E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korça "ringjall" rrugët me kalldrëm

KORCE- Bashkia e Korçës po zbaton një projekt për të shtruar me kalldrëm të gjitha rrugët që kanë qenë tradicionalisht të tilla. Kalldrëmet e vjetra kanë qenë të degraduara dhe në shumë vende, të shkatërruara për shkak të viteve, lëvizjes së automjeteve, por edhe punimeve për vendosjen e tubacioneve të kanalizimeve të ujërave të zeza. "Në këto lagje, - thotë kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, - ka nisur puna dhe do të shtrohen 100 mijë metra katror kalldrëme. Në lagjet 11 dhe 12, që prej disa javësh po punohet për shtrimin me kalldrëm të rrugëve". Tekniku i punimeve, Agron Limaj ka thënë se këtë herë guri është më cilësor se i pari, pasi është më i fortë. Më parë guri ishte vendosur pa u gdhendur, në formë zalli, kurse tani ai është i sharruar nga katër anë me përmasa të barabarta dhe nga faqja e sipërme gdhendet me cmilar nga kalldrëmxhinjtë.
lKalldrëmxhiu Raif Medolli, i cili e ushtron këtë profesion prej 25 vjetësh dhe ka punuar për shtrimin e kalldrëmeve në Berat e Gjirokastër, thotë se guri që po punonin për nga bukuria i ngjante mermerit, por ishte shumë i fortë dhe i punueshëm. "Zbukurimet me punë me gur që kanë shtëpitë, kapitolet e gdhendura nga mjeshtër të mëdhenj dhe çdo gdhendje në gur, shkojnë për mrekulli me kalldrëmet e rrugëve dhe trotuareve që po latohen me cmilar", - thonë specialistët. Për ruajtjen e traditës së gdhendjes në gur dhe të monumenteve të kulturës, po zbaton disa projekte edhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Korçë. Kështu, sipas drejtorit Artan Buzo, pas rikonstruksionit të fasadave të tri banesave në Pazarin e Korçës dhe të disa banesave monument kulture në lagjet e vjetra të këtij qyteti, po zbatohen tri projekte për rikonstruksionin e objekteve monument kulture, ku skalitja në gur është një nga kërkesat kryesore të rikonstruksioneve.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›