitin tjetër këtu në Argjentinë dhe me Botërorin që do të zhvillohet në Brazil në 2014. Maradona do të ketë mundësinë të marrë revanshin për humbjen në Kupën e Botës", shtoi ai.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)